17 Korrik, 2024 - 2:42 pm
Bernard Çobaj
Me sa duket, ekziston në tru një zonë krejt specifike që mund të quhet kujtesa poetike dhe që regjistron atë çka na magjeps, na mallëngjen, i jep bukuri jetës sonë. Dashuria fillon me një metaforë. E thënë ndryshe dashuria fillon në çastin kur një grua regjistron fjalën e saj të parë në kujtesën tonë poetike.
Titulli enigmatik, tërheqës i romanit shpjegohet me çelësin interpretativë të tezes të Niçes mbi kthimin e përhershëm, me vërejtje se kjo tezë e trajtuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë (fjalëpërfjalë), do nënkuptonte ripërsëritjen e jetëve tona dhe konform asaj do na zhveshte nga rethana lehtësusese e përkohësisë.
“Në botën e kthimit të përjetshëm, çdo gjest mban peshën e një përgjegjësie të papërballueshme. Kjo e bënte Niçen ta quante idenë e kthimit të përjetshëm barren më të rëndë (das schwerste Gewicht).
Nëse kthimi i përjetshëm është barra më e rëndë, jetët tona, në këtë sfond, mund të shfaqen në krejt lehtësinë e tyre të mrekullueshme”.
Një qëndrim i tillë që duket se shpjegon titullin e romanit, vazhdon me pyetjen, si koment ndaj filozofisë të Parmenidit ku lehtësia është pozitive dhe rëndesa negative:
“Por a është vërtet e tmerrshme rëndesa dhe e mrekullueshme lehtësia?“
Vazhdon me lavdërimin e rëndesës dhe thënien se nuk mund të thuhet se lehtësia është pozitive kurse rëndesa negative, apo e kundërta.
Vetëm një gjë është e sigurt, kundërtia i rëndë-i-lehtë është më e mistershmja dhe më e paqarta e kundërtive. Nëse i kuptojmë këto konsiderata të paktën si një lloj udhëzimi për interpretim, romani në tërësi nuk është në të vërtetë as trajtim i rëndesës dhe as lehtësisë së jetës, por është tërësisht i ndërtuar mbi antiteza.
Te romani “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgakovit, motivi i dënimit të Jezusit që Pilati nuk mund ta korrigjojë më, megjithëse është i bindur se ishte gabim, kthehet përsëri këtu, por tani në ndjenjën se paradoksi është i hapur, se ai është vazhdimisht i pranishëm në jetën e përditshme dhe se as letërsia dhe as jeta nuk mund ta zgjidhin atë nyjen gordiane të problematikës ekzistenciale.
Heronjtë e Kunderës mbeten në dyshim: kundërvënia midis lehtësisë dhe rëndesës, përgjegjësisë dhe papërgjegjshmërisë, mbetet e hapur.
“Njeriu nuk mund të dijë kurrë çfarë duhet të dojë, sepse ai ka vetëm një jetë dhe atë nuk mund as ta krahasojë me jetët e mëparshme as ta ndreqë në jetët e mëpasshme. Është më mirë të jetë me Terezën apo të rrijë vetëm?
Nuk ka asnjë mënyrë që ta provojë se cili është vendimi i duhur, ngaqë nuk ekziston asnjë krahasim. Gjithçka jetohet menjëherë për herë të parë dhe pa parapërgatitje. Si një aktor që hyn në skenë pa bërë kurrë një provë. Po ç vlerë mund të ketë jeta, nëse prova e parë e jetës është jeta vetë?
Prandaj jeta i ngjan gjithmonë një skice. Por edhe skicë nuk është tamam fjala e duhur, sepse skica është gjithmonë dora e parë e diçkaje, përgatitja e një tabloje, ndërsa skica e jetës sonë është një skicë e asgjëse, bocet pa tablo. Tomasi përsërit me vete proverbin gjerman Einmal ist keinmal një herë nuk quhet, një herë është si asnjëherë. Të jetosh vetëm një jetë, është njësoj si të mos jetosh fare”.
Sabina është mishërim i lehtësisë së padurueshme të qenies dhe titulli i librit disa herë përdoret në vepër si referencë ndaj saj. Raportet e saja që nga fëmijëria nuk kanë ankorim dhe lidhja e saj me Tomasin, pastaj Francin, nuk ka thellësin e duhur – përkujton në artin socrealist që e urrente. Sikur autori Milan Kundera në jetën e tij reale, as ajo nuk kthehet në vendlindje më pas ikjes.
Tomasi, Tereza dhe Franci testojnë kufijt e konteksteve të ndryshme jetësore të lehtësisë dhe rëndesës me theks te rëndesa – vetëm ato gjëra që kanë peshë, sjellin vlerë në jetë.
“A mund të lihet shporta që mban një fëmijë, ta marrin ujërat e rrëmbyera të një lumi! Nëse vajza e Faraonit nuk do ta kishte nxjerrë nga ujërat shportën e Moisiut të vogël, nuk do të kishte ekzistuar Dhiata e Vjetër dhe as krejt qytetërimi ynë! Shumë mite të lashta zënë fill me një njeri që shpëton një fëmijë të braktisur! Nëse Polibi nuk do ta kishte marrë në shtëpi Edipin e vogël, Sofokliu nuk do të kishte shkruar tragjedinë e tij më të bukur!
Tomasi nuk e dinte, asokohe, se metaforat janë një gjë e rrezikshme. Nuk bëhet shaka me metaforat. Edhe nga një metaforë e vetme, mund të lindë dashuria.
Ne të gjithë e quajmë të paimagjinueshme që dashuria e jetës sonë të jetë diçka e lehtë, diçka pa peshë; kujtojmë se dashuria jonë është diçka që duhet patjetër të jetë: se pa të jeta jonë nuk do të ishte më jeta jonë. Na duket se vetë Bethoveni, i ngrysur e me krifën e tij të tmerrshme, luan për dashurinë tonë të madhe ‘Es muss sein-in’ e vet.” (vazhdon) / KultPlus.com