Lasgush Poradeci, poeti-gjeni që mbante në xhep një pilulë cianuri nga frika se do arrestohet nga komunistët

23 Nëntor, 2019 - 3:58 pm

Lasgush Poradeci, i cili shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shqiptrin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”

Lasgush Poradeci e pati kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30, të shekullit të shkuar, duke firmosur poezi nga ato që shkruhen vetëm njëherë.

Poezitë e tij “Vdekja e Nositit”, “Poradeci” apo “Trashëgimi” e ndonjë tjetër, për nga vlerat e mesazhi, i kapërcejnë lehtësisht kufijtë e Shqipërisë duke u renditur në nivele dinjitoze të letërsisë më të mirë Europiane apo qoftë Botërore.

Por Lasgush Poradeci shkroi poezi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më tej u tërhoq. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri kishte sjellë një klimë krejtësisht të papërshtatshme për poetin e madh.

Lasgush Poradeci, edhe pse shumëkush, nisur nga gjimnazistët që studjonin poezinë e tij, e dinin të vdekur, jetoi deri në vitin 1987, duke u përballur me jetën e vështirë dhe sidomos me çuditë e letërsisë së realizimit socialist, të cilat nuk linte asnjë rast pa i qesëndisur.

Por në jetën e tij kishte edhe një tjetër anë të medaljes.

Lasgush Poradeci, thellë në qënien e vet jetonte me një frikë e ankth i pazakontë.

Duke e lëvizur veten në drejtim të kundërt të rrymës, duke fshikulluar lart e poshtë çuditë e regjimit komunist, duke parë se si të njohur e miq përfundonin burgjeve nën akuzën e agjitacion – propagandës, duket edhe atë kishte nisur ta mundonte frika, një situatë së cilës ai i ishte përgjigjur me një zgjidhje eventuale dramatike.

Vaso Samsuri, një nga miqtë e tij të ngushtë rrëfen sesi poeti i madh mbante me vete një pilulë cianuri që ta përdorte për çdo rast për të helmuar veten, nëse policia politike e kohës do e arrestonte… /abc/ KultPlus.com

Të ngjajshme