16 Gusht, 2017 - 6:42 pm
“Më 1966, në ditën kur Pranvera po priste aktin e fejesës me të dashurin e saj, Hysen Badivukun në Shkup ia beh babai, Shabani, luftëtari i Spanjës, i burgosuri i regjimit komunist!
Malli i takimit ngatërrohet me ndjenjat e fejesës, ‘ndihesha edhe fëmijë edhe e rritur’, shpreh emocionet Pranvera, përjetime këto që di t`i sajojë veç jeta! Në fakt, vajzat ‘bëhen’ me baba pas 20-të vjetësh!
Familja Basha, tashti me të zotin e shtëpisë, kthehen në Pejë, mirëpo vështirë të gjente punë, ngaqë i dihej ‘dosja’!. Meqë dinte shumë gjuhë, kishte bërë shkollë në Itali, pejani Mehmet Shoshi i gjen punë në turizëm. Shaban Basha, njeri me pamje të hijshme, shtatmadh, gëzonte respekt te pejanët.
Gjatë asaj kohe të mungesës së babait, nana Magbule Begolli Basha, na ka rritur e na ka edukuar mua dhe motrën. Nana ka jetuar disa vjet në Tiranë, ku ka ndjekur një shkollë të murgeshave, ndërsa babai i saj po punonte si farmacist (jo i shkolluar). Aty ime më ka mësuar shumë gjëra, në atë shkollë ka përfituar shumë kulturë. Ajo përvojë e saj na ka mbajtur ne. Gjyshi, edhe në Pejë ka qenë farmacisti i parë, porse ka vdekur i ri. Tashti nëna 83 vjeçe, e cila pas kthimit të babait lind edhe dy fëmijë – vëllanë Gencin dhe motrën Besniken, të cilët tani jetojnë në Kanada, është akoma e mirëmbajtur. Nënat e gjyshet tona kanë qenë gra shumë të forta, të qëndrueshme.
Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit