16 Maj, 2020 - 3:36 pm
Nga: Nerimane Kamberi
Ai: – A e ndale shporetin?
Ajo : – Nuk e pata lëshuar.
Ai : – Të thash me lëshu !
Ajo: – Paskam harru.
Ai: – Po e shoh avullin që po del nga gjygymi!
Dhe ai fjejti. Dhe ajo shfrytëzoj atë qetësi për t’u marr pak me veten. Bëri një maskë për fytyrë me një ve të katundit, me të verdhën, dhe ca pika vaj ulliri. Lëshoj një muzikë, me zë të ultë, por megjithatë e shijonte. Asnjë zhurmë nuk vinte nga rruga, …
Përnjëhere ai u zgjua, u ngrit nga kanapeja furishëm, rrëzoi telefonin nga tavolina, hyri në banjo ku ajo ishte duke e larë fytyrën me ujë të vakët për ta hequr shtresën e bardhë nga fytyra, ishte forcuar si argjilë, dhe e kapi për flokë:
“A kaq shumë këqyrësh ti në pasqyre, lavire,…” dhe shuplaka e parë fluturoi, e zhurma e saj goditi pllakat e qeramikës dhe u kthye në veshët e saj. Ai e tërhoqi kah vetja dhe me një forcë të paparë ia ktheu kokën kah ai, ia afroi fytyrën te fytyra e vet. Goja e tij kundërmonte një erë rakije të keqe e përzier me hudhër (i hante se i kishin thënë se e mbrojnë prej sëmundjes!), “e për kend po i ndreq këto flokë, lavire, unë tash t’i ndreqi !” dhe shuplaka e dytë fluturoi.
“Do t’i prej, por të gjitha dyqanet e frizereve janë mbyllur, as te motra nuk mundem të shkoj se ajo m’i kish pre…” lutej ajo, por burri s’e dëgjonte, e kapi për fyti që të mos mund të lëviz. I ulur mbi vaskë, e kapi makinën elektrike të rrojës, dhe pasi e detyrojë gruan të gjunjëzohej para tij, filloi t’ia heqë flokët, t’a qethë, me inat, ajo kafshonte dorën që të mos bërtasë, edhe pse nuk mundte as të marrë frymë, e lëre më të lëshojë një zë më të fortë.
Ajo dridhej ende, e lëmonte kryetë duke dënesur. S’guxonte të shkojë te pasqyra, edhe pse ishte vetë, as te pasqyra e banjos, një pasqyre me kornizë plastike, që e kishin blerë prej më të lirave, “çka duhet më të mirë? , as te ajo te hyrja e banesës, që ishte e ngjitur te ormani ku shtinin mantilat kur ktheheshin prej punës, “duhet me heqë prej këtu, po të them! as te ajo e dhomës së gjumit, një pasqyre e madhe, tepër e madhe për atë sipërfaqe, në formë ovale . “Do ta thyej një ditë, me një grusht…”.
I shkoi mendja një herë të kërcej prej ballkoni, nga kati i pestë, por mendoi “I kam vetëm 26 vjet,…”
Televizori kishte mbetur i ndezur, në kanalin e televizionit publik fillonte ora mësimore “tani do të fillojmë me orën e biologjisë, virusi ka marrë këtë emër sepe ka formën e kurorës,….
Pasi ishte qetësuar pak, ishte ulur para pasqyrës, dhe e shikonte vetën. Hapi fijokën dhe nxori kurorën e martesës, e vuri mbi kry.
“…e në latinisht, gjuhë e mjekësisë, kurorës, i thojnë corona….” vazhdonte arsimtarja shpjegimin e saj. Zilja e kthjelli, ngadalë shkoi te dera, e hapi, dy policë me dorëza dhe maska i thanë: “Burri i juaj është arrestuar, ka rrahur për vdekje një kojshi.” “Rri në shpi, i thash, nuk e ke orën me dalë.” u përgjigj ajo. I përshëndeti dy zotërinjtë dhe mbylli derën, dhe duke kaluar para pasqyrës në korridor, kthej krytë, dhe pa që kishte pasë harruar ta heqë kurorën. /KultPlus.com