27 Gusht, 2023 - 9:00 pm
Marius Dobrescu – Bukuresht
Letërsia shqipe ka një traditë mbi 150 vjeçare në Rumani, sepse krijuesit e saj, pavarsisht nga cila anë e vendbanimeve shqiptare erdhën, gjetën në vendin tim një mjedis miqësor për zhvillim personal dhe komunitar. Duke filluar nga Naum Veqilharxhi, i cili përktheu në alfabetin e krijuar prej tij disa tekste shkollore dhe duke vazhduar me Dora d’Istrian, gruaja-dijetare e shekullit të XIX, duke arritur tek Naim Frashëri, i cili shumicën e veprave i botoi në Bukuresht dhe duke vazhduar me Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin dhe Asdrenin, krijuesit e letërsisë moderne shqipe, të gjithë kanë patur mbështetjen dhe zemërgjërësinë e shoqerisë rumune. Duke ecur në gjurmët e akademikut Nicolae Iorga, i cili i ka konsideruar shqiptarët “kushërinj të të njëjtit gjak” me rumunët, mund të themi se Rumania e ka parë Shqipërinë si motrën e saj më të vogël, ndërsa shqiptarët, pavarsisht nga cila zonë vinin, janë trajtuar në tokën rumune me dashuri dhe zemërgjërësi. Kjo e vërtetë që po theksoj, në kohën e sotme, kujtohet vetëm në sesione shkencore dhe në përvjetore.
Për sa i përket cilësisë së përkthimeve dhe të përkthyesve dua të bëj një parantezë të shkurtër. Si kudo në botë edhe në vendin tim ekzistojnë dy lloje përkthyesish: rumunë që njohin gjuhën shqipe dhe shqiptarë që njohin gjuhën rumune. Dihet se një përkthyes i mirë duhet të njohë në mënyrë të përkryer gjuhën në të cilën përkthen. Ta njohë aq mirë sa që teksti i përkthyer të duket sikur është shkruar në atë gjuhë. Në të kundërt do ti bënte një shërbim jo të mirë veprës dhe shkrimtarit që ai përkthen. Me fjalë të tjera, ai duhet të jetë formuar në “teritorin” e gjuhës rumune.
Rrjedhimisht, do ishte e vështirë për një shqiptar, të formuar në Tiranë, në Korçë, apo në Prishtinë të hyjë thellë në hollësitë e gjuhës rumune dhe të bëjë një përkthim shumë të mirë.
Gjatë 50 viteve të fundit në Rumani kanë ekzistuar të dy llojet e përkthyes-ve që përmendëm më lart. Mund të përmend shqiptarët Kopi dhe Ardian Kyçyku (atë dhe bir) me revistën e tyre të rëndësishme Haemus, që botohet në Bukuresht, Luan Topçiu (me përkthime nga gjithë letërsia shqipe) dhe Baki Ymeri (me përkthime nga poezia shqipe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia). Tre të parët janë lindur në Shqipëri, në kulturën shqiptare të viteve të diktaturës, i katërti në Maqedoni. Sigurisht secili rresht i përkthyer prej tyre është një përfitim real për letërsinë shqipe. Një rast të veçantë e përfaqëson Foqion Miçaço, shqiptar i lindur në Bukuresht, autori i përkthimit të parë, të përkryer, të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, të Ismail Kadaresë, në vitin 1973. Nga përkthyesit rumunë të letërsisë shqipe mund të përmend Oana Mihaela Glasu dhe Cristian Besleaga, që kanë studjuar në Tiranë në vitet’90. E para ka përkthime me rëndësi: dy romane nga Thanas Medi (Fjala e fundit e Sokrat Bubës, Markela dhe Hija e malkuar), ndërsa i dyti tre romane nga Bashkim Hoxha ( Duke bërë shaka me vdekjen, Duartrokitësit dhe Misteri i kronikës së mjegullës). Këta dy përkthyes u bënë të njohur gjatë pesë viteve të fundit.
Nëse kthehem tek përkthimet nga letërsia shqipe e viteve ’60-70 të shekullit të kaluar dua të ve në dukje kontributin e një dijetari të madh, Grigore Brâncuş, njëri nga të fundit albanologë të stilit të vjetër të Europës, për njohjen dhe propagandimin e letërsisë modernee shqipe në Rumani. Akademiku Brâncuş na ka lënë disa përkthime të bukura nga Migjeni, në vëllimin Fruti i ndaluar (viti 1967). Periudha 1960-1990 ka qënë shumë e varfër në përkthimet nga shqipja në rumanisht. Vetëm një shkrimtar është botuar dhe promovuar në Bukuresht: Ismail Kadare. Lidhur me këtë gjë, Ismail Kadare tregon në një tekst të shkurtër, të publikuar në vitin 2011, mbi vizitën e tij në kryeqytetin e Rumanisë, në vitin 1973. Kur ndodhej në zyrën e kryetarit të kohës të shkrimtarëve rumunë iu sollën paratë që i takonin si autor për botimin e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i përkthyer nga Foqion Miçaço atë vit.Për çudinë e mikpritësave, Kadare e refuzoi zarfin dhe rekomandoi dërgimin e shumës në adresën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Në regjimin komunist shkrimtarët shqiptarë nuk kishin të drejtë të shpërbleheshin për veprat e tyre.
