24 Prill, 2023 - 11:00 pm
Konfuci, filozofi, mësuesi dhe figura më e famshme e Kinës, është një nga mendimtarët më me ndikim në historinë njerëzore. Pavarësisht se u përball me shumë sfida dhe pengesa gjatë jetës, trashëgimia e tij si filozof dhe mësues mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë dhe kulturës njerëzore.
Lindi në vitin 551 Para Krishtit nga Kong He, një komandant ushtarak 60-vjeçar dhe Yan Zhengzai, një 17-vjeçare nga një familje fisnike vendase. Gruaja e parë e Kong kishte lindur 9 vajza, ndaj gjenerali u martua me një grua më të re me shpresën se do të kishte një trashëgimtar mashkull.
Ai shkoi në shtëpinë e njërit prej fqinjëve, që kishte disa vajza adoleshente. Por asnjë nga vajzat nuk donte të martohej me një plak. Në fund, babai i tyre zgjodhi Yan Zhengzai. Menjëherë pas dasmës, çifti u drejtua drejt një mali të shenjtë me shpresën se një vend i tillë i shenjtë do të ndihmonte në ngjizjen e një djali të shëndetshëm. Funksionoi.
Legjenda thotë se kur ishte shtatzënë, Yan u vizitua nga një qilin, një qenie mitike me kokën e një dragoi, trupin e një dreri dhe i veshur së jashtmi me luspat e një gjarpri. Qilin i tregoi asaj një pllakë që parashikonte se djali i saj do të bëhej një burrë i madh dhe i urtë i njohur. Dhe kështu ndodhi.
Besohet se emri i vërtet i Konfucit ishte Kǒng Qiū (Zi). Zi kishte të bënte me prejardhjen e tij familjare. Por nga buron emri Konfuci? Është një latinizim i titullit të tij Kong Fuzi (Mjeshtër i Madh Kong). Ai u bë i njohur nga misionarët jezuitë që vizituan më vonë Kinën.
Konfuci nisi të jepte mësim në vitin 527 para Krishtit në moshën 24 vjeçare. Ai deklaroi si synim kryesor ndryshimet në qeverinë e korruptuar dhe të paligjshme nën të cilën jetoi, duke e mësuar brezin e ardhshëm. Për të, detyra kryesore e një mësuesi ishte t’i formonte studentët e tij si njerëz me një moral të lartë.
Konfuci lindi në një familje të shtresës së mesme. Ai nuk mund të përballonte një jetë luksoze apo arsimim të lartë, por ndërkohë ishte shumë më lart se sa të tjerët që bënin punë fizike. Shumica e njerëzve të shtresës së tij u bënë ose zyrtarë të gjykatës ose punonin si studiues dhe mësues.
Por duke qenë se i ati vdiq kur ai ishte vetëm 3-vjeç, ai u rrit nga nëna e tij, e cila ishte e ve dhe kishte shumë pak para. Praandaj në fillim pati një edukim modest. U martua me gruan e tij, Qiguan, kur ishte 19 vjeç dhe pati një djalë dhe dy vajza. Dhe për të mbajtur familjen e tij, u angazhua në një mori punësh të rëndomta si llogaritar, punëtor, bari lopësh dhe nëpunës.
Këto punë do të formësonin këndvështrimin e tij për jetën dhe mësimet. Pasi nisi karrierën si mësues, shkolla e Konfucit u zgjerua me shpejtësi duke tërhequr deri në 3000 studentë. Pikërisht përmes shkollës së tij nisi të ndërtohej edhe reputacioni i tij si një filozof i mençur dhe i talentuar.
Një nga studentët e tij, Tsekung Te Zeng, shkroi mësimet e mësuesit të tij në librin “Analektet”. Besohet se Konfuci shkroi shumë libra gjatë jetës së tij, por “Analektet” është i vetmi libër i lidhur drejtpërdrejt me të. Është një koleksion i rëndësishëm i mësimeve të tij, të shkruara fillimisht në kinezishten klasike.
Teksti ndoshta më i famshëm brenda librit është “Tre Bindjet”, që mëson se si të rinjtë duhet t’u nënshtrohen prindërve, eprorëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Ky leksion përfaqëson mësimin e përgjithshëm të konfucianizmit se qeniet njerëzore mund të bëjnë vetëm më të mirën e tyre dhe nuk mund të ndryshojnë me forcë botën apo fatet e tyre. Si e tillë është detyra jonë të bëjmë më të mirën dhe t’ia lëmë Zotit pjesën tjetër.
“Analektet” ka qenë një nga librat më të lexuar në Kinë për mijëra vjet. Sot ai quhet zakonisht si “Bibla kineze”. Gjatë mbretërimit të dinastisë Zhou të Kinës së Lashtë (1122 deri në 256 Para Krishtit), çdo njeri i shtresës së tij duhej të ishte mjeshtër i “liù yì”, pra i gjashtë arteve. Këto arte ishin gjuajtja me hark, matematika, muzika, kaligrafia, karroca dhe ritualet. Konfuci ishte mjeshtër i të gjashtëve dhe i integroi ato në filozofinë e tij.
