Kur qerpiku saj goditi në gjoksin tim

6 Shtator, 2020 - 11:08 am

Nga Sovran Hoti

Sa herë mbyllej qerpiku i saj ishte sikur shpirti im flinte bashkë me peshën e gjithë atyre viteve që kishte pa vënë gjumë në sy. Sytë e saj kureshtarë e stërmbushnin thellësinë e mendimeve të mia, i shpërlanin ato nga shqetësimet me një përpëlitje, dhe fryma ime ishte përsëri me dridhje, sikurse herën e parë, kur qerpiku i saj ra si flatra, flladiti sytë e mi si asnjëherë më parë. Kur ajo mbyllte sytë, shpirti im pushonte.

Ishte viti i parë i studimeve, ishte koha e pauzës së ligjëratës së dytë dhe dola të ndez një cigare përpara hyrjes së fakultetit. Bënte ftohtë, kështu që duke ngreh cigaren me buzët e mia, ndieva tymin të shfryhej drejt gjuhës, nga fyti ku dogji vokalet e mia të një zëri të ngjirur, mori udhën poshtë për në mushkëritë e mia për t’i ngacmuar, bashkova duart dhe menjëherë ngrita jaket e palltos sime të gjatë të zezë.

Sapo ngreha një pjesë të madhe të cigares, bashkë me të dhe zemërimin që kisha ndaj njerëzve dhe jetës, në mes të tymit që shfryva me mërinë e një djaloshari egoist, mes turbullimeve, pashë një siluetë të zezë dhe dëgjova ato hapa të lehtë të takeve të një femre, nga ato që tingujt bashkohen me shiun si një veçori e rrallë e këndshme për neve djelmoshat e vetmuar ta shijojnë, dhe sapo tymi u shpërnda vërejta qerpikët e saj të përplaseshin mes vete e duke zbarkuar drejt meje, buzët iu njomën nga fryma e saj që dilte e qetë dhe pa zhurmë, faqet e iu skuqën teksa u ballafaquan me vetullën time të ngritur dhe gjuhën time që desh u ngatërrua e gjitha duke u munduar të hynte në fytin tim, duke më shkaktuar një përbirje që, gati-gati mendova se e këputa fare. Sakaq kishte ecur pas meje, duke lënë një si aromë. gjurmë të freskët të pranisë së saj për herë të parë në jetën time. Netët vajtuese të shpirtit nga vera e kaluar u harruan në çast, dhe treni i dashurisë kishte vendosur të ndalej edhe një herë në stacionin tim.

Iu hodha pas ta ndiqja. Shpatullat merrnin goditje njëra pas tjetrës teksa mundoheshin të çanin turmën e tërë atyre studentëve që nuk dinin se ku po shkonin me jetën e tyre. I çmenduri do të stepej përpara çmendurisë sime kur i kërkova sallat, me intuitën se rrahjet e zemrës do të ma tregonin udhën, por pa shpresë…

