24 Gusht, 2020 - 5:20 pm
Shkruan: Merxhan Avdyli
Shqipëria, njëra prej ëndrrave të mia, me të cilat jam rritur, njëra prej ëndrrave të mia të papërfunduara, paraqet një kaptinë të jetës sime, të kujtimeve të mia, të udhës sime jetësore, kulturore, politike, kombëtare. Një ëndërr e cila nuk do të marrë fund deri në bashkimin e “gurit të çarë” (“Një gur i çarë” është një prej poezive antologjike të Agollit për atdheun. Pa dyshim njëra prej poezive në të mira, përgjithësisht, për atdheun).
Po kjo Shqipëri, e cila nga unë u “zbulua” dhe u “pushtua” në gusht të vitit 1997 (Në gusht të vitit 1997, kam vizituar për herë të parë Shqipërinë), paraqet edhe një kaptinë tjetër kulturore, një kaptinë e cila ka emrin e poetit më të madh shqiptar të të gjitha kohëve: Dritëro Agolli. Ishte viti “pushtues” kur për herë të parë “shkela” Tiranën dhe u takova me atin e poezisë shqipe: Dritëro Agollin (Dritëro Agollin e konsideroj dhe këtë e kam thënë edhe në studimin mbi poezinë e tij te libri “Vargu agollian”, si poetin më të mirë shqiptar të të gjitha kohëve).
Por para dëshirës për t’u takuar me Agollin dhe para vetë takimit me të, do të kthehemi njëherë te poezia e tij, te njohja me poezinë, me veprimtarinë e tij letrare. Njoha me poezinë e Agollit për mua nuk ka paraqitur asnjëherë problem, ani pse ajo më ka shkaktuar gjithnjë “tronditje” të mëdha. Kontaktet e mia me veprën letrare të Agollit janë shumë të hershme, që nga shkolla fillore, duke lexuar poezitë e tij, por sidomos romanet. Më tutje, edhe gjatë kohës së shkollimit, si gjimnazist, kam qenë shumë i preokupuar me veprën e tij letrare, por kësaj radhe, sidomos, me poezinë e tij, ku pothuajse pas leximit të secilës poezi nga vëllimet e tij poetike, në fund të poezisë ose në margjina të fletës së librit shkruaja diçka, zakonisht ndonjë fjali të shkurtër ose shprehja ndonjë vlerësim për poezinë e tij, si “e shkëlqyeshme“, “e mrekullueshme”, “e përsosur”, “e realizuar” e ngjashëm, vlerësime këto të para të miat për poezinë e Agollit. Një kontakt ky eterik me poetin tonë të madh. Më vonë kam studiuar thellë poezinë e tij edhe në aspektin prozodik, duke e vlerësuar lart, por gjithnjë në përputhje me vlerat reale të poezisë së tij, duke e sublimuar mendimin për poetin Agolli si poeti më i mirë shqiptar i të gjitha kohëve. Pa dyshim.
Por, edhe më e rëndësishme, edhe më shquese, edhe më intriguese ishte njohja fizike me vetë poetin e madh, me Njeriun e Mirë: Dritëro Agolli. Në gusht të vitit 1997, pak kohë pas fashitjes së zhvillimeve të pakuptueshme politike dhe shoqërore në Shqipëri, me një grup shokësh vizituam poetin tonë të dashur, të madhëruar, madje edhe të idolatruar, në apartamentin e tij, në Tiranë. Drithërimën time se si do të ndjehem, kur të takohem me idhullin tim letrar, poetik, sakaq e largoi zëri i tij, timbri i tij, një melodi paksa drithëruese por e sigurt, një zë shumë i sigurt, i qartë, i kuptueshëm që ishte i barasvlershëm me atë që thuhej, që shprehej. Një zë, paksa autoritativ, por edhe përvetësues. Edhe ndikues, sigurisht. Po kështu një pritje, që kishte të gjitha tiparet e një mikpritjeje shqiptare. Me këtë rast, tradita mikpritëse në shtëpinë e Agollit, gjithashtu u shoqërua edhe me “rekuizitat” plotësuese të mikpritjes – gota e rakisë dhe kafeja e shoqëruar edhe me ëmbëlsira, por mbi të gjitha fjalët e Njeriut të Mirë – Dritëro Agolli. Pra, mbi të gjitha këto qëndronte madhështia e mikpritjes agolliane – dollia, pas së cilës biseda rridhte si Devolli i tij, pastër dhe me orientim të paracaktuar. Bashkë me pjesët e bisedës, në të cilën për shkak të rrethanave në të cilën gjendej Shqipëria e më keq, madje dukshëm më keq – Kosova, ishte pjesa e patejkalueshme e bisedës dhe interesimit të Dritëroit për të pyetur, por edhe për t’u përgjigjur. Kosova ishte një dhembje e madhe e tij, sikurse edhe e jona. Duke qenë i angazhuar në jetën shoqërore Dritëro Agolli, duke pasur një ndikim të madh fjala e tij gjithandej trojeve shqiptare, me kënaqësi fliste për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke e parë atë si një çështje të pandashme gjithëkombëtare. Kosova për të paraqiste një dhimbje kombëtare. Kosova e cila u lartësua edhe në vargjet e tij.
