6 Nëntor, 2021 - 11:15 am
“Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme” në rumanisht , shkruar nga Dr. Luan Topçiu vazhdon të marrë vlerësime entuziaste në qarqet më të larta letrare dhe universitare.
Pas promovimit të suksesshëm të librit voluminoz në Parlamentin e Rumanisë dhe në Bibliotekën e Qarkut të qytetit të Konstancës, një emisioni të posaçëm në Televizionin Kombëtar Rumun (TVR1), kushtuar botimit të kësaj vepre, kanë dalë artikuj vlerësues që janë botuar në revistat letrare të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Më poshtë po japim artikullin që ka dalë së fundi në gazetën më të rëndësishme letrare të Rumanisë “România literară” (Rumania letrare), shkruar nga shkrimtari, kritiku dhe profesori universitar Dr. Adrian Lesenciuc, njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, filiali Brașovă. Përmes këtij shkrimi letërsia shqiptare bëhet e pranishme në faqet e revistës letrare më prestigjioze në Rumani.
Përkime rumuno-shqiptare në “Historinë e letërsisë shqipe”, shkruar nga Luan Topçiu [1]
Historitë letrare zakonisht shkruhen në gjuhët rrënjase. Fakti që “Historia e letërsisë shqipe që nga zanafilla e deri më sot” e shkruar nga Luan Topçiu është botuar në rumanisht, tregon, nga njëra anë, nderimin e autorit për këtë gjuhë, dhe nga ana tjetër, mund të shihet si një mundësi për të nënvizuar përkimet dhe afëritë kulturore rumuno-shqiptare. Luan Topçiu është shkrimtar, përkthyes, profesor dhe diplomat i njohur shqiptar, i lindur në vitin 1962 në Pogradec, doktor i shkencave i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Bukureshtit me temën “Ndjenja e mallit në letërsinë e lavruar dhe popullore rumune dhe shqiptare.“, laureat në vitin 2018 i Çmimit Kombëtar për Përkthimin më të mirë etj. Lidhur me afëritë e letërsisë rumune me atë shqiptare, do të ndalem pak më gjatë. Një analizë më të gjerë për “Historinë e Letërsisë Shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme” e kam botuar para do kohësh në numrin 459 të revistës “Tribuna”[2], prandaj në këtë shkrim dua të ndalem tek marrëdhëniet kulturore midis këtyre kulturave dhe roli i trojeve rumune në formësimin e kësaj letërsie.
“Historia e letërsisë shqipe” specifikon aspekte që karakterizojnë të dyja letërsitë, nga të cilat përcaktuese është ushqyerja nga gurrat e pasura popullore, nga kulturat kryesisht rurale, përmes gjuhëve që kanë një substrat të përbashkët. Për më tepër, të dy letërsitë u zhvilluan në mënyrë të dallueshme, por jo shumë të ndryshme, duke theksuar se ajo shqiptare nuk ishte e organizuar rreth disa shkollave, rrymave apo drejtimeve, por rreth disa personaliteteve të rëndësishme. Nga tekstet e para, ato në gjuhën latine të Marin Barletit (1450-1512), autorit të veprës së njohur Rrethimi i Shkodrës (1504), vihen në pah raportet ndërmjet hapësirave kulturore rumune dhe shqiptare (shih letërkëmbimin e Skënderbeut me Vladisllavin e II e invokuar në historinë e parë të heroit shqiptar, botuar më 1505 nga Marin Barleti).