Si një figurë dhe filozof shumë i respektuar, Konfucit i janë atribuar një mori karakteristikash pozitive. Por ai lidhet më së shumti me dy, “humanizmin” dhe “moderimin” e tij. Në mendjen e Konfucit, humanizmi ishte një tipar universal që duhet ta kishte çdo person.
Përkufizimi i tij mbi humanizmin përfshinte virtytet e ndershmërisë, dhembshurisë dhe mirësjelljes, dhe ai mësoi se ecuria e njeriut në jetë varej nga ajo se sa shumë do t`i përqafonte këto vlera. Tipari i dytë për të cilin ai njihej ishte moderimi.
Një pjesë kryesore e filozofisë së tij ishte moderimi në të gjitha gjërat. Gjithçka duhet të jetë e ekuilibruar, as shumë as pak. Kjo nënkuptonte balancimin e emocioneve dhe veprimeve dhe vetëpërmbajtjen nga sjelljet e tepruara. Nga ana tjetër shumë nga mësimet e Konfucit e vënë theksin tek rëndësia e familjes.
Ai thoshte se vetëm brenda familjes mund të përkufizohet dhe zhvillohet plotësisht një njeri. Kjo ide pasqyronte kryesisht fiksimin e tij me traditat e vjetra dhe atë që ai e shihte si prishje morale në Kinën bashkëkohore. Detyrimet dhe marrëdhëniet familjare ishin kyçe për filozofinë e tij.
Për Konfuciun, ishte detyrë e burrit të donte dhe të çmonte gruan e tij dhe në këmbim, ishte detyra e saj t’i bindej burrit. Po kështu, është detyrë e fëmijëve t’u binden dhe respektojnë prindërit e tyre, si dhe detyrë e anëtarëve më të vegjël të çdo familjeje të respektojnë të moshuarit.
Konfuci besonte se një prishje e këtyre vlerave tradicionale do të çonte në ndryshime më të mëdha shoqërore, dhe gjendja e jetës familjare kishte pasoja për jetën publike. Si e tillë një shtëpi që ishte në rregull të mirë prodhonte një shoqëri të rregullt dhe në harmoni.
Kjo çoi në traditën e vizitave familjare gjatë Vitit të Ri Kinez duke u frymëzuar nga mësimet e Konfucit. Çdo vit kinezët udhëtojnë për të qenë me të dashurit e tyre gjatë Vitit të Ri Hënor dhe për të reflektuar mbi rrënjët e tyre, dhe mezi presin ta kalojnë vitin e ardhshëm si familje.
Koha gjatë së cilës jetoi Konfuci u karakterizua nga trazirat politike. Shteti i tij i lindjes, Lu, drejtohej nga Lordi Ding. Nën të vinin 3 familje aristokrate, Ji, Shu dhe Meng, dhe anëtarët e këtyre familjeve mbanin të gjithë postet më të rëndësishme burokratike dhe politike. Politika ishte shumë konkurruese me njerëzit që bënin gjithçka për të pasur sukses dhe për të promovuar veten.
Kjo çoi në një mungesë morali në sistem në përgjithësi, gjë që shkaktoi një korrupsion të madh dhe probleme të panumërta. Rreth vitit 500 para Krishtit, kur ishte 50-vjeç, reputacioni i Konfucit kishte arritur një nivel të tillë, saqë ai u ftua t’i bashkohej politikës për t’i dhënë fund korrupsionit.
Ai e nisi karrierën e tij politike si një magjistrat, më pas si ndihmës ministër, përpara se të ngrihej në titullin e lartë të Ministrit të Brendshëm në shtetin e Lu. Në këtë pozicion, ai vendosi rregulla të reja radikale që synonin t’i jepnin fund korrupsionit dhe nepotizmit të shfrenuar.
Fatkeqësisht, ata u injoruan. Jo shumë kohë pasi kishte hyrë në politikë, Konfuci u largua, duke shkuar në një mërgim të vetë-imponuar 13-14-vjeçar. Për këtë veprim jepen shpjegime të ndryshme. Por dy më të besueshme janë se ai ose ndjeu nevojën për t’i përhapur më tej mësimet personalisht, ose se u zhgënjye shpejt me politikën pasi nuk arriti të çrrënjoste mësimet e tij mbi dekadencën morale të qeverisë dhe korrupsionin e shfrenuar.
Konfuci u rikthye në shtetin e tij të lindjes në moshën 68-vjeçare. Ai i kaloi vitet e fundit te jetës duke u përpjekur të shpëtonte shtëpinë e tij, duke këshilluar zyrtarët e qeverisë, duke vazhduar të mësonte dishepujt e tij dhe duke punuar mbi tekste të ndryshme që ai shpresonte se do të përhapnin mësimet e tij. Ndikimi i tij në Kinën moderne dhe filozofinë globale në tërësi ishte dhe mbetet ende shumë i madh.
Marrë me shkurtime nga ancient origins – bota.al/KultPlus.com