Legjendat dhe të vërtetat për Skënderbeun

13 Nëntor, 2021 - 1:45 pm

Mund të ketë mendime të ndryshme për vetitë luftarake të shqiptarëve të kohëve të fundit; kam parasysh brezat e sotëm dhe ata që ishin menjëherë para tyre. Personalisht nuk dëshiroj të shpreh asnjë mendim për këtë çështje.

Është e sigurt se  ikja e vazhdueshme e krahut të punës gjatë pesë shekujve e ka mpakur në njëfarë mase kombin. Të rinjtë më të mirë e më të fuqishëm i rekrutonte Turqia për t’i dërguar në luftëra të largëta dhe mbaj mend në fëmijërinë time se si një regjiment shqiptarësh, që u nis për të mposhtur një kryengritje në Arabi, u kthye vetëm me një grusht njerëzish. Mund të jetë një teprim të thuhet se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të atyre, që ishin aq të dobët, sa nuk dërgoheshin në luftë, por sidoqoftë do të pritej një ulje e vitalitetit si pasojë e rekrutimeve për pesëqind vjet.

Megjithatë, pak vite më parë, në kohën e Luftës Greko-Turke të vitit 1897, gjenerali prusian fon Grumbkov e ka shprehur botërisht adhurimin e tij kur pa një trupë shqiptarësh në Thesali, që po i ngjiteshin një kodre përballë një zjarri kositës  dhe po kapnin një bateri të armikut. Korrespondenti i gazetës së Londrës “Times” në këtë luftë, Kliv Bingam, ka shënuar se “shqiptarët në tërësi e përgënjeshtruan famën e tyre”, por edhe ai dëshmon për një betejë ku, siç shkruan ai, “disa herë rresht shqiptarët vërshuan teposhtë shpatit dhe u përpoqën ta kapërcenin shkëmbin, por zjarri që u derdhej nga sipër ishte vdekjeprurës, kurse bateritë prapa tyre patën pak efekt mbi faqet e shkëmbit e të gurit”.

Sidoqoftë, ka një mendim të njëzëshëm lidhur me vetitë luftarake të shqiptarëve për brezat më të largët. Do të ishte e tepërt ta rrëfeje këtë dhe ka material aq të pasur, sa mund të mbushësh një vëllim të trashë. Unë do ta kufizoj veten vetëm me nja dy shembuj nga më domethënësit.

Në një raport dërguar Senatit të Venedikut më 1576, Andrea Justiniani thotë se në një forcë prej treqind e pesëdhjetë ushtarësh, që përbënin garnizonin e Korfuzit, kishte një togë prej dhjetë shqiptarësh, të cilët “ishin më të mirë se gjithë italianët e tjerë”. Neve na duhet ta pranojmë këtë vlerësim të hapur italian për vlerën luftarake të shqiptarëve, që i bie të jetë të paktën tridhjetë e katër herë më e lartë se e italianëve. Venedikasit kanë qenë çmues të ftohtë të njerëzve e të sendeve: ata nuk do ta kishin ndërtuar dot një perandori, nëse nuk do të kishin pasur një gjykim të saktë e të pagabuar për vlerat aktuale. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë ende nuk ishin shpikur makinat për të plotësuar mungesën e trimërisë njerëzore. Raimondo Montekukoli (Montecuccoli), një gjeneralisim i shkëlqyer i Perandorisë së Shenjtë Romake, që fitoi betejën e madhe të Shën Gotardit kundër turqve më 1664, pohon në kujtimet e veta të luftës.

“Se në çfarë rreziku ishim për ta humbur betejën, bëhej fare e dukshme vetëm nga rrëmuja dhe arratisja e një pjese të ushtrisë sonë dhe nga lufta e guximshme e jeniçerëve dhe e shqiptarëve, të cilët, edhe pse mbetën më të paktë në numër, asnjëherë nuk kërkuan mëshirë ose t’u falej jeta, ndërsa beteja për një kohë të gjatë ngjisnin me baticat dhe zbaticat e dallgëve të detit, që shtyheshin përpara e tërhiqeshin pas”.

Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë që kërkonin fatin e tyre duke u quajtur me emra të ndryshëm (kapeletë, stratiotë dhe estratiotë, kowali, morienë, xhenetarë), kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perëndorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk përvidheshin kurrë nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve. Francezët zemëroheshin me seriozitetin e këtyre ushtarëve, të cilët luftonin për punëdhënësit e tyre me gjithë shpirt, sikur po luftonin për çështjen e tyre. Kur u dorëzua qyteti i Novarës në vitin 1500, francezët bënë një përjashtim për shqiptarët dhe nuk u dhanë dëshmi mbrojtjeje, sepse, siç thotë Zhan d’Oton, “ata kishin ardhur nga një vend i largët me zemër të lehtë për të luftuar kundër francezëve si tepër shpesh”. Megjithatë, më pas, me sa duket, francezët e kuptuan se këta shqiptarë nuk kishin ndonjë inat të veçantë kundër tyre, por thjesht luftonin siç e quanin se i detyronte nderi i tyre. Më 1503 francezët, nga ana e vet, i morën shqiptarët në shërbimin e tyre dhe shpejt në ushtrinë e Luigjit XII pati një trupë prej një mijë e dyqind shqiptarësh, të cilët treguan trimëri të rrallë, aq sa ata u bënë një pjesë e veçantë e ushtrive franceze për pothuaj një shekull, ndërsa mbretërit e Francës e bënë si rregull që gjithmonë të kishin ndonjë fisnik në krye të këtyre trupave speciale. Ndër të tjera, komandanti i tyre i përgjithshëm për një kohë ishte Duka dë Brisak (Brissac). Në betejën e Kutrës (1587) shqiptarët u vranë pothuaj të gjithë. Beteja e Ivrit (1590) ka parë praninë e fundit të trupave shqiptare në ushtritë franceze. Brantomi shkruan se shqiptarët kanë qenë krijuesit e kalorësisë së lehtë; autorë të tjerë ushtarakë shkruajnë se nuk janë të një mendimi me opinionin e Brantomit, por besojnë se shqiptarët, me metodën e tyre të luftimit, kanë dhënë idenë e krijimit të kavalerisë së lehtë. Kronika e Zhan d’Otonit, të cilën e përmendëm, përshkruan me disa hollësi metodën e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Me shenjën e kryekomandantit të ushtrisë, ata e nisnin betejën duke hyrë

me galop në mes të rreshtave të armikut, mbanin ushta të gjata me flamurthe në majë, jepnin një goditje dhe krijonin pështjellim; pas kësaj tërhiqeshin një çikë, i riformonin rreshtat e veta dhe sulmonin përsëri, atëherë hynte në veprim pjesa tjetër e ushtrisë. Të rreptë e të pamëshirshëm në betejë, këta shqiptarë, duke i ndenjur besnikë kodit të tyre të nderit, pasi mbaronte përleshja, kurrë nuk e harronin rregullën që “Koka e falur nuk pritet”. Në një raport me datën 27 qershor të vitit 1510 dërguar Luigjit XII, mbretit të Francës, nga Seneshali i Madh i Normandisë, i cili ka qenë një ndër gjeneralët që komanduan ushtritë e tij në Itali, ka një krahasim të mprehtë ndërmjet etikës luftarake të sllavëve dhe të shqiptarëve: “Sllavët, – shkruan Seneshali i Madh, – janë të egër në luftë, sepse ata vrasin kë të mundin dhe kurrë nuk zënë robër dhe prandaj me ta e bëmë kokë për kokë”. Kurse lidhur me shqiptarët, Seneshali i Madh vijon: “ata kanë treguar një sjellje krejt të ndryshme dhe i kanë trajtuar me mëshirë ata që kanë kapur, prandaj edhe ne i kemi trajtuar me të njëjtën mënyrë”. Ky borxh nderi që ia paguan kalorësisë shqiptare një gjeneral i shquar i Francës monarkike mund të shumëfishohej lehtë nga mjaft dëshmi të tjera të paanshme. Por nganjëherë trimëria e shqiptarëve ka vepruar kundër tyre, sepse ka ngjallur smirë të fortë e të qëndrueshme. “Shpirti sipërmarrës i shqiptarëve, – thotë koloneli Lik, – gjallëria e tyre, qëndrueshmëria dhe epërsia në gjithçka që lidhet me luftën, i bën ata që t’ua kenë zili dhe t’i urrejnë’, madje edhe ndërmjet turqve, për të mirën e të cilëve janë vënë në shërbim shpesh ato cilësi. Gjithashtu dhe në det shqiptarët, duke shërbyer si oficerë detarë të marinës turke, si kapitenë privatë