Deri në veprën e parë në shqip, Meshari i Gjon Buzukut (1555), ka tekste të shumta të shkruara në këtë gjuhë, më e vjetra që riprodhon formulën e pagëzimit, të zbuluar nga Nicolae Iorga në Codex Angels (1462). Letërsia e vjetër shqipe u zhvillua si në kufijtë e Shqipërisë së sotme ashtu edhe në Itali, veçanërisht në jug, në vendbanimet e themeluara nga komuniteti arbëresh, por edhe në treva të tjera: Kosovë, Maqedoni, Greqi, kryeqyteti i Perandorisë Osmane dhe në qytete të mëdha osmane, në Trevat Rumune etj. Një rast që ilustron më së miri është rasti i Dora d’Istria-s (Elena Gjikës), autore e veprës së parë për komunitetin shqiptar në Rumani, e njohur si në Europën Perëndimore ashtu edhe në Moskë. Letërsia e Rilindjes Kombëtare shqiptare vjen me emra të rëndësishëm, si me poetin kombëtar Naim Frashëri (1846-1900), një romantik i vonshëm, si dhe Mihai Eminescu, vepra e të cilit është botuar thuajse tërësisht në Bukuresht, një personalitet letrar i shquar “që ka venë bazat e gjuhës shqipe letrare” (f.220), me vëllain e tij, Sami Frashëri (1850-1904), rilindas i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i njohur në literaturën e huaj si Shemseddin Sami, me Naum Veqilharxhin (1797-1846), i cili jetoi në Brăila, pjesëmarrës në Revolucionin rumun të vitit 1821, autor i abetares së parë të shqipes më 1844, me Kostandin Kristoforidhin (1826-1895), përkthyes i Biblës në shqip, autor i një gramatike dhe një fjalori shqip-greqisht etj.
Pas shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912, letërsia shqipe solli prurje me emra me peshë të veçantë, reformatorë të drejtimeve të ndryshme në letërsi, ndër syresh Gjergj Fishta (1871-1940), i njohur si “Homeri i shqiptarëve” ose Ernest Koliqi (1903-1975), themeluesi i prozës moderne shqiptare. Në historinë e letërsisë shqipe, një kapitull i veçantë u kushtohet shkrimtarëve shqiptarë të formuar në trevat rumune, të cilët paraqesin aspekte biografike dhe artistike të përbashkëta: formimi në trevat rumune, ndikimi nga letërsia rumune, importimi i një matrice të re kulturore, por të adaptueshme për hapësirën kulturore shqiptare dhe, në mënyrë implicite, prania e disa veçorive stilistike që vërtetojnë afëritë e dy letërsive: Asdreni (1972-1947), autori i tekstit të himnit kombëtar, më i ngjashmi me poetët rumunë, Lasgush Poradeci (1899- 1987), “poeti më i thellë” i gjuhës shqipe (f.320) ose Mitrush Kuteli (1907-1967), prozator dhe përkthyes i shquar. Pas Luftës së Dytë Botërore, me instalimin e komunizmit, letërsia shqipe u detyrua të kashtosej me marksizëm-leninizmin dhe realizmin socialist (shumë shkrimtarë u vranë ose u burgosën dhe iu nënshtruan torturave të paimagjinueshme nga regjimi i Hoxhës).
Shkrimet e para të rëndësishme i takojnë Mehmet Myftiut, Petro Markos dhe Ismail Kadaresë në prozë, Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit në poezi. Letërsia bashkëkohore, e njohur veçanërisht përmes majës Ismail Kadaresë, është një letërsi që kërkon rikuperimin e funksionit estetik, një ripozicionim në raport me ideologjitë dhe që propozon emra të mëdhenj, si Visar Zhiti apo Fatos Kongoli, por edhe një letërsi të re në të cilën dallohen emrat si Agron Tufa dhe shumë të tjerë, apo autorë nga mërgimi shqiptar si Ornela Vorpsi etj. Realizimi i këtij projekti madhor të një letërsie shqipe, të zhveshur nga ideologjia, që arrin të rikuperojë letërsinë jashtëzakonisht të pasur, të pabotuar dhe të ndaluar gjatë viteve komuniste, është një arritje e jashtëzakonshme e personalitetit kompleks të kulturës Luan Topçiu, i cili shërben në të njëjtën masë të dyja letërsive.
Nga Prof. Dr. Adrian Lesenciuc.
Përkime rumuno-shqiptare në “Historinë e letërsisë shqipe”, shkruar nga Luan Topçiu.
[1] Shkrimi është botuar në revistën më të rëndësishme të Lidhjes së Artistëve të Rumanisë “România literară” nr. 45, 29 tetor 2021
[2] Adrian Lesenciuc (2021). Istoria literaturii albaneze sau o scurtă introducere în albanologie „Tribuna”, nr 459/15 octombrie / KultPlus.com