29 Korrik, 2017 - 10:34 am
Ky fragment është botuar në veprën e Lasgush Poradecit, Vep III “Shqipja, ditar, korespondence”, ndërsa e ka shpërndarë ne Facebook vajza e Lasgush Poradecit, Marie Poradeci, shkruan KultPlus.
Më 1937, me rastin e Kremtimeve të 25-vjetorit të pavarësisë, ishte bërë (në shkollën e vizatimit) ekspozita e skulpturës dhe e dokumentave të Rilindjes. Vinin shqiptarë dhe të huaj për t’a vizituar. Komisioni pregatitës i kremtimeve (në të cilin bënja pjesë edhe unë) kishte ftuar dhe albanologun e famshëm, profesor Norbert Jokl-in. Një ditë shpinim (me Eqerem Çabej-në) profesor Jokl-in në shkollën e vizatimit, për t’a udhëhequr Joklin nëpër ekspozitë. Shkolla ishte me dy kate. Në parter ishin ekspozuar skulpturat e konkursit ndërkombëtar (për skulpturën e Gjergj Kastriotit), në katin e dytë dokumentat e Lirisë shqiptare (libra, gazeta, fotografira robe, dokumenta). Sapo hymë ne të tre (Jokl-i, Çabej dhe unë) në sallën e hyrjes së shkollës dhe ishim dyke u ngjitur në katin e dytë (sepse dokumentat i interesonin Jokl-it), mua më ndalë vajzat e Institutit “Nëna Mbretëreshë” të Tiranës. Profesor Jonus Blakçori kishte sjellë në ekspozitë klasën e VII dhe të VIII të nxënëseve të Institutit, me gjith kujdestaren zonjushën Ella Dishnica. Kur hyra unë në sallën e hyrjes, ato ishin në një sallon majtas, disa prej tyre më panë dhe më njojtnë dhe përnjëheresh u vërsulë drejt meje bashkë me shumë shoqe të tyre. Më panë sepse dyert e salloneve të parterit ishin të hapura. Disa thirrë; “Lasgushi!”, të tjerat vazhduan: “Lasgush! Lasgush!” Dhe gjith dyke thirrur u vërsulë në atë sekondë drejt nesh (Jokl, Çabej, dhe unë) më rrethuan mua me një kuxim shumë të math. Pa dashur u ndava prej Jokl-it dhe Çabeut, dhe i thashë Jokl-it të më ndjejë, Eqrem Çabeu do t’a udhëheqë më mirë se unë, sepse unë – ja se ku gjindem “in dieser peinlichen Lage”** me vashat, siç i thashë gjermanisht (Jokli fliste dhe shqip, po ne flisnim gjithnjë gjermanisht. Kur u prit prej mbretit Zog I në pallat bashkë me filoshiptarët dhe shkencëtarët e shqipes të huaj të tjerë, Jokl-i na tha që foli me Zogun shqip, kurse ata të tjerët flisnin në gjuhë të huaj). Vajzat pra si më ndanë ashtu prej Jokl-it, m’u lutnë me përkëdhelje dhe këmbëngulje t’i-u shpjegoj bustet dhe shtatoret e Gjergj Kastriotit të ekspozuara prej artistëve të huaj, hymë prapë në sallonin prej ku kishin rendur dhe zumë të fjalosemi mi art e poezi. Skulpturat e huaja i-a-u shpjegova në kuptim të keq për artistët e huaj, sepse ata nuk e kishin interpretuar Gjergj Kastriotin në kuptimin shqiptar, në frymën e një Luftëtari shqiptar zotëronjës, dyke shprehur traditën e rrallë shqiptare rreth Gjergj Kastriotit, d.m.th. dyke i dhënë madhësinë dhe madhështinë që e karakterizon. Artistët e huaj vërtetonin me veprat e tyre se nuk e njihnin ndjenjën shqiptare dhe as natyrën e fatosit që përfytyronin. Në vënd që Gjergj Kastrioti të kishte pamjen e një Fatosi zotëronjës të Fatit të atdheut të vet dhe zotërimtar të rezikut armik, ishte, nër të gjithë (dyke përjashtuar një ballkanik) një tip indiferent (siç ishte indiferent shpirti i artistit të huaj ndaj trimërive, fitimeve, vojtjeve dhe shpresave shqiptare). Kjo mizerje interpretimi dukej jo vetëm në atitudën e përgjithëshme por dhe në gjestet, në shprehjet, në veshjet por dhe në çdo element tjetër interpretimi. Njëri e kish bërë Gjergj Kastriotin si një mumí egjyptiane (të ngurosur), tjetri si një qiri të drejtë (me rasë priftërije), tjetri si një dervish (me gojë të hapur dhe mustaqe