22 Maj, 2020 - 8:30 pm
Alber Kamy (Albert Camus) ishte shkrimtari që dashuronte paqen dhe që njëkohësisht, kuptonte dhe pranonte pashmangshmërinë e luftës në periudha të caktuara, si fjala vjen, përballë nazistëve gjermanë. Por në vitin 1956, Kamyja, i cili vetëm një vit më vonë fitoi Nobelin në letërsi, i vendosi vetes një detyrë të pamundshme. Ai kërkoi të vendoste paqe mes dy atdheve të tij, Algjerisë, vendi ku lindi dhe u rrit dhe Francës, shtetit të cilit i përkiste.
Kjo ishte periudha kur shteti francez dhe një forcë rebele e njohur si Fronti Kombëtar për Çlirim të Algjerisë, ishin angazhuar në një betejë në të cilën, të dyja palët përdornin terrorin mbi popullsinë civile reciproke si mjet lufte. FKÇ kërkonte pavarësinë e Algjerisë ndërsa Franca, një fuqi dikur e madhe koloniale që po rrënohej, refuzonte me çdo kusht duke e quajtur Algjerinë France d’outre-mer (Thjeshtë Franca e përtej detit).
Sipas Kamysë, rebelimi i vërtetë mbart tension të lartë. Rebelimi mban fort qendrën morale, duke i bërë rezistencë shtypjes ndërsa paralelisht duke i rezistuar tendencës së vetë rebelit për të shtypur të tjerët.
Dhe ndërsa nacionalistët algjerianë dhe francezët bënin masakra të tmerrshme me vrasje të burrave, grave e fëmijëve siç ishte rasti i popullsisë koloniste franceze në një fshat ku u therën 100 njerëz nga frinjët arabë apo në politikën e “përgjegjësisë kolektive” djekur nga ushtria franceze dhe milicitë që vrisnin gra, burra e fëmijë. Nuk ishin vetëm algjerianët që po vdisnin, mendonte Kamyja, por vetë Algjeria.
Për këtë arsye, në pasdreken e së Dielës, më 22 Janar, pak pas orës 4, një Kamy nervoz u ngrit në podiumin e Cercle du Progrès, (Rrethi i Progresit), një ndërtesë nën pronësinë e myslimanëve në qendër të Algjerit. Lindur dhe rritur në një lagje punëtorësh të Algjerit, Kamyja ishte i ndarë mes dy botëve dramatikisht të ndryshme. Nga njëra anë ishte lidhja njerëzore me njerëzit dhe vendet e Algjerisë franceze; në anën tjetër, ai kishte një angazhim po aq të fortë për idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë të Francës republikane.
Fillimisht një gazetar investigues dhe më pas një shkrimtar dhe eseist karriera e të cilit u kurorëzua me Nobelin, Kamyja luftoi për zgjerimin e këtyre idealeve mes tetë milionë arabëve dhe berberëve që jetonin në sundimin e Francës. Dhe ndryshe nga shumë francezë të tjerë të Algjerisë, Kamyja ishte i tmerruar nga historia e disikriminimit de jure dhe de facto kundër arabëve dhe berberëve. Duke besuar se “Algjeria Franceze” mund të mbetej Franceze dhe njëkohësisht të bëhej demokratike, Kamyja këmbënguli që francezët e algjerisë dhe arabët ishin “të dënuar të jetonin bashkë.”
Por më 1956, frika ishte se në fakt ata ishin të dënuar të vrisnin njëri-tjetrin. Mundësia për gjakderdhje të pafund, ushqyer nga aktet e terrorizmit kundër popullsisë civile, ishte diçka e padurueshme. Algjeria, i tha ai një miku, “më është vënë në grykë.” Me një dozë po njësoj të lartë guximi dhe dëshpërimi, në fund të vitit 1955 Kamyja shkroi një seri opinioneshnë revistën L’Express në të cilat kërkonte një paqe për civilët. Një traktat mes Parisit dhe FKÇ-së dkej e pamundur: dhuna nuk kishte rrugëdalje. Por a mundeshin të dyja palët që së paku të binin dakord të kursenin civilët? Nëse kjo nuk ndodhte, argumentoi ai, “Algjeria shpejt do të jetë një vend ku banojnë vetëm vrasës dhe viktima. Vetëm të vdekurit do të jenë të pafajshëm.” Dhe i vetëdijshëm që kjo ishte tepër e dobët si përpjekje e kryer nga Parisi, Kamyja vendosi të flasë publikisht, me një rrezik të vet personal, në qytetin e tij të lindjes, Algjer.
