8 Shtator, 2017 - 9:35 am
Një lëndë interesante është shtuar për studentët e Universitetit të Kopenhagës. Kjo është lënda “Beyonce”, ku studentët do të mësojnë më shumë rreth këngëtares së famshme botërore.
Lënda do të ligjërohet në mënyrë të ngjashme si lëndët tjera nga kultura, siç është opera, ndërsa interesimi për të mësuar për punën e divës amerikane të muzikës është shumë i madh, saqë ligjëratat janë zhvendosur në një sallë më të madhe.
“Do t’i analizojmë këngët e saja dhe videoklipet, ndërsa do të fokusohemi te gjinia, seksualiteti dhe rasa”, ka thënë profesori Erik Steinskog.
Ai po ashtu ka shtuar se Beyonce Knowles është shumë e rëndësishme për ta kuptuar botën në të cilën jetojmë, sepse është njëra prej këngëtareve më të mëdha të muzikës pop.
Universiteti i Kopenhagës nuk është i pari që në programin shkollor përfshin mësimin e muzikës së 36-vjeçares. Para disa vitesh këtë e ka bërë edhe Universiteti Rutgers në New Yersey. / KultPlus.com