22 Korrik, 2024 - 12:57 pm
Bernard Çobaj
Në fund mund të përmbledhim se vepra e Kunderës është e ndërtuar në tre nivele që u trajtuan në këto shkrime: në sipërfaqe, është kryesisht një histori dashurie. Një histori universale.
“Por një ngjarje a nuk është përkundrazi edhe më e rëndësishme edhe më me kuptim, kur varet nga një numër i madh i rastësive?
Vetëm rastësia mund të na duket si kumt. Ajo çka ndodh si domosdoshmëri, ajo çka pritet dhe përsëritet çdo ditë, s‘është, veçse diçka memece. Vetëm rastësia flet. Atë rrekemi ta lexojmë sikundër arixhinjtë lexojnë në fundin e filxhanit figurat që formon llumi i kafesë.”
Dimensioni i dytë që ka romani është dimensioni (gjeo)politik. Është një libër për komunizmin dhe këtu Kundera reflekton përsëri mbi përvojën e tij. Në vepër rrëfimtari (narratori) i shpjegon hollësisht të gjitha veset e komunizmit se libri i drejtohet intelektualëve në Perëndim dhe nuk lë asnjë aspekt të përvojës së të jetuarit në komunizëm pa e zbërthyer plotësisht. Në sfondin e historisë së dashurisë, krijohet një lloj fjalori shpjegues i plotë komunizmit. Në fund të vjetëve të 80-ta vepra shërbente si një hyrje për të kuptuar natyrën e komunizmit në veprim.
“Në vendet komuniste, vlerësimi dhe kontrolli i qytetarëve janë veprimtari shoqërore themelore dhe të vazhdueshme”.
Ndërsa dimensioni i tretë që ka libri, është dimensioni tipik postmodernist – një roman i cili diskuton procesin e shkrimit të romanit dhe që sulmon kitsch-in.
“Në mbretërinë e kitsch-it totalitar, përgjigjet jepen paraprakisht dhe përjashtojnë çdo pyetje të re. Nga kjo rrjedh se kundërshtari i vërtetë i kitsch-it totalitar është njeriu që bën pyetje. Pyetja është si thika që çjerr telajon e pikturuar të dekorit, që të mund të shohë se ç’fshihet pas.”
Këto tri dimensione mundësojnë një lexim të larmishëm të romanit. E pritshme është që pjesa më e madhe e lexuesve të magjepset nga historia e dashurisë, me prozën poetike joshëse të Kunderës. Në këtë rrafsh, po ashtu, siç e kemi përmend te shkrimi i parë, aspektet individuale janë të ndërlidhura. Tereza gjatë tërë librit mban romanin “Ana Karenina”. Përmes këtij libri në romanin e Kunderës hyn një roman tjetër, i cili krijon marrëdhënie të thella dhe të pasura ndërtekstuale. Ana Karenina është ndërtuar mbi historitë e dy çifteve: nga njëra anë, Levin dhe Kiti si çifti perfekt, ideal dhe kundërtia e tyre Ana dhe Vronski.
Këtë skemë e përdor Kundera, por në të njëjtën kohë i shndërron dinamikat e raporteve në lëvizje rrethore deri në atë pikë sa është e pamundur të dallosh në atë roman personazhet e tij pozitivë dhe negativë. Personazhet janë të gjitha pozitive dhe negative. Personazhet na paraqiten, më tepër, si të ekspozuar ndaj situatave të caktuara ekzistenciale. Kundera i vendos ata në situata që të mund të vëzhgojë veprimet dhe të menduarit e tyre.
Përmendëm në fillim raportin me Kafkën. Po i kthehemi përsëri. Në një farë mënyre, ne mund ta shohim këtë vepër si të kundërtën e Metamorfozës së Kafkës. Një histori ku kemi një ndryshim fizik shumë të shpejtë. Gregory Samsa bëhet një insekt i neveritshëm. Ky transformim fizik pasohet nga një transformim psikologjik shumë gradual mendor. Transformimi fizik nuk ndodh te vepra e Kunderës. Aty ndryshojnë rrethanat. Në gjysmë të rrugës së romanit ndodh pushtimi sovjetik. Heronjtë papritmas e gjejnë veten në një kontekst shoqëror krejtësisht të ndryshëm. Te ato vjen deri te transformimi i psikikës, transformimi rrënjësor i personazheve.
Në vitin 1988, romani u ekranizua në filmin me të njëjtin titull, në regji të Filip Kaufman. Rolin e Tomasit e ka Daniel Day Lewis, Teresen e luan Juliette Binoche kurse Sabinen e luan Lena Olin. Kundera punoi në skenar, por në fund shfaqi pakënaqësi me filmin.
“Dhe mbase ka një planet tjetër ku secili do të lindte për të tretën herë bashkë me përvojën e dy jetëve të jetuara tashmë.
Dhe ndoshta ka plot planetë të tjerë, ku njerëzimi do të rilindte duke u ngritur gjithsaherë me një grade (me një jetë) në shkallën e pjekurisë.
Kështu e kupton Tomasi kthimin e përjetshëm.
Ndërsa ne, këtu në Tokë (në planetin numër një, në planetin pa përvojë), sigurisht mund të krijojmë vetëm një ide shumë të vagëlluar se ç do të bëhej me njeriun në planetët e tjera. A do të ishte ai më i mençur? A mund ta arrijë pjekurinë? A mund ta arrijë përmes përsëritjes?
Vetëm nga këndvështrimi i kësaj utopie marrin kuptim nocionet e pesimizmit dhe optimizmit optimist është ai që mendon se historia njerëzore do të jetë më pak e përgjakshme në planetin numër pesë. Pesimist është ai që nuk e beson këtë.”
Fund./ KultPlus.com