12 Shtator, 2017 - 5:38 pm
Leon Tolstoi nuk mendonte asnjëherë se ishte i aftë të braktiste një grua. Kur Sofia Andrejevna hyri në jetën e tij, ai e kuptoi se ajo shumë shpejt do të bëhej e pazëvendësueshme. Pasioni i saj për shkrimin bëri që dashuria e tyre të kalonte në dimensione të tjera njerëzore, pa të cilat shkrimtari mendonte se nuk mund të jetonte më. Sofia ishte njeriu që ai i besonte dorëshkrimet, ajo që hidhte në makinën e shkrimit mendimet e tij.Romani voluminoz “Lufta dhe Paqja” u hodh në letër nga ajo.
“Shumë shpesh gjatë jetës sime,kur po kopjoja vendet veçanërisht ato poetike dhe të mrekullueshme në veprat e burrit tim, qaja jo vetëm ngaqë prekesha, por edhe nga kënaqësia artistike që përjetoja bashkë me autorin”, do të shkruante ajo në kujtime. Ajo nuk ishte vetëm gruaja, apo dashnorja por dhe njeriu që mbante ekonominë e familjes, duke i dhënë një siguri shkrimtarit që të vazhdonte të shkruante i qetë.
Pas një martese të suksesshme 48 vjeçare me 18 fëmijë, shkrimtari ndjente se do donte të arratisej qoftë disa orë për tëqene vetëm. Krizat nervore të cilat Sofia nisi të jetonte nisën ta shqetësonin, aq sa dëshira që një mëngjes të zgjohej pa të filloi dhe u bë e zakonshme.
Por Tolstoi nuk pati guximin që një ditë ta mbyllte derën e apartamentit ku jetonte me të dhe të ikte, rrugicë apo apartament tjetër. Këtë vendim shkrimtari do ta merrte vetëm pak kohë para se të ndërronte jetë, duke menduar se “nuk është asnjëherë vonë për të bërë atë që do”. Ishte 82 vjeç, kur një tetor kur shirat sapo kishin filluar mbylli përgjithmonë derën e apartamentit, për të mos u kthyer më kurrë.
Në tryezë do të linte një letër ku i shkruante së shoqes:
“Jam nisur… Nisja ime do të të lëndojë. Me keqardhje, por përpiqu të besosh e të më kuptosh, nuk mund të veproja ndryshe. Situata ime më është bërë e padurueshme, me vetëdijen se sa peshon jeta (midis të pasurve… të mjerëve) e përsëri vazhdoj të jetoj në kushtet kriminale të një luksi të shfrenuar në mes të mizerjes së gjithë atyre që i rrinë përqark.
Bëj vetëm atë që bëjnë pleqtë, mijëra pleq, njerëz pranë vdekjes… (shkojnë më larg se kushtet e gjendjes së tyre shpirtërore ua lejojnë) e po iki. Pothuajse gjithmonë ata shkojnë nëpër manastire, edhe unë do ta bëja, po të besoja në atë çka manastiret besojnë. Duke mos i besuar, po iki thjesht në vetmi… Më është e domosdoshme të jem vetëm. Të lutem të më kuptosh e të besosh se nuk mund të sillem ndryshe.
Gjendja ime në këtë shtëpi është e pa tolerueshme. Të lutem, mos më kërko e mos hajde tek unë, as po e more vesh se ku ndodhem. Lamtumirë (shoqëruesja e 48 viteve të jetës sime…) e unë të falënderoj për 48 vitet e një jete të ndershme të kaluar me mua, për kujdesin ndaj meje e fëmijëve (të lutem pranoje këtë situatë ku të shtyn nisja ime e mos më kujto për keq…). Të lutem, falmi tërë gabimet që kam bërë ndaj teje e unë do të fal të tuat, të lutem pranoje këtë situatë të re, rrjedhë e largimit tim nga shtëpia e mos ki ndjenja të këqija ndaj meje, ashtu siç unë nuk kam për ty. Se do të më nisësh ndonjë lajm, bëje me anë të Sasës (e bija), ajo e di se ku ndodhem e më ka premtuar se nuk do t’i tregojë askujt”.
Më në fund Tolstoi ishte i lirë. Janë pafund letrat e dashurisë që ai shkroi gjatë jetës për të, por ashtu siç shkroi dhe në librat që la pas “një dashuri në jetë asnjëherë nuk mjafton”. Diku ai shprehet se “Në emër të cilës dashuria duhet të veprojë dhe si duhet të veproj? Cilën dashuri duhet të sakrifikoj për tjetrën?”.