Letërsia shqipe në Festivaletteratura 2019 në Mantova

3 Shtator, 2019 - 1:00 pm

Një vend kontrastesh të forta, mes Lindjes dhe Perëndimit, ku përplasen kultura të ndryshme, me një të histori për të treguar, Tirana, një qytet në libra, është e përzgjedhur si protagoniste në Festivaletteratura 2019, që do të zhvillohet në Mantova të Italisë nga data 4-8 shtator.

Një bibliotekë e përkohshme me rreth 200 vepra të autorëve shqiptarë e të huaj, ku zbulohet kryeqyteti shqiptar, është ngritur në Piazza Sordello, nën kurimin e studiuesit, eseistit, përkthyesit e pedagogut, Luca Scarlini. Në këtë bibliotekë librash gjenden vepra artistike, eseistike, shënimi udhëtimi të autorëve Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Girolamo De Rada, Elvira Dones, Gëzim Hajdari, Alexander Langer, Indro Montanelli, Besnik Mustafaj, Mario Rigoni Stern, etj.

Gjatë ditëve të festivalit, do të jenë të pranishëm në stendën dedikuar Tiranës, shkrimtarët Fatos Kongoli e Virgjil Muçi. Nuk do të mungojë një rrëfim i arkitektes Elisabetta Terragni mbi Muzeun e Gjetheve dhe Shtëpinë-Muze “Kadare”. E ftuar është edhe këngëtarja Elina Duni.

Prej vitit 1997, Festivaletteratura është një prej ngjarjeve kulturore, më të rëndësishme në Itali. Përgjatë 5 ditëve të festivalit zhvillohen takime me autorë nga e gjithë bota, lexime, koncerte etj./ Gazeta Shqip / KultPlus.com

Të ngjajshme