Algjeria nga ana e saj po priste. Rreth 1,500 vetë u mblodhën për ta dëgjuar, francezë dhe myslimanë, intelektualë dhe tregtarë. Atmosfera ishte e tensionuar ndërsa një turmë kërcënuese kolonistësh francezë kundërshtonte takimin dhe ishte grumbulluar jashtë ndërtesës. Kamyja i tha audiencës se ishte detyra e tij, si francez i Algjerisë dhe si shkrimtar, “të bënte një thirrje të thjeshtë për humanizmin tonë.” Ai bëri thirrje për armëpushim ndaj civilëve.
“Nuk kam ardhur t’ju kërkoj të hiqni dorë nga çfarëdolloj bindjeje që keni,” i tha ai të pranishmëve. Pavarësisht se çfarë situatash historike, ideologjike apo politike ekzistojnë, “asnjë kauzë nuk e justifikon vdekjen e njerëzve të pavarur.”
Ai shtoi se nuk kishte iluzion se zgjidhja e situatës ishte e mundshme për momentin. Por ai i kërkoi pjesëmarrësve në konflikt “të heqin dorë nga ajo që e bën situatën të pafalshme, konkretisht, masakrimin e të pafajshmëve.”
Megjithatë masakrimi i të pafajshmëve vijoi edhe për gjashtë vite të tjera. Edhe ndërsa Kamyja nuk e kishte mbaruar ende fjalën, turma jashtë, e zemëruar nga “tradhëtia” që ai po i bënte Algjerisë Franceze, bëri thirrje për linçimin e tij. Por Kamyja refuzoi përballë këtij rreziku të largohej pa mbaruar çfarë kishte për të thënë. Ai arriti të shpëtojë nga ndihma e miqve.
Në javët që pasuan Kamyja zbuloi se fjalimi i tij nuk i kishte bërë përshtypje asnjërës prej palëve. Ai nuk foli më kurrë për Algjerinë. U desh një dekadë luftë pothuajse e pandërprerë që Franca të arrinte marrëveshje paqeje me Algjerinë. Por telashet nuk mbaruan me marrëveshjen e paqes.
Ekstremistët francezë vijuan të kërkonin luftë e madje tentuan atentate për të vrarë Charles de Gaulle, ai që nënshkroi paqen. Në Algjeri, pala fitimtare imponoi një qeveri me një parti që vijon të sundojë vendin me një nga diktaturat më të egra në planet.
Kamuja kuptonte se dhuna ishte e tjerrur në mënyrë të pandashme në mishin e jetës së përditshme. Megjithëse ai ishte pacifist, e kishte të qartë se dhuna, në çaste kritike kishte rëndësi thelbësore për të ruajtur humanizmin tonë. Ky ishte rasti i Gjermanisë hitleriane dhe arsyeja se pse Kamyja ishte një eksponent i fortë i rezistencës franceze. Në vitin 1943 ai iu drejtua një miku imagjinar gjerman që ishte bashkuar me nazizmin dhe nihilizmin. Në një ese ai shkroi: “ushtrimi i dhunës është më i natyrshëm për ty nga sa mendon. Por kërkohet një përpjekje shumë më e madhe të luftosh ndërkohë që e urren luftën.
Sipas Kamysë, Njeriu i Revoltuar ka për qëllim “t’i shërbejë drejtësisë dhe jo të shtojë padrejtësinë në gjendjen njerëzore dhe të këmbëngulë në përdorimin e gjuhës së thjeshtë në mënyrë që të mos shtojë gënjeshtrat në botë.”
Marrë nga “Shtëpia e librit”. /KultPlus.com