Me ofshamën e këputur në gjoks dhe një rrokullisje të syve nga çmenduria që bëra pak më parë, këmbët morën rrugën për në sallën e bibliotekës së fakultetit. Nga jashtë erdhi një bubullimë që gjëmoi aq shumë, sa m’u ngja se ngjalli themelet e ndërtesës nga betoni i ngrysur në vajtimin e përjetshëm së shtanguri në një vend, për sa kohë bota do ekzistonte. Piklat e shiut i jepnin palltos një lagështi nga ana e jashtme dhe një ngrohtësi të po asaj lagështie nga pjesa e lëkurës së brendshme, që herë m’i fuste dridhmat në fundin e shpinës, herë më rrënqethte një nxehtësi e trupit, sikur luftonte me rrobat. Salla ishte e mbushur plotë. Për çudi, mendova. Me hapa të qetë, aq të qetë sa ç’mund të shkelnin këpucët e mia të zeza me majë, këmbët nisën rrugëtimin e gjatë për të gjetur një vend ku trupi të ulej. Ecnin shumë këmbët e mia. Qielli i ngrysur më kishte spërkatur kudo me piklat e tij të hareshme, dhe fshiva një pjesë të faqes së majtë pasi më gudulisej fytyra nga piklat që kishin vendosur të më ngacmonin duke rrëshqitur ngadalë në faqet e mia. Sytë ndërkaq i kisha mbyllur pasi dhe dorën e kisha të lagur, dhe me të hapur ato një valë elektrike përçoi gjoksin tim, ndoshta ngaqë dora ime e djathtë kishte prekur një kabllo elektrike lidhur me një laptop pranë, ose ndoshta sepse fill mbas ulëses që pashë të lirë ca sy u ngritën vetëtimthi, aq sa t’i vëreja, dhe pastaj u ulën përsëri në librin që kishte përpara. Ishte ajo. Një lot më ra në syrin e majtë, përsëri, ndoshta nga dhimbja e mprehtë në gjoks, apo ndoshta ngaqë deshi t’i bënte shoqëri piklave të shiut në mollaqe. Ku dreqi ta di, isha i shastisur. Me një lakim të stërhollë dhe, çka mua m’u duk elegant, u spërdrodha për t’u ulur qeturazi në karrigen që përmbrapa kishte shoqen e saj që ishte karrigia më me fat në botë që i jepte këmbëve të saj pushim nga çka paramendova ishte një ecje e lodhur e të qenit gjithmonë e bukur në këtë jetë. Me një lëvizje po aq delikate sa spërdredhja ime e të ulurit në karrige rrotullova zinxhirin e çantës sime për njëqindetetëdhjetë shkallë dhe nxora librin që po e lexoja që katër netë e pesë ditë. Edhe libri e ndjeu dridhjen time të brendshme pasi e kishte të vështirë të hapej nga duart e mia të dalura tashmë jashtë kontrollit të arsyes dhe të qepura vetëm pas rrahjeve të shpeshta të zemrës. Isha aq i lumtur.

Një gjëmim tjetër bubullimeje, si në tentativë për të më nxjerrë nga gjendja e shtangur e dashurisë në shikim të parë, më solli në vete. Por nuk ndihmoi dot të ndalte rrahjet e shpeshta të këtij mjeti që tërë jetën kishte qenë në dëshpërim për t’u ringjallur nga përplasja e qerpiqëve të një hije mahnitëse të realitetit dhe magjisë si ajo. Era frynte nga dritarja e hapur mjaftueshëm sa për të të sjellë rreth ajrit të nxehtë të klimës së radiatorëve brenda një freski vjeshte. Sa e xhelozoja atë erë që depërtonte në flokët e saj të prerë me maje nga fundi i flokëve të saj. Sillej rreth tyre dhe bashkohej me aromën e natyrshme dhe rafinuar lehtësisht, të një femre. E ndieja frymën e saj të rënduar që ia lehtësonte gjoksin sa herë që shfrynte jashtë dhe ma ngrohte pjesën e pasme të qafës. Qimet më të vogla të flokëve më rrinin thuajse në gatishmëri ushtrie. Oh Zot, rënkuan brenda dhomat e fshehta të shpirtit im. U bashkova dhe u bëra një me parketin të ndieja gërvishtjen e majave të takave të saj, u frymova njëzëri me erën t’i dëgjoja tingujt e ndërrimit të këmbës mbi këmbë të saj. Me aq kujdes ndërronte pozitën e këmbëve dhe prekte me dorë hera-herë kofshën e saj, sa natyra jashtë mbetej zbehur para tyre. Xhinset e ngjitura për lëkurë të saj, edhe ato kishin rënë në dashuri me të. Duke shtrënguar faqet e librit me gishtërinjtë e dorës të mos ofshoja me zë, u shkriva i tëri.

