10 Korrik, 2019 - 8:58 am
Bashkë me të përditshmen e mbrëmjes, Le monde-s të së mërkurës i është bashkëngjitur edhe një suplement i vecantë letrar që i këshillon lexuesve 100 romanet më të mirë që kritikët e kësaj gazete kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946.
« Në një botë ku alghoritmet duan të bëjnë ligjin ne po bëjmë zgjedhjen e subjektives », shkruan editoriali i këtij suplementi. Dhe kjo zgjedhje ka emra të mëdhenj të këtij shekulli, Kazanzaqis, Aragon, Jursenar, Graham Green, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Salman Rushdi etj.
Mes këtij suplementi radhitet edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Prej tij është përzgjedhur romani « Gjenerali i ushtrisë së vdekur » dhe ai është prezantuar me kritikën që Alen Boske i ka bërë në Le Monde në vitin 1970, 6 vite pas botimit. « Ajo që godet menjëherë është ironia fine e autorit, gjenerali i tij italian nuk është një karikaturë. Ai ka virtutet e tij, një nga të cilat është besimi gjysmak në misionin e vet, dhe të meta si përshembull indiferenca ndaj gjithckaje” shkruan Boske.
Natyrisht të përzgjedhësh vetëm disa shkrimtarë në mes më të mëdhenjve të globit është një punë e vështirë, prandaj Le monde e lexuar nga Lapsi.al, shkruan: “Lista jonë është fryt i debatave të forta, diskutimeve të zjarrta, sherrosjeve gjithashtu, na u desh të bëjmë zgjidhje të dhimbshme, të presi të përzgjedhim mes autorëve edhe me riskun e padrejtësisë”. Por në fund edhe “Gjenerali…” i Ismail Kadaresë gjendet mes kësaj plejade elitare./ Lapsi.al / KultPlus.com