26 Maj, 2023 - 4:50 pm
“Kurrë nuk e dashurojmë dikë konkretisht. Dashurojmë veç idenë që kemi formësuar vetvetiu për dikë.
Ky është thjesht një koncept i yni vetjak, domethënë që përmbledhtas, pikërisht vetveten, ne dashurojmë.
Kjo gjë vërtetohet në çdo lloj dashurie.
Në dashurinë seksuale, synojmë kënaqësinë vetjake, që mundësohet përmes një trupi të huaj.
Kurse në dashurinë jo seksuale, synojmë kënaqësinë tonë vetjake, të mundësuar nga idetë tona gjithsesi.
Marrëdhëniet midis një shpirti dhe një shpirti tjetër, që mishërohen përmes disa gjërave tejet të brishta dhe kundërthënëse si fjalët e rëndomta dhe gjestet që ne bëjmë, janë diçka fort e koklavitur.
Në vetë thelbin e aktit të njohjes, jemi çnjohur mirëfilli.
Thonë dy të dashuruarit “Të dua”, dhe gjithçka e thonë dhe e mendojnë në formë të këmbyeshme, teksa secili synon të thotë diçka të ndryshme, një jetë mbase të ndryshme, ndoshta edhe një ngjyrë dhe një aromë të ndryshme, sipas përmbledhjes abstrakte të përshtypjeve që përbëjnë botën shpirtërore”.
Fernando Pessoa – “Livro do Desassossego”. / KultPlus.com