7 Shtator, 2020 - 3:25 pm
Çmimi Nobel për Letërsi mbetet kulmi i suksesit për shkrimtarët. Përderisa shumica shpërblehen me këtë çmim në një moshë të shtyer, Rudyard Kipling mbetet laureati më i ri, i cili në moshën 41 vjeçare e rrëmbeu atë, shkruan KultPlus.
Kipling në vitin 1907 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi me librin e tij ‘The Jungle Book’.
Ai ka lindur më 30 dhjetor 1865, në Mumbai të Indisë dhe vdiq më 18 janar 1936 në Londër të Anglisë.
Shkrimtari, poeti dhe romancieri anglez i tregimeve të shkurtra kryesisht kujtohet për festimin e tij të imperializmit britanik, përrallat dhe poezitë e tij për ushtarët britanikë në Indi dhe përrallat e tij për fëmijë.
Poezia e tij më e njohur është ’’IF” ose “Në mundësh”.
KultPlus ua sjell këtë poezi me përkthim nga Robert Shvarc:
Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im! / KultPlus.com