Letër dashuria nga Marquez për të dashurën e tij

7 Maj, 2018 - 12:30 pm

“E dashur…

E kam kuptuar që shkrimtari është gjithmonë në luftë me mjedisin në të cilin shkruan, tamam si dashuria që tenton të jetojë përjetësisht. Ja pse nuk prita asnjë sekond tjetër që të ulesha përsëri e të rifilloja letrën që e lashë pa filluar rreth një orë më parë.

Postieri më tha që e kanë zgjatur orarin për të pranuar letra e që për mua do e mbyllte njërin sy edhe për vonesa të tepruara. Me siguri do të ketë lexuar letrat e mia e ka rënë në dashuri me ty. Ja kisha frikën kësaj gjëje, por më mirë ti bëj të tjerët të dashurohen me ty sesa ti të vazhdosh ditët e tua pa ditur se sa lehtë i bën të tjerët të bien për ty duke të parë nëpërmjet fjalëve të mia.

E mban mend fiksimin tonë të hershëm për ëndrrat dhe kuptimet e tyre? E di, nuk arritëm asnjëherë t’ua gjenim fundin e ndoshta kjo është arsyeja se pse më shfaqesh këto netët e fundit kur mbyll sytë. Mesa duket egoizmi i tepruar që ke pasur për të marrë dashuri nuk të qënka shuar fare. Gjithmonë ta kam urryer atë veçori, pasi doemos duhet të jetë një ves, kur pi me litra dashuri e përsëri mendon për gotën e rradhës. Ama e di mjaft mirë që nëse nuk do e kishe atë gjë, une s’do kisha asgjë.

Ja për shembull dje, tek po ecja rrugës për të blerë disa libra të rinj, pasi kam nevojë që të dal nga idetë e djeshme, pashë një vajzë. Nuk ishte aspak si ti, por në mëndjen time imazhi yt ishe gjithçka që shihja. Humba aq shumë në formën e gushës së saj duke pikturuar butësinë e lëkurës tënde, saqë nuk e dëgjova as të kuqen e semaforit që kërcente para syve të mi. Kalova rrugën me shpejtësi që mos ta humbisja fytyrën e saj nga vështrimi im. Në mëndje shpresoja që të mos më vinte re, pasi do e kuptonte menjëherë që po mendoja për ty. E një femre nuk i pëlqen ta shikojnë për një tjetër. Edhe pse në rastin tënd jam i sigurtë që dhe vetë ajo do bënte një përjashtim.

Flokët nuk i kishte aspak si ti. Ja pse mu desh të bëhesha piktor e të kaloja aromën e kaçurrelave të tu nga kujtimet e mia tek mendimet e saj. Mollëzat nuk e kishin aspak atë nuancën ngjyrë ari që krijohet tek ti kur të buzëqeshin sytë, ama bëra më të mirën që munda për t’i dhënë buzëqeshjen që kam kur ti më sheh drejt e në sy.

Në fund mbërrita tek sytë. Ngjyra e tyre ishte gati e njëjtë me të tuat, ama e dija me siguri që i mungonte epshi i egër që ti i jep shikimit kur i lyen buzët me të kuqe. E buzët janë gjithmonë të kuqërremta kur të shikoj tek femrat e tjera. Ndoshta sepse buzët e tua janë të marrosura pas të kuqes. Ose ndoshta sepse gjaku im është i marrosur pas buzëve të tua.

Nëse do ta dija që sot do te ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd. Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera.

Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri.. Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë. Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime na mbetet vetëm e sotmja.

Do të doja të të thoja se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurtë për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë. Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete koheë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre.

Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di. Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…

Gabriel Garcia Marquez”/ Filozofia.al/ KultPlus.com


Të ngjajshme