24 Prill, 2020 - 11:19 pm
Tregim nga Mimozë Bytyçi
Asfalti hirtë shtrihej para teksa vetura çante rrugën ngadalë me shpejtësinë e kufizuar të lejuar brenda qytetit, dritaret tejet të ndotura të veturës e bënin më të frikshme pamjen e kalimtarëve me maska, dizajnet e të cilave dallonin, disa prej tyre ishin të bardha, kishte të kaltërta e të gjelbërta, e imja ishte e zezë e bërë nga një gëzof gome, që lahet-shpëlahet dhe përdoret disa herë.
Veturën e parkova aty diku, në një cep të njohur,… cfarë më kujtonte ajo copëz trotuari…nuk di, nuk e mbajë mend, mbase dhe e di, por përpiqem ta harroj. Si mbesin disa kujtime të njeriut aq të gjalla edhe mbasi rrethanat që i krijuan i përkasin një të shkuare të largët, janë dënimi apo bekimi ynë, nuk mund ta them, por disa prej tyre vazhdojnë të jetojnë me neve duke na çukitur në mendje e shpirt kohë pas kohe, sikur duan të na thonë:”Jemi këtejpari akoma, ishim pjesë e ditëve tua, nuk kemi vdekur, jetojmë për të të përkujtuar ndonjëherë!” Qëllimi ndalesës aty ishte hyrja në dyqan dhe nuk di çfarë blejta me saktësi, por mbajë mend mirë që të gjithë blerësit që ndodheshin brenda në ato momente dhe punonjësit poashtu mbanin maska sepse tanimë po frikësoheshim seriozisht nga COVID-19.
Nga dyqani dola me disa qese, por brenda tyre pjesën më të madhe e përbënin pemët tropikale të sjella mbase nga Afrika e varfër dhe e vuajtur,…imagjinova për ca çaste atë copëz toke ku ishin mbjellur, rritur dhe një dorë zezake teksa po i mblidhte, për t’i ngrënë atje diku një evropiane, e cila dikur si studente derdhte lotë të nxehtë teksa lexonte Fanonin “Të mallkuarit e botës” që shpjegonte padrejtësitë që u ishin bërë indigjenëve afrikanë në tokën e tyre nga njeriu i bardhë. Në qese ndodheshin dhe hurmat e blera për iftarin e parë, në paketimin e tyre shkruante se prejardhjen e kishin nga Lindja e Mesme, pra dhe një copë toke tjetër e vuajtur dhe e përgjakur, një djep civilizimi dhe një histori madhështore, vend ku ende rriten hurmat aq të mira, derisa toka vazhdon të jetë e lagur në gjak nga një luftë që s’ka mbarim.
Tani ato hurma në duar me doreza sterile po i mbaja unë, këtej nga Evropa. Kalimtarët ecnin me nguti, ditët e rrepta të karantinës kanë diktuar stil strikt të të jetuarit, dikush më përshëndeti, nuk arrita ta njihja menjëherë, kishte maskën në fytyrë, por megjithatë i njoha sytë! Ktheva kokën që ta përshëndesja atë kalimtar, era e prillit po më shprishte flokët, në fytyrë e patrazuar qëndronte maska e zezë, nuk e di si dukesha në të vërtetë, por më pëlqen të mendoj që dukesha ngjajshëm me një grua palestineze që kisha parë diku me një pikturë, asaj vetëm sytë mund t’ia shquaje, ndërsa fytyrën dhe flokët ia mbulonte një shami e zezë të cilën era e kishte valëzuar në ecjen e saj të ikjes për dikund…
Nuk e di në i ngjaja, por e di se që të dyjave një gëzof i zi na i mbulonte fytyrat, e imja quhej maskë dhe për qëllim kishte mbrojtjen nga virusi corona, e gruas palestineze quhej hixhab dhe ishte obligim fetar mysliman.
Në mbrëmjen e qetë vetëm zhurma e lavatriçes dëgjohej, brenda saj me rrobat tjera ndodhej dhe maska e zezë, mekanizmi makinës sillej në rreth dhe unë për pak çaste e shikova ngultas deriçkën-dritare të saj, vazhdonte të sillej me saktësinë e vet, ashtu siç sillet toka rreth boshtit të saj, kjo lloj toke që mbanë mbi sipërfaqe ato kombësi dhe territore të ndara e të përvetësuara, për të cilat kisha menduar gjatë pazarit ditor.
Kur zhurma e lavatriçes ndaloi, me qetësinë aspolute të natës erdhi dhe gjumi. Maskat ishin hequr nga fytyrat, njerëzit po flinin, dukej gjë e thjeshtë në dukje kjo mbrojte nga pandemia, mirëpo kishte efekt të sigurt vënia e maskave. Nuk di në isha zgjuar ende apo në ëndërr trajtova çështjen; – posikur të ekzistonin dhe maskat për shpirtrat e zhveshur nga ndërgjegjja, morali dhe dhembshuria!?
A mund të krijohen maska të tilla? A mund të ketë një treg të tillë?!
Po, maska për shpirtrat e zhveshur nga vlerat njerëzore, kjo ishte ideja, kjo ishte dëshira, kjo ishte çështja. / KultPlus.com