Edhe diçka lidhur me këtë periudhë. Rredh datës 28 Nëntor, çdo vit në shtypin letrar të Rumanisë botoheshin përkthime nga poezia shqipe ku kam kontribuar edhe unë. Përveç kësaj, shypi i përditshëm dhe revistat historike përshëndesnin me artikuj të rastit ditën e pavaarësisë së Shqipërisë. Ishin shënjat e miqësisë që shtetet socialiste i dërgonin njëri
tjetrit një herë në vit.
Dhe tani një rast i veçantë. Vitin e kaluar doli në Bukuresht, nga shtëpia botuese e komunitetit shqiptar të Rumanisë, vëllimi Historia e letërsisë shqipe nga fillimet deri sot, i Luan Topçiut. Vëllimi, i duartrokitur në Shqipëri – edhe pse me siguri që askush atje nuk e kishte shfletuar sepse është shkruar në gjuhën rumune – është një inventar artikujsh të shkruara në periudhën kur autori ka punuar si diplomat në Ambasadën e Shqipërisë në Bukuresht. Luan Topçiu, i diplomuar në Universitetin e Tiranës, rimerr një pjesë të vlerësimeve me vlerë të disa kritikëve dhe historianëve letrarë profesionistë, duke arrituar megjithatë t’ju ofrojë lexuesve rumunë një tabllo të gjërë të letërsisë shqipe, të vjetër dhe aktuale. Sigurisht është një punë e lavdërushme. I njëjti autor ka përkthyer në gjuhën rumune në vitet 1995-2023 disa vepra letrare apo kujtime, të financuara nga autorët e tyre. Mes tyre është edhe libri Kurbani i kryeministrit Edi Rama, por edhe libra të autorëve të tjerë, më shumë apo më pak të njohur. Këto sjellin në Rumani një pjesë të letërsisë së sotme shqipe. Por Historia, duke mos patur miratimin e një kolektivi me redaktorë profesionistë, të një shtëpie botuese të konsakruar, është i dyshimtë nga pikëpamja e cilësisë letrare dhe shkencore, sidomos atëhere kur autori ka një funksion në kuadër të komunitetit, madje edhe i boton librat e veta pikërisht me paratë e komunitetit.
Rasti Kadare. Por shkrimtari shqiptar më i përkthyer në Rumani është, prej së largu ,Ismail Kadare. Duke lënë mënjanë modestinë, mund të krenohem me botimin e mbi 30 vëllimeve, me rreth 50 vepra të këtij shkrimtari, në një nga shtëpitë botuese të mëdha rumune. Përkthime nga Kadare, tekste të shkurtëra apo fragmente romanesh, kanë nënshkruar edhe përkthyes të tjerë nga Rumania. Përveç këtyre, në revistën Drita, të cilën e kam udhëhequr si kryeredaktor 20 vitesh, kam përkthyer dhe kam promovuar në një tirazh prej 3.500 ekzemplarë me poezi, prozë, kujtime, dramaturgji, etnografi dhe folklor dhjetëra shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe nga diaspora shqiptare.
Duke u ndodhur në Prishtinë, dua të them se letërsia kosovare është pak e njohur në Rumani. Sigurisht se janë përkthyer, rastësisht, disa poetë të këtushëm si Agim Vinca, Besim Bokshi, Sali Bashota, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Esad Mekuli, Radije Hoxha dhe të tjerë në dy antologji me poezi shqipe ose disa proza më të shkurtëra apo më të gjata. Por ende asgjë përfaqësuese për letërsinë e re kosovare. Një promovim më agresiv dhe më shumë evenimente, prezantime, tregje librash etj, me pjesëmarjen e atyre prej përkthyesve që janë të interesuar, do ishte mjaft e vlefshme për një shtet të ri, si Kosova, i cili promovon identitetin dhe identifikon miqtë e vet.
Si mik i shqiptarëve kosovarë, dua të them se jam gëzuar shumë për botimin e librit 24 Mars. Kronika e ferrit kosovar të Fehmi Ajvazit, në një nga shtëpitë botuese të mëdha të Bukureshtit. Vëllimi ka zgjuar interesin e publikut rumun dhe ka bërë të njihet mirë pozita e Kosovës në konfliktin e vitit 1999.
Në mbyllje të fjalës time, ju falenderoj për vëmendjen që treguat dhe ju dëshiroj suksese në vazhdim.
Fjalë e mbajtur në Seminarin XLI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 14-25 gusht 2023/KultPlus.com