12 Shtator, 2018 - 11:20 am
Alter Habitus, organizon edicionin e parë të ‘Letërsia Lëvizëse’ – seri ngjarjesh letrare nëpër qytete në Kosovë.
Ky edicion ka për qëllim të përkujtojë dhe festojë jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve: Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi. Letërsia e tyre do të lexohet në oborret e shtëpive të tyre, sheshet e qyteteve apo lagjeve.
Edicioni i parë nisi dje në qytetin e Istogut ku autoret Naime Beqiraj, Shukrije Gashi e Ilire Zajmi ishin musafire në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Istog ku sollën krijimet e tyre poetike. Atje u shpalosë dhe u reflektua mbi letërsinë e shkrimtares Fehmie Selimi.
Ky aktivitet kulturor do të vazhdojë në Ferizaj këtë të premte ku do të lexohet e diskutohet për letërsinë dhe punën profesionale të Shpresa Vinca Tudës, në sheshin “Ismail Kadare”.
Shkrimtarët mysafirë të mbrëmjes janë: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit dhe Klubin Letrar ‘De Rada’.
Ndërsa, në kryeqytet më 17 shtator flitet për krijimtarinë Mirko Gashit, mbi Kurriz në Dardani.
Shkrimtarët mysafirë: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci. Mbrëmja letrare realizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’. / KultPlus.com