Në ndejën e këndshme në gushtin e vitit 1997, më shumë u bisedua për Kosovën dhe përpjekjet e saj për lirinë sesa për letërsinë. Mbase kjo ishte e kuptueshme. Po kështu kemi biseduar edhe për afritë kombëtare dhe ndasitë politike brenda shqiptarëve. Për bazën e ndasive brenda shqiptarëve në Kosovë, e cila dallon nga baza e ndasive ndërmjet shqiptarëve në Shqipëri. Ishte mëndim i përbashkët dhe pajtues se ndarjet në Shqipëri kanë bazë fund e krye ideologjike, ndërsa ato në Kosovë nuk kanë bazë në këto ndarje, por në një ndarje tjetër, të krijuar nga rrethanat e njohura historike në të cilën është gjendur Kosova. Në ata që vazhdimisht kanë qenë në anën e shtetit shqiptar dhe për bashkimin e trojeve shqiptare dhe në ata që ruajnë njëfarë nostalgjie jugosllave. Po këto shtresa në Kosovë dhe në Shqipëri i kanë afritë e tyre. Madje, është shumë interesant lidhjet ndërmjet shtresave shoqërore, sepse afria e jugosnostalgjikëve nga Kosova është shumë e afërt me “demokratët” shqiptarë, ndërsa shtresa sakrifikuese në Kosovë është më e afërt me “socialistët” shqiptarë, jo kryesisht, por përafërsisht është janë ndjekur këto linja afrie. Këtë e kishte hetuar edhe vetë Agolli, i cili sidoqoftë shprehej hapur për gjetjen e udhës së afrisë ndërmjet të gjithë shqiptarëve. E thoshte edhe vetë se kishte arritur të identifikonte të gjitha këto shtresa shoqërore, politike dhe kombëtare, por e mbante shpresa e ndryshimeve drejt bashkimit.
Ndjeshmëria e Dritëro Agollit ndaj Kosovës ishte e theksuar. Ai ishte i mishëruar me fatin e Kosovës. Dhe kjo ndjeshmëri ishte latuar edhe në një pjesë të poezisë së tij lirike, ku vë pah disa personalitete historike nga Kosova, ngjarje nga Kosova ose fatin politik dhe kombëtar të Kosovës në përgjithësi. Është poezia e tij e gjatë “Këngë për Kosovën” që sublimon idealin e tij.
Kam pasur fatinë mirë që me Agollin të takohesha edhe disa herë pas lirisë së Kosovë, gjatë vitit 2006, në Tiranë dhe në vitin 2007 në Korçë. Në takimet me Dritëroin, pas lirisë së Kosovës, bisedat kishin tjetër kahe, ai shprehte hapur entuziazmin për çlirimin e Kosovës, por edhe simpatitë për gjithë ata luftëtarë të lirisë, për dëshmorët në rend parë, për të gjithë njerëzit e sakrificës.
Libri im “Studime për Agollin në Kosovë” ku ishin të përmbledhura shkrimet më të mira për veprimtarinë letrare të Agollit, të autorëve nga Kosova, duket se i erdhi si një ndriçim për shpirtin e tij letrar dhe njerëzor. Ndërsa tek unë rritej edhe më tepër dëshira për t’u marrë me veprën e tij letrare, në rend të parë poezinë. Më herët, me mikun tim dhe botuesin e dy librave të mi në Tiranë, Mehmet Gëzhillin gjatë një vizite që i bëmë Agollit në shtëpinë e tij, në Tiranë, e kishim paralajmëruar për përgatitjen e librit tim “Studime për Agollin në Kosovë”. Për Agollin dhe veprën e tij kanë shkruar autorë të shumtë dhe të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, por atë ditë ai më krijoi përshtypjen e një entuziasti, sepse dukej veçanërisht i gëzuar dhe i lumtur. Sikur i dukej se do të jetë edhe më afër Kosovës dhe studiuesve nga Kosova, të cilët e çmojnë lart dhe veçueshëm veprën e tij letrare. Pritja edhe atë ditë ka qenë kulmore shqiptare. Sikurse edhe herave të tjera. Nuk kanë munguar edhe fotografimet për të përjetësuar çastet e papërsëritura të takimit me poetin tonë të madh. Bisedat dukshëm më të mira dhe me më pak ngarkesa. Dukej se e shihte dhe e përjetonte një pjesë të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, dukej se bashkë e shihnim edhe dritën në tunelin drejt bashkimit kombëtar.