anijesh të përdorura në luftë dhe si piratë, kanë treguar një veprimtari sypatrembur. Njëherë e një kohë emri shqiptar përdorej për të gjithë piratët në Mesdheun Lindor dhe Servantesi na tregon se rrëmbyesi dhe pronari i tij në Algjer ishte një pirat shqiptar me emrin Arnaut Mami, që do të thotë Mami Shqiptari. Në prill të vitit 1770 kapitenët shqiptarë nga Ulqini shpartalluan një flotë ruse nën komandën e Aleks Orlovit pranë Navarinos. Me rënien e fuqisë detare osmane dhe me heqjen e pranimit të kapitenëve privatë nga fusha e përdorimit ndërkombëtar në kohë lufte, u erdhi fundi edhe veprimtarive të shqiptarëve në det. Por është një fakt i mirënjohur roli i madh që kanë luajtur kapitenët privatë shqiptarë në Luftën e Greqisë për Pavarësi dhe, deri një brez më parë, elementi shqiptar në flotën greke ka qenë aq mbizotërues, saqë gjuha shqipe detyrimisht përdorej në anijet luftarake si më e parapëlqyera se greqishtja. Asnjë rrëfim për vetitë luftarake të shqiptarëve nuk do të ishte i plotë pa përmendur Skënderbeun, heroin mesjetar të Shqipërisë, i cili për afër një çerek shekulli i mundi turqit e hatashëm nën udhëheqjen e dy sulltanëve të fuqishëm dhe vetë kurrë nuk u thye. Në Shqipëri ai është bërë legjendar për pesë shekuj dhe gjithashtu e kanë quajtur me të drejtë “kampion i rishterimit”, titull ky që ia kanë dhënë papët e Romës, sepse ishte veprimtaria e tij për t’u bërë një ledh, që ndihmoi të shpëtonte Evropa e krishterë nga pushtimi turk, një katastrofë kjo që do të kishte qenë shkatërrimtare për botën e qytetëruar. Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar. Diku në veprën e tij të vëllimshme Volteri ka guxuar të shprehet se sikur ta kishte mbrojtur

Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Autori anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”, e rendit Skënderbeun me shtatë mbretër të pakurorëzuar të Evropës: “… bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishterimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta iu bënë ledh për aq shumë vjet gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë veta për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë si numër mbi njëqind mijë”. Vetë Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë një herë: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.

***

Sipas legjendës Skënderbeu, siç njihet me këtë emër turk Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe, siç na thotë peshkopi Noli, por pa e besuar plotësisht, “e mori peng Muradi II në moshën nëntë vjeç. Kjo do të ketë ndodhur më 1412, meqë Skënderbeu kishte lindur më 1403″. Më pas peshkopi Noli shton duke e shpjeguar: “Por më 1412 në Turqi sundonte Mehmeti I dhe jo Muradi II, që erdhi në fron nëntë vjet më vonë, më 1421″.

