Ky është tradhtari më i madh i shqiptarëve

13 Tetor, 2019 - 11:00 am

Ballaban Badera, i njohur edhe si Ballaban Pasha ka qënë një komandant shqiptar i Perandorisë Osmane.

Një i rekrutuar në ushtrinë osmane nga Martaneshi, arriti të bëhej Pasha.

Sipas veprave osmane, Ballaban Badera ka qënë i pari i cili u ngjit në muret e Konstandinopojës dhe ishte i dobishëm për pushtimin osman në Ballkan.

Ballaban Pasha është një nga figurat qendrore në 4 vitet e fundit të jetës së Skënderbeut.

Sipas Fan Nolit, Ballabani ishte shqiptar nga Martaneshi i rritur në Turqi.

Ai e njihte mirë terrenin shqiptar dhe në shumë aspekte kishte aftësitë e Skënderbeut në luftime, ndaj u bë rivali i tij më problematik ushtarak.

Që në fillimet e dërgimit të Ballabanit si gjeneral kundër Skënderbeut nga Sulltan Mehmet, Ballaban Pasha për pak e zuri rob Skënderbeun.

Skënderbeu humbi katër prej pesë shoqëruesve të tij, ndërkohë që vetë, sipas Nolit dhe disa historianëve, shpëtoi falë një kërcimi të jashtëzakonshëm të kalit të tij, që mundi ta nxirrte nga terreni i thyer ku ishte rrethuar.

Edhe në përplasjen e dytë me Ballabanin, njerëzit e Skënderbeut u dëmtuan rëndë. Hakmarrja e Skënderbeut ishte e gjatë.

Në verën e vitit 1467, Skënderbeu shpartalloi një ushtri të Jonuzit, vëllait të Ballabanit dhe e zuri rob këtë dhe të birin, Hajdarin.

Në betejën që pasoi, vetë Ballaban Pasha, i zënë ngushtë në një sulm mes ushtrisë së Skënderbeut dhe garnizonit të Tanush Topisë rrotull Krujës, u plagos për vdekje dhe vdiq më pas në shatoren e tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme