11 Korrik, 2018 - 12:00 pm
Një letër e shkruar 500 vjet më parë nga reformatori protestant, Martin Lutheri, lë vend për hamendësime mbi atë çfarë ai vërtet mendonte për hebrenjtë. Në letër ai u referohet si “demonë të mishëruar”, por studiuesit e tij thonë se kaq nuk mjafton për ta quajtur antisemit.
Letra me një faqe, e shkruar nga të dyja anët, pritet të shitet në një ankand në Boston për 300 mijë dollarë. Ajo është shkruar diku nga shtatori i vitit 1543 dhe i drejtohet një kleriku të lartë në Kishën e Shën Nikollës në Berlin. Letra në fakt është përgjigjja që Lutheri i kthen zyrtarit të kishës gjermane në lidhje me kërkesën për t’i interpretuar disa vargje biblike, me anë të të cilave ish-miku i Lutherit, Johann Agricola, arsyetonte trajtimin e tij pozitiv të hebrenjve në atë që sot është Gjermania.
Në përgjigjen e tij, Lutheri i tregon Georg Buchholzerit se ai ka bërë mirë kur ka predikuar kundër hebrenjve dhe duhet të vazhdojë ta bëjë këtë, duke injoruar kështu ish-mikun e tij, Agricola, për të cilin thotë se është një gënjeshtar i zellshëm.
“Sepse këta hebrenj nuk janë hebrenj, por mishërim i demonëve që mallkojnë Zotin tonë”, shkruan Lutheri, sipas përkthimit të bërë nga RR Auction.
“Por, më herët ai i simpatizonte hebrenjtë për shkak të mënyrës se si trajtoheshin nga kisha katolike”, thotë Eric Metaxas, autori i librit “Martin Luther”.
Është e sigurt që Lutheri pati qëndrime negative në vitet e mëvonshme për hebrenjtë, kjo për shkak se ata nuk përqafuan versionin e tij të krishterimit. Por, Metaxas thotë se duhet bërë kujdes kur krahasohet antisemitizmi i shekullit XVI me atë të shekullit XXI, përcjell Telegrafi./ KultPlus.com