Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret, pse ta dijë bota

19 Korrik, 2021 - 11:00 am

“Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1.Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret. Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3 (…)

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike – ajo, fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar – dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor.

Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur.

E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se iu bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!“

(Pjesez, marre nga “Testamenti i Mitrush Kutelit“)/ KultPlus.com

Të ngjajshme