E shihja nga një pasqyrë që kishte vënë përpara njëra nga studentet e fakultetit të Edukimit që vinte aty sa për të vënë makijazhin. Por sot le të vonohej një përjetësi, koha të ndalonte sakaq, nuk më bënte fare. Thonjtë e saj të trajtuar me një dorë të kujdesshme pedikyri më ngacmonin cepin e buzëve, duke m’i ngrerë sa një anë në tjetrën, që ma jepte një buzëqeshje të paqëllimshme sa herë dëgjoja ato thonjë t’i ndërronin fletët e librit. Sa i lakmoja ato fletë, gërvishtjen që ia falnin ato thonjë atyre fletëve të mbushura me fjalë që duhej të shkruanin vetëm për të, pa ndalur për të, sa t’ishte koha vetë e pranishme. Njërit nga studentëve në bankën përpara i kërceu trupi sakaq, që më bëri të trembej i gjithë lukthi im, sikur frika kishte hyrë ngaqë ajo mund t’i kishte dëgjuar mendimet e mia në njëfarë mënyre. Më kishte rënë çanta në tokë. Shkunda sytë nga verbëria e emocioneve dhe u ktheva në të tashmen për t’u kthyer e për ta kapur çantën kur, me t’u kthyer, sytë kapën vjedhurazi, në atë hapësirën e hedhjeve nga lartë-poshtë për ta parë objektivin që ke synuar ta shohësh, lapsin e saj të njomur, nga ç’hamendësoja ishte gjuha e saj, të valëvitej rreth e rrotull nga kyçi i vogël i dorës së saj dhe, kafshimin e buzës teksa gërvishtte me ato thonjë ndërrimin e fletëve dhe, qerpikët e saj të përplaseshin si një furtunë e përfocuar nga aroma e saj e fortë femre, drejt syve të mi. Oh Zot, mendova. Apo e kisha thënë? Qelizat e trurit tim nuk ishin në gjendje të shpërthenin një shkëndijë të kujtoja në e kisha menduar apo e kisha thënë me zë të lartë. Bebëzat e syve të saj u zgjeruan, në shikim habie dhe, dhe… po shikonin drejt meje. Oh Zot, më ka dëgjuar, mendova. Ç’të bëja? Ç’të bëja?…
*
Kishte një javë që këmbët më kishin nxjerrë pa dëshirën e tyre nga salla e bibliotekës dhe unë i ngujova që të mos ktheheshin aty derimë tani. Nuk e mbaja mend kohën kur dola dhe si arrita deri në shtëpi. Ishte fshirë nga faqja e dheut. Nga ankthi dhe dështimi i çdo përpjekjeje për të sforcuar qoshet e imagjinatës të mos mendonin për të dhe, po vetëm nga filli i një mendimi për të, kisha humbur apetitin sa më dridhej trupi, aq sa mund të jetë nga ushqimi, aq mund të jetë edhe nga uria për t’a nënshtruar lukthin nën aromën e saj magjepsëse. Cigarja s’më futej në gojë. Koha pa të ishte bezdisëse, e dobishme vetëm për të më kujtuar se sa më mungonin sytë e saj kureshtarë, si atë ditë, që ngecën në sytë e mi. Sikur të rrinin edhe pak më gjatë të vështruar ashtu, ofshova. M’u rrënqeth fundi i shpinës kur më ra ndërmend se sot kisha një provim dhe duhej të isha në universitet. Dhe ajo do të ishte aty, me siguri…
*
Gjumi s’kishte vendosur ende në do të rrinte në sytë e mi apo jo, kështu që m’u desh t’i jepja një të shtyrë me një shkundje të svye, thuajse po mos ta bëja trupi do të lëshohej mu në mes të hollit të gjatë e të ngushtë të fakultetit. Kisha vënë kufjet, duke lëshuar një miks të kompozitorëve të njëmijëetetëqindtave për ta mundur shkëndijën brenda që bënte përpjekje titanike të shfaqej në atë hapësirë boshe me njerëz të mbushur, por ajo po bëhej fonogram i jetës sime dhe ngjarjeve që po rridhnin pikërisht në ato momente. Gjersa melodia m’u bë sikur u shpërnda në parketin e sapopastruar me erën e shamponit, në shkallët se pse që të ngjitnin një trishtim për lukthi, në muret e rrethuara anembanë, ajo jehonte vetëm brenda meje, dhe njëkohësisht bota harmonizohej me të, hyra në dyert e hapura të sallave të fakultetit tim, kalova mespërmes dollapeve ngjyrë gri, këmbët morën hapa të mëdhenj për të mospërfillur dyert e fundit dhe u gjenda në sallën më të madhe të katedrës që kishim. Me të hequr kufjen, i mbylla të gjitha meloditë në xhepin tim. U ula në rreshtin e tetë, karrigia e tretë. Ky pozicion më lejonte të përqendrohesha pasi ishte direkt nën vrojtimin e profesorit, ku dhe të tjerët nuk mund të më bezdisnin që t’ia u tregoja përgjigjjet. Derisa kisha vështruar të gjitha këto, testi tashmë m’u shfaq para meje dhe të gjithë kishin filluar të shënonin. Përpos meje. Nxora stilografin e vëllaut nga xhepi i majtë i palltos, pasi kisha harruar të merrja ndonjë laps apo kimik. Nuk e di se si u gjend te xhepi im, por unë nuk di se si shumë gjëra gjenden papritmas në jetën time, kështu që s’ia vara. Me një shfryrje të ajrit nga mushkëritë e mia të zeza, rregullimin e karriges në pozicionin e duhur, shikimin anas-djathtas, nga e djathta vërejta një vajzë që po lexonte gjithë krahun e saj, qesha dhe, nga ana e majtë pashë një shpirt të humbur që priste trenin e fundit të kapte ndonjë përgjigjje për të shpëtuar jetën e vetë, e çova cepin e buzës në tërë anën e djathtë për të shprehur një gjest ah, sidoqoftë dhe, mora të shkruaj emrin tim. Derisa po shkruaja shkronjën e parë të emrit tim, stilografi rrëshqiti i tëri duke ma deformuar shkrimin dhe ndieva një rënkim të mprehtë të muskujve në fund të shpinës. Shikova lart në agoni, dhe të gjithë kishin kthyer kokën nga dera. Me sa duket, si nga një botë tjetër, e atyre jashtë që mbajnë angështinë brenda dhe neve brenda që përçojmë angështinë në sallë, kishte ndodhur një trokitje.

