3 Korrik, 2019 - 11:59 am
Franc Kafka u lind në Pragë më 3 korrik 1883. Ai ishte nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike. Rridhte nga një familje relativisht e kamur. Një penë e jashtëzakonshme dhe një personalitet, gjithashtu i jashtëzakonshëm. Njëri me një zemër që mund të trokiste vetëm në kraharorin e një shenjtori, siç ishte ai. U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajti përgjithmonë. Ai, Franc Kafka, shteri pak e nga pak, shtërzeu e hoqi prej orës në çdo ditë, u drithërua e flakëriu, driti e u përpëlit në syt e shpirtit dhe dëshirimit të drobitur, si një qiri që soset pikëllueshëm nën ëndjet e kapluara prej terri të atyre dëshirimeve që s’mundën të ishin veç vuajtje dhe trishtim.
Marrëdhëniet e tij intime dhe tekstshkruese ishin të ndërlikuara, të garrametshme, dashuroi dhe shkroi, jetoi dhe kontribuoi me zemër dhe mendime, si ai e pakkush tjetër në mënyrën e tij. Krijimtaria; tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi. Shumicën e dorëshkrimeve i dogji, pjesën që mbeti e la me amanet të kishte të njëjtin fat, por jo çdo amanet meritonte të respektohej, si dhe ky. Si shumë personazhe të artit avangard, edhe për krijimtarinë e Kafkës do të zgjohej interes dhe do të korrte famë pas vdekjes. Ai u cilësua si një nga autorët më me ndikim, apo Dante i shekullit të njëzetë. Franc Kafka fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë. Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbyes.
Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti e gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë .
Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjynte majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjësimin e dorëshkrimeve.
Franc Kafka është një nga shembujt emblematik i njerzinit, që hetoi mbi vehten, zbuloi vlerat dhe u cfilit me ndërgjegje për të materializuar ato në artin e krijimtarinë e tij. Ndërsa vepra e tij është një shembull brilant se çdo qenie njerzore, o rastësisht o domosdoshmërisht i jepet rasti e mundësia për tu bërë një fillim. Linda e tij, ardhja e tij në jetë duhet konsideruar si një ftesë që bashkë me konstitucionin e tij fizik të sjellë diçka të re. /KultPlus.com