7 Maj, 2018 - 8:00 pm
Letërsia dhe leximi në veçanti po kthehen në një vend takimi interesant dhe atraktiv për adhuruesit e letërsisë.
Së fundmi “Klubi i leximit i letërsisë austriake” në Bibliotekën Kombëtare vijoi takim e vet të radhës, me lexime interesante rreth teksteve të autorit bashkëkohor austriak Michael Köhlmeier, botuar në shqip nën titullin “Tregimet e Shekspirit” dhe përkthyer me mjeshtri nga Ervin Lani.
Në këtë takim e pranishme dhe Prof. Persida Asllani, një ndër iniciatoret e këtij “klubi”, themeluar nën shenjën e miqësisë dhe shijes së mirë të leximit.
Ajo i ftoi të pranishmit, jo vetëm drejt leximit të sprovës së Michael Köhlmeier-it si rishkrim dhe riinterpretim i veprës së Shekspirit, “shkrimtarit ku ze fill kompleksiteti i letërsisë evropiane”, por ta ndërthurnin atë sprovë edhe me leximin e shijimin e “Introduktave” e famshme të Fan Nolit apo edhe me esenë e Ismail Kadaresë “Hamleti, princi i vështirë”.
Gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e “Klubit” u shkëmbyen perspektiva të larmishme leximi duke shijuar përmes përjetimeve estetike të një shkrimi refleksiv-fiksional një tjetër pamje joshëse të letërsisë austriake bashkëkohore./ Ata