Me pritjen e një mrekullie nga studentët se po vie ndihma në udhë të lirohen qoftë edhe ca pak sekonda nga vështrimi i diktatës, dera u hap dhe u pa një këmbë të hidhej para pjesëve të tjera të trupit, si për të bërë një hyrje që ishte kohëgjatë në merak nga shpirti që i kishte soditur një javë më parë aq me frikë të përzier me adhurim, gërvishti parketin e sallës. Gërvishtja e asaj take arriti të depërtonte jo vetëm në tokën ku shkeltte, por edhe duke filluar nga fundi i mushkërisë anash, e drejt e mu në mes të gjoksit tim, duke më shkaktuar të nxjerr një rënkim aq të heshtur sa nuk e dëgjoi askush. Silueta tashmë kishte mbetur mbrapa figurës së saj, sikur ta dinte vendin e vet dhe se kurrë nuk do të ishte aq e bukur sa për ta zëvendësuar. Qëndroi mu në mes duke marrë një posturë mburoje luftëtareje dhe hodhi vështrimin rreth e rrotull, duke u ndalur, për së fundmi, në syrin tim periferik. Retë në gjoksin tim u shpërndanë nga një e çarë që copëtoi çdo pjesë të tyre. Qerpiku i saj kishte goditur gjoksin tim. Ishte ajo. Oh Zoti im. Ishte ajo. Dhe po vinte drejt meje.
*
Takat e saj ishin tingulli i vetëm që dëgjohej në këtë botë. Gjithçka kishte ndalur. Zogjtë jashtë mbanin frymën dhe bilbilat ndaluan këngën, muret u kacavjerrën të ndienin gërvishtjen e atyre takave dhe ndërtesa u rrënqeth, fletët dërguan shkronjat e shtypura në to t’i himnizonin pavdekësi bukurisë së saj dhe unë isha thuajse i vetmi që po mundohej të mos e shikonte peisazhin që po afrohej edhe më. Flokët e saj çanë erën e nxehtë të sallës dhe gjithçka sikur filloi të ringjallej përsëri. Një goditje nga mbrapa më kthjelli nga shastisja e përjetuar e fantazive të mia më të thella në gërryerjen e mendjes për të shijuar dashurinë.

