Kur Musine i shkruante Poradecit: Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë

10 Shkurt, 2020 - 7:20 pm

Sot shënohet 103 vjetori i lindjes së disidentes shqiptare, Musine Kokalari. Ndërsa në anën tjetër Lasgush Poradeci mbetet njëri nga poetët më të shquar shqiptarë, shkruan KultPlus.

Në vijim mund të lexoni letrat që këta dy shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe shkëmbyen mes vete.

‘Zonjushës Musine Kokalari
Via Garfagnano 8 int 12
Romë

Tiranë, më 24 Korrik 1940

Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,

Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.

Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mire, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.

Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.

Juaji Lasgush

Romë, 30 korrik 1940.

I ndershmi Zoti Lasgush,

Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.

Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.

Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet.
Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime.

Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.

Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.
Më lejoni të mbaroj me kaq.
Nafijes shumë të fala.
Me respekt Musine Kokalari

(Marrë nga profili i Marie Lasgush Poradeci) / KultPlus.com

Të ngjajshme