rodhe-rodhe), tjetri si një lodërtar (si karagjos me syçka të vogla dhe qesharake), tjetri si një evgjit (me një qeleshe konike dhe mikroskopike mi kokë dhe një trastë të varrur me spango në anën e mëngjër të trupit), dhe kështu të gjithë skulptorët e huaj kishin bërë një karikaturë në vënd të një heroj dhe të një sundonjësi të fatit të një Kombi kundrejt më të madhit armik rezikonjës të botës së asaj kohe. Ay artisti balkanik e kishte interpretuar shumë mirë gjestin e një kreshniku (Gjergj Kastrioti më kalë dyke i rënë me shpatë armikut përposh), po ky gjest, me gjith që absolutisht pa të sharë si gjest, ishte interpretimi i forcës fizike individuale të një njeriu të zoti në shpatë dhe në luftë, po nuk ishte interpretimi i fuqisë shpirtërore të një populli të tërë të përfaqësuar në mprojtësin vigan të fatit të vet (Gjergj Kastriotin). Interpretimi duhej të shprente fuqinë e gjith një Kombi, potencialin e rezistencës kolektive (të përmbledhur në një individ), po jo forcën edhe zotësinë e një individi (pa lidhje me popullin shprehje historike e të cilit është një individ, siç është rasti me Gjergj Kastriotin). Që ky artist – shumë i zoti si artist – paraqitte një individ shpatar dhe jo një personalitet përfaqësimtar të një Kombi të tërë, dukej dhe prej mustaqeve të Gjergj Kastriotit, të cilat as nuk i kishte studjuar ç’trajtë kishin patur (prej pikturave ekzistonjëse): ay mustaqet i-a kishte bërë Gjergj Kastriotit si presh, me qime të drejta dhe të forta, dhe përveç kësaj të prera (të gjitha qimet) përmi buzën e sipërme, dyke lënë që të duket gjithë buza e sipërme, e cila nga shkaku i mustaqeve kësisoj të prera, dukej si buzë arapi – jipte dhe përshtypjen se ish buzë e trashe po dhe e zezë. Nuk e shaj këtë artist – një artist, si artist, me tërë kuptimin e fjalës po ay kish një të metë koncepsioni në interpretimin e Gjergj Kastriotit: ay kishte punuar nga ideja e paraqitjes së fortë të një fatosi individual, dhe jo nga ajo e simbolizimit të vullnetit heroik të një populli përmjet Fatosit të vet kombëtar: (kishte sakrifikuar kombësinë për hir të individit). Përgjithërisht interpretimet e huaja mi Gjergj Kastriotin ishin të dobëta – sepse një i huaj është shumë vështirë të interpretojë shpirtin e një kombi tjetër. Kjo ishte ideja ime në gjirin e Komisonit, kur u mblodh Komisioni për të shpallur një konkurs për bërjen e një shtatoreje të Gjergj Kastriotit. Unë thesha t’a shpallin konkursin midis artistëve shqiptarë, me një anë për prestigjin kombëtar dyke patur më mes të sheshit të Tiranës një shtatore të bërë prej një artisti shqiptar, dhe më tjetër anë se vetëm një shqiptar mund t’a interpretonte Fatosin Kombëtar brënda frymës kombëtare shqiptare. Unë desha kështu, po shumica deshin konkurs të huajsh – dhe kësisoj artistët e huaj e qesharakëzuan Gjergj Kastriotin me shëmtitë artistike dhe psikollogjike, që kishin sjellë në Ekspozitë. Në këtë kuptim, me këtë koncepcion i-a-u shpjegova vashave të Institutit ekspozitën nëpër të trija sallonet e parterit. Pastaj vajtmë prapë në sallonin e parë, që ku kishin rendur drejt meje kur më shkëputnë prej Jokl-it. Aty qëndrova i rrethuar prej shumë vajzave, midis të cilave ishin disa që bënin vjersha. Sepse më thanë disa vasha të tjera që “kjo, e kjo, e kjo, bëjnë vjersha”. Një nër to ish dhe Nafije Mema*…1)
** = in dieser peinlichen Lage” = Në këtë gjendje të dhimbshme.
* = Nafije Mema = Gruaja e Lasgushit
Lasgush Poradeci
1) Ky fragment është botuar: Lasgush Poradeci, Vep III “Shqipja, ditar, korespondence”. / KultPlus.com