Mesi i saj goditi karrigen time. Ai bel i hollë që ishte bërë për hapësirën mes karriges time dhe bankës prapa. Mjaftoi vetëm që ai mes të rrëshqiste lehtë në shpinën e pjesës së pasme së karriges për të më tundur edhe më shqisat e dashurisë që kishte shpirti im. Mesi i saj goditi, rrëshqiti në karrigen time dhe copëtoi barrierën e ndjenjave që më ishin mbledhur në gjoks, në mënyrën më të butë që mund të shkëputen copëzat e zemrës. Ishte si një ndarje e epshit për t’u bashkuar me ngashënjimin që shuante zjarrminë e dëshpërimit të të qenit i vetmuar në një botë ku je krijuar për të dashur dhe për t’u dashur. Doja ta mbaja gjoksin me duar, mendova se zemra do të më shkulej nga vendi. Ajo u ul në anën time të majtë. M’u ngatërrua gjithçka dhe nuk më bëhej që t’i jepja drejtime dorës përpos që të mbante dorën e faqes sime që të mos më kthehej koka në drejtim të saj. Nuk mbaj mend gjë tjetër përveçse njëherë, në kushedi çfarë kohe, profesori doli jashtë dhe sytë e mi dezertuan komandën e supremes që ishte mendja dhe e shikuan me ëndje duke pasqyruar dhembshurinë e shpirtit që nuk e kishte në krahë atë. Ajo po përqendrohej jashtë mase në testin përpara. Buzët i varte ashtu në një formë që i jepte sikur e bënte fare pa mundimin e nevojës thelbësore të natyrës së njeriut për të lënë përshtypje, sikur mbante balancin e asaj në do t’ia jepte lumturinë apo trishtimin e përhershëm të zemrës së thyer sytë e secilit mashkull që do të përplasej në ato buzë. Dhe tanimë e dija se fati i ngjarjeve të jetës sime që do të vijojë m’u dha sikur edhe mua, si sytë e çdo mashkulli, do të varej në ato buzë, që do të nxirrnin fjalë që do të nisnin një jetë të re, ose nga ato që do ta shuanin atë.

“Mjaft më, pas provimit të pres jashtë,” – tha ajo prerazi duke u ngritur bashkë me fletën në dorë dhe u largua aq shpejtë sa aroma e saj më turbulloi të tërin në një gjendje magjie.

“Patjetër, sa ta mbaroj pyetjen e fundit,” – pëshpërita mjaftueshëm aq sa ajo të më dëgjonte me një shikim vrastar. Ktheu kokën dhe doli. Dhe vetëm atëherë e vërejta se një zhurmë e shkaktuar nga të gjithë duke shfrytëzuar mungesën e profesorit kishte marrë hatanë në sallë. Vetëm tani e kuptova se po dridhesha i tëri. Nga fytyra fshijta trembën dhe turpin nga mendimi se do të flas me të, mora frymë thellë, dhe me hapa të ngadaltë mora rrugën për te doreza e sallës.