Po ta ndjekim më tej legjendën, Skënderbeu u edukua në shkollat më të mira të Perandorisë Osmane, ku ai shfaqi një talent ushtarak të shquar dhe në mënyrë paradoksale, u bë njeriu më i dashur për Portën e Lartë. Ishte ky djalosh nëntëvjeçar, që tridhjetë e një vjet më vonë u kthye në Shqipëri dhe i mundi turqit për afër njëzet e pesë vjet deri sa vdiq më 1468. Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur për një djalosh nëntëvjeçar, të rritur në luks, të trajtuar si hero dhe që i dhanë një titull princëror, t’i hidhte mënjanë këto gjëra tridhjetë e një vjet më pas dhe të kthehej për të shpëtuar vendlindjen nga bamirësit e tij? Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtë e të përshtatshme, derisa të mos kemi më shumë fakte konkrete, që mund të jenë diku, ndoshta në Bibliotekën e Vatikanit. Peshkopi Noli e hedh fjalën, por nuk e shpjegon plotësisht këtë mister. Megjithatë ai beson me të fortë se Skënderbeu e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës nga viti 1412 deri më 1443 ose në Shqipëri, ose në kufijtë pranë Shqipërisë. Po të jetë e drejtë kjo teori, atëherë do të kemi çelësin për dashurinë dhe përkushtimin e Skënderbeut ndaj vendlindjes. Po të pranohej se Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë shoqërie gjeti ai kur u kthye në Shqipëri? Peshkopi Noli mendon, por nuk e përpunon më tej, se shtresat shoqërore shqiptare mund të kenë qenë atëherë këto: fshatarët e lirë në viset malore, një lloj sistemi feudal në tokat fushore pjellore dhe “qytete të lulëzuara” gjatë bregdetit. Sipas peshkopit Noli, ka pasur disa “aristokratë të vegjël, ose më mirë prijës patriarkalë të malësorëve”. Por shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”. Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”. Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli. Me gjithë fitoret e panumërta, Skënderbeu gjatë gjithë kohës ka pasur telashet e veta me kuislingë. Herë pas here krerë të tij e tradhtonin dhe bashkoheshin me armikun. Disa këmbëngulnin për “bisedime për paqe”, siç na thotë peshkopi Noli, por “Skënderbeu as nuk donte të dëgjonte për to. Megjithatë shpesh shumica mbizotëronte”. Paqja u arrit më 27 prill 1463, pikërisht pesë vjet para se ai të vdiste. Por më 27 nëntor të po atij viti ai e rifilloi luftën kundër turqve, që vazhdoi deri në vdekjen e tij. Disa nga veprimet luftarake më të mëdha të Skënderbeut lidhen me përpjekjet e turqve për të pushtuar Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të marrë Krujën u bë më 1450 nga Murati II, i cili pësoi disfatë pas një lufte epike prej pesë muajsh. Duke përshkruar madhështinë e rrethimit të Krujës, autori amerikan Agnes Replajer në një artikull me titullin “Skënderbeu”, botuar në “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan: “Vetë përmasat në të cilat qe planifikuar pushtimi i Krujës, tregojnë se sa i thellë qe zemërimi i sulltanit dhe sa ngulmues qëllimi i tij. U mblodhën njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese marshoi drejt Krujës, i mbuloi gjithë fushat përreth, përpara portave masive të kështjellës vendosi topat, që atëherë ishin një risi imponuese për punët e luftës, dhe i kërkoi garnizonit të dorëzohej. Ata morën një përgjigje sfiduese dhe osmanët

sulmuan muret, por u zmbrapsën me një tërbim aq të madh, sa mbi tetë mijë jeniçerë ranë në luftim, ndërsa Skënderbeu fluturonte si shqiponjë mbi shkëmbinj, priti sa beteja të arrinte kulmin dhe atëherë u lëshua teposhtë mbi armikun e hutuar, i çau llogoret e tij, i vuri zjarrin fushimit dhe gjithçka para tij e shkatërroi dhe i vrau e i preu”. Përpjekjen e fundit për ta marrë Krujën e bëri në korrik 1467 Mehmeti II, i biri dhe trashëgimtari i Muratit, pikërisht më pak se një vit para se vdekja ta hiqte heroin nga skena e betejës. Për këtë sulm peshkopi Noli thotë se Mehmeti “e la ushtrinë e tij të madhe të lirë dhe shkatërroi me zjarr e hekur çdo cep të Shqipërisë ku mundi të shkelë”. Por shpejt ai “e kuptoi se çmimi për repartet që binin në kurthe dhe i shfaroste Skënderbeu, ishte shumë i lartë” dhe … “u kthye në Stamboll i poshtëruar e i mundur”.

***

Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit. Në kohën e tij Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar, për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave. Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend të gjithë princave në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një duzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do t’ia arrinte dot. Herë pas here disa prej tyre u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort si në mengene. Por mengeja u prish sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet.

*Marrë me shkurtime nga libri “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera) i Faik Konicës. / KultPlus.com

Të ngjajshme