13 Tetor, 2019 - 11:59 am
Mehmed Ali Pasha ‘lindi në një fshat të rrethit të Korçës në Shqipëri në vitin 1769. Ende kur ishte fëmijë, babai i tij, për shkaqe të ndryshme e lëshoi vendlindjen dhe së bashku me familjen u shpërngul për në Kavallë. Mehmed Aliu u rrit aty. Merrej me tregti të duhanit gjatë kësaj kohe. Veç kësaj, ai posedonte edhe talent ushtarak dhe luftarak që ishte një talent dhe karakter natyror i tij.
Në kohën kur regjistrohej dhe tubohej në ushtri për ta shpëtuar Egjiptin nga një gjendje kaotike që e kishte përfshirë pas pushtimit të Francës, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, mblodhi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve shqiptarë dhe ia mësyu asaj ane. Pat hyrë në koalicion me Hasan Pashën nga Pojana që ishte komandant i ushtarëve shqiptarë të Egjiptit.
Në disa luftëra që ndodhën, e sidomos në luftën e Ebu Kirit, tregoi një trimëri të jashtëzakonshme me ç’rast fitoi nder, respekt, dhe simpati të madhe. Në mosmarrëveshjet që u paraqitën në mes Husrev Pashës, i cili ishte vali i Egjiptit me ushtrinë shqiptare dhe memalikët e Egjiptit, ky (Mehmed Ali Pasha) pati fituar një vend të rëndësishëm, ashtu që gradualisht u bë udhëheqës i ushtrisë shqiptare që gjendej në Egjipt.
Këtë fuqi filloi ta përdorte ashtu si dëshironte. Husrev Pasha, duke mos mundur të fitojë në këtë mosmarrëveshje (zënkë), u dobësua. Kur udhëheqja e Egjiptit ishte në një gjendje të çrregulluar dhe me shumë ngatërresa, Mehmed Aliu e mori ushtrinë në dorë, kurse Husrev Pashën e detyroi të tërhiqet nga punët kryesore.
Pasi mori në dorë udhëheqjen e vendit dhe pasi me lehtësi ktheu qetësinë e plotë në vend, cilësia e tij u paraqit te Porta e Lartë. Për kthyerjen dhe vendosjen e rregullit, disiplinës dhe qetësisë në vendet e Egjiptit, Porta e Lartë nuk mundi të gjejë rrugë dhe zgjidhje më të mirë se të emërojë Mehmed Aliun vali të Egjiptit.
Kështu, kur Mehmed Aliu në vitin 1800 u emërua zyrtarisht vezir i vilajetit të Egjiptit, pikësëpari në rivendosjen e besimit dhe të qetësisë e kuptoi se është e domosdoshme t’i qetësojë memalikët që u thonin jeniçerë të Egjiptit. Pasi pati sukses në këtë çështje, si hap të parë mori iniciativën që në të gjitha territoret islame të konsolidojë ushtrinë.
Kështu nga njëra anë, me fuqinë që e arriti si dhe me ndihmën e fëmijëve të tij Ibrahim Pashës dhe Ismail Pashës, i zgjeroi territoret nga ana jugore e Egjiptit, në drejtim të Nubes dhe Sudanit, e nga ana tjetër, përmes shkollave që i themeloi për shkencat ushtarake dhe mjekësore si dhe përmes asociacioneve të përkthimeve u botuan dhe u përhapën njohuri të reja.
Njerëzit e aftë dhe dijetarët me njohuri shkencore dhe industriale që i mori nga Evropa, i dhanë mund të jashtëzakonshëm në zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë, gjë që për një kohë shumë të shkurtër e gjallëroi Luginën e Nilit dhe vendet më të pazhvilluara të Egjiptit dhe shtoi mbjelljen e llojllojshme të prodhimeve bujqësore: oriz, pambuk, panxharsheqer dhe njëkohësisht hapi shumë fabrika. Disa mija njerëz i rritën të ardhurat e tyre në një shkallë që nuk do të mund të shpresohej, pagat e të cilëve deri në atë kohë nuk do të mjaftonin vetëm për të paguar ushtarët dhe eprorët e tyre.
Kështu, shtetin e Egjiptit e solli në gjendjen e një shteti të madh me tokë të punueshme, pjellore. Në atë kohë vehabitët ishin shtrirë në shumë vende të Gadishullit arabik. Meqë prej tyre ishin rrezikuar edhe vendet e Hixhazit, pas urdhrit që e mori nga Porta e Lartë, e drejtoi ushtrinë nga ato anë, ku pastaj vetë u kthye, por aty si zëvendës e la djalin e vet Ibrahimin, i cili, duke u përpjekur gjashtë vjet rresht, e theu forcën dhe e shkatërroi organizatën e tyre, mirëpo, gjithnjë frigohej nga ata. Edhe në revolucionin e Greqisë, Ibrahim Pashën e dërgoi me ushtrinë egjiptiane në More. Aty u detyrua të qëndrojë tre vjet me qëllim që të kthejë qetësinë dhe të shuajë kryengritjen. Me rastin e një havarie iu pat djegur flota.
Pas këtyre rezultateve, nga ana e shtetit iu dha të qeverisë edhe Siujdhesën e Kretës. Më në fund Porta e Lartë ia vërtetoi dhe ia pranoi të qenët trashëgimtar në gjeneratën (dinastinë) e vilajetit të Egjiptit të Mehmed Ali Pashës.
Duke filluar nga ajo kohë ishte i angazhuar t’i udhëheqë mirë të gjitha vendet e Egjiptit dhe ato që i pushtoi në drejtim të Sudanit. Pat sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e vendit. Në vitin 1264/1847 u sëmur rëndë, kurse autorizimi për vali, me ferman iu drejtua djalit të tij, Ibrahim Pashës. Pas një sëmundje të rëndë dyvjeçare, më 1849 vdiq në Aleksandri.
Mehmed Aliu ishte një njeri shumë i mençur; mund të konsiderohej njeri i pashkollë, sepse edhe atë pak shkollë që e kishte, e kishte bërë pas moshës 45-vjeçare.
Ai e çmonte civilizimin e ri dhe përparimin. Pasi e mori fuqinë në duart e veta, për një kohë shumë të shkurtër i nxori në shesh gjërat e dobishme dhe jo të dobishme, dhe kështu ia doli që një shteti, në mënyrë të pashembullt, deri atëherë, t’ia sjellë civilizimin dhe përparimin./konica.al/KultPlus.com