“Djalli e marrtë, të dalë ku të dalë,” – shfryva teksa e dora ndjeu prekjen e dorezës së derës së sallës. Mund ta ndieja shikimin e saj vrastar nga ana tjetër të më priste.
*
Jeta kishte marrë formën e rrjedhave të natyrshme, dera që kishte qëndruar e hapur pasi kisha dalë unë prej saj ishte kapur nga dora e një femre me flokë kaçurrela dhe ishte zhdukur pas saj, studentët po vazhdonin të përziheshin në kahje të ndryshme dhe të përplaseshin bashkë me shpirtrat e tyre në atë korridor që frymonte ftohtësinë e diktaturës së dikurshme, ndërkaq, unë u vendosa si mal përballë syve të saj ngjyrë oqeani dhe mora të flas.
“Unë…”
“Ti çfarë, mendon se ti mund të…”
“Mos më ndërprit,” – ia ktheva prerazi dhe e ngrita vetullën e majtë në shenjë këmbënguljeje. – Kam një javë që kam menduar rrjedhën e kësaj bisede dhe, mendoj, se më detyrohesh një heshtje dhe dëgjim, plot vëmendje dhe pa ndërprerje. Fjala e fundit mezi i kishte shpëtuar fytit tim, pasi po ta thoja edhe një më shumë, do të më shterrohej zëri. Ndërkaq deri në përfundimin e fillimit të asaj çka fillova të flisja, sytë kishin marrë udhën kokë më vete t’a vëzhgonin çdo lëvizje të saj, se si bebëzat e syrit iu zgjeruan dhe nofulla e poshtme u lëshua poshtë me elegancë të hapej me një estetikë për të shprehur një ndjenjë habie kur i thash “mos më ndërprit”, se si vetullat iu ngrysën dhe hunda iu skuq kur dëgjoi se ajo “detyrohej” të më dëgjonte dhe se si krejt në fund, pasi kisha heshtur dhe vazhdoja ta shikoja, gjuri i saj theu pozitën e drejtë të këmbës, krahët iu hapën dhe u tërhoqën përmbas, gjoksi iu hodh përpara në një ballafaqim ledhatimthi krenarisë dhe vetëbesimit tim, ajo, mori një figurë që thërriste femër, gjuhë e trupit që rrënoi gjithë fjalimin tim dhe zbuti vetullën time krenare.

“Po pse duhet të të dëgjokam?”
“Mendoj se nëse një njeri vjen rrotull vërdallë oborrit të tij gjithë natën për rresht gjashtë netë e shtatë ditë, çka mund të bëjë pala që e ka shkaktuar këtë, së paku, është ta dëgjojë.” E ktheva kokën anash në një drejtim të humbur dhe, pas pak, shtova: “patjetër.”
Ajo qeshi.
“Po pse, si mund të kërkosh përgjegjësi nga unë, për diçka që ti e ke krijuar vetë në mendjen tënde, aty ku unë nuk kam kontroll, hë?”
Buza e saj e epërme rrëshqiti në buzën e saj të poshtme, por nuk ishte koha të ndalesha në detaje si kjo, duhet të prezantoja çështjen time, o do të dukesha si torollak.
“Në fakt keni kontroll qysh nga momenti kur ju i vini sytë në një njeri, ia merrni arsyen dhe ia hudhni në humnerë, duke humbur në sytë e tuaj sakaq.”
Djalli e marrtë, nuk duhej ta thosha atë.
“Pse, çfarë paskan sytë e mi?” – u ngrys ajo. – Ato nuk u bëjnë dëm askujt, shikojnë punën e tyre. Jeni ju që shikoni dhe humbni mendjen pas tyre.”
Është e zgjuar kjo vajzë, ku u futa dhe unë, ta hajë…
“Ato sy mund t’iu përkasin juve, zonjushë, por eleganca dhe misteri në to, duhet të studiohen, vëzhgohen, në guxoj të jem avant-gard, adhurohen.” Mbylla sytë të përmbaja veten dhe ta shtypja mllefin duke i sinjalizuar muskujt e qafës përpara të lëviznin në shenjë frike se mos flas diçka tepër. – “Nuk mund të prisni që diçka kaq e bukur të fshihet dhe të shikohen vetëm nga vetja juaj në pasqyrë. Kjo do të ishte egoiste.”
“Pra, ti mendon se vetëm pse sytë e mi qenkan të bukura, ti ke të drejtë zotërimi mbi to?”
Dreq o punë, mendo. Mendo diçka. Shpejtë!!!
“Zotërimi, jo.” – ngrita dorën si të isha një dirigjues orkestre. – “Artdashës, admirues, rob i përjetshëm i admirimit të veçorisë së rrallë që është pasqyra e shpirtit nëpërmjet syve, kujdestar i tyre, ledhatues i trajtimit të kujdesshëm të karakteristikës dalluese nga e zakonshmja, gjithmonë.”