Në asnjë fjalë të tij nuk dukej rënia, me gjithë moshën, në asnjë çast nuk dukeshin shenjat e ndonjë rëndese, apo të ndonjë lodhjeje për të mos u përgjigjur në pyetjet sikurse dhe për të pyetur për luftën e Kosovës, për jetën e re në Kosovë, për letërsinë e krijuar në Kosovë, të cilën e njihte për mrekulli, për letërsinë shqipe në përgjithësi, për kulturën shqiptare, por edhe për ndasitë dhe përbashkësitë brendashqiptare, për partitë politike në Kosovë dhe në Shqipëri, për zhvillimet e përgjithshme në botë. I hapur në bisedë, i thellë në paraqitjen e mendimeve dhe të gjykimeve, i gatshëm për të dhënë përgjigje në çdo pyetje, madje ndonjëherë edhe me një gjuhë herë lakonike e herë figurative. Jo rrallë në fjalësin e tij janë theksuar edhe nota ironike, nganjëherë edhe sarkastike për dukuri të ndryshme shoqërore dhe kulturore.
Sikurse vitet ‘90, ashtu edhe në vitet e para të shekullit XXI, në shtëpinë e Agollit ishte një person i përhershëm dhe i patejkalueshëm për t’u përmendur: gruaja e tij, zonja Sadije Agolli, e cila të lë përshtypjen e një nikoqireje, që dukej qartë se përbënte një pjesën e dytë të tërësisë së jetës së Dritëroit. Sadija, në shumë kuptime kishte domethënien e plotësisë së jetës së tij. Ajo, dukej se ishte një shembull i një gruaje të devotshme, dukej qartë se kishte një besim të patundur ndaj bashkëshortit të saj, besim të plotë, por të arsyeshëm dhe të kuptueshëm, në atë se në asnjë çast nuk dukej se vinte në mëdyshje atë që thoshte Agolli, madje sa herë që fliste Dritëroi, ajo sikur e vuloste qoftë me një shprehje të shkurtër apo me ndonjë lëvizje të kokës ku nënkuptohej “ashtu”.
Me Dritëro Agollin ke mundur të bisedosh për shumëçka dhe për asnjë çast të mos ndjehesh i mërzitur, i lodhur, apo i zënë ngushtë për ndonjë të thënë që nuk ke mundur ta kapësh apo ta kuptosh, pavarësisht filozofisë së tij shprehëse dhe mendimore apo edhe figurative, tek ai nuk ka përsëritje, nuk ka proliksitet, nuk ka shtirje, nuk ka bisedë konformiste as oportune – ka vetëm origjinalitet. Edhe kur fliste për letërsinë, për poezinë në veçanti, edhe kur fliste për autorë dhe vepra të ndryshme, edhe kur fliste për jetën e tij, për babain, për nënën, për vëllain; kur fliste, veçanërisht, për Sadijen, për vajzën Elonën dhe nipin e tij, për miqtë e shokët, për njerëzit që i kishte pasur mysafirë, të ftuar e të paftuar, kishte një saktësi dhe qartësi mendimi dhe shprehjeje. Një burimësi origjinale.
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë, në nëntor të vitit 2006, ishte organizuar një konferencë shkencore me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit. Isha më së i lumtur, që isha përzgjedhur të paraqitesha me një kumtesë. I vetmi nga Kosova. Po edhe më i lumtur isha se ai e kishte shkelur vitin “kritik” të jetës së tij për të cilin disa vite më herët kishte deklaruar se në trupin e tij kishte gaz vetëm për 75 vite (Këtë konstatim interesant Dritëro Agolli e ka paraqitur në një bisedë, të botuar te libri “Liriku i tokës, Demoni i fjalës” të autorit Moikom Zeqo). Ai po e kalonte vitin e tij të 75-të, si është më se miri për të vazhduar deri më 3 shkurt 2017, kur nga jeta tokësore kaloi në përjetësi. Në qershorin e vitit 2007, në Korçë, u promovua libri im “Studime për Agollin në Kosovë”. Agolli, tashmë e kishte tejkaluar “parashikimin” për jetën e tij. E po jetës tokësore nuk i dihet. Vetëm përjetësisë i dihet. Përjetësisë të cilën Agolli e ka fituar.
Kujtimet nga takimet me Agollin kanë vulosur tek unë, jo vetëm mendimin për poetin më të madh shqiptar të të gjitha kohëve, por edhe për njeriun e madh, nga mendimet, idetë, fjalët e të cilit gjen gjithmonë diçka të re, të papërsëritshme, por që ke dëshirë t’i rikthehesh për ta ridëgjuar. Sepse kur je përballë Dritëro Agollit, ke përpara urtësi dhe mençuri, frymëzim dhe orientim, ke burimësi dhe origjinalitet, ke një shqiptarësi, një kulturë të gjerë, një erudicion, pothuajse të pafund, por gjithsesi ke para vetes një Njeri të Mirë.
Shkrim i botuar në librin “Ky është Dritëroi im” (Botimet Dritëro, Tiranë, 2020, f. 370-376)