Mendova se e zura ngushtë. Sytë e saj dukeshin si të humbur, po kërkonin një përgjigjje, por që nuk do ta gjenin. Më në fund, ofshova së brendshmi.
“Ore, ku e merr ti këtë guxim?”

U shtanga. Ajo hapi sytë dhe gojën rrumbullake edhe më, dhe tëmthat e saj lëvizën sa nga një anë në tjetrën, për të më dërguar një veprim kurioziteti se çka do të thoja më pas.

“Atë ma dha prania juaj,” – brofa nga kllapia e shkurtë që më kishte zënë dhe, me reagimin kurioz të vetullave të saj, mora zemër të vazhdoja edhe më tutje. – Unë në këtë punë jam i pafajshëm, jam pre e përçimit dehës që frymon shpirti yt. Dhe për këtë, shtova: “NUK KËRKOJ FALJE.”

Ajo kishte mbetur e tronditur sakaq. Ndërsa mua m’u përçua ajo tronditje menjëherë, dhe fillova të ndihesha i sëmurë nga lukthi si ato herët kur kisha ndonjë problem me metabolizmin.
“Hmm,” – ia bëri ajo.
Cepi i buzës sime të djathtë lëvizi për të bërë atë shprehjen e zakonshme që bëja kur nuk dija çfarë të thoja, eh, kështu pra.
“E di, zakonisht meshkujt kur më afrohen më thonë gjëra të parashikuara, nga ato që më bëjnë të vjell së brendshmi.”
Ajo qeshi.
“Epo, unë nuk jam i zakonshëm,” – e thashë me një zbardhje dhëmbësh të madhe që m’u pikturua sikur isha pesë vjeç dhe kisha marrë i pari ndër të gjithë fëmijët e shkollës mollën me sheqer nga njeriu që i shiste ato jashtë tek dera e oborrit të shkollës.
Heshtje.
“A…,” – nisa të thoja dhe heshta. – A mund të të gjej ndonjë ditë në të njëjtën bankë, të njëjtën karrige, të njëjtën kohë, në sallën e bibliotekës, atëherë… kur jemi vetëm ne dhe librat?”
Buzët e mia bënë atë buzëqeshjen e zakonshme kur e dijnë se do ta marrin atë çfarë duan.
Ajo uli kokën. Shfryu një frymëmarrje të ngrohtë që ma preku bluzën time. Ishim afruar aq shumë përballë njëri-tjetrit, sa vetëm tani po e vëreja. E ngriti kokën, m’i nguli sytë thellë dhe, mendova se do të hynte brenda meje me atë shikim.
“Ndoshta,” – tha me një buzëqeshje.

U largua. U ktheva dhe nuk ishte askush. Ktheva kokën edhe një herë vetëm për të parë se ajo e saja ishte duke më pritur të kthehej ajo e imja, sikur e dinte, siç e di hëna çdo fund nate se ka ardhur koha t’ia lirojë vendin agimit, ajo e dinte, se sytë e saj do të më tërhiqnin të kthehesha patjetër. Ma shkeli syrin.
Fund. / KultPlus.com

Të ngjajshme