3 Qershor, 2021 - 1:30 pm
Tani do të të kërkoj një favor që tingëllon pak si i çmendur, të cilin do ta përshëndes kur të marr unë letër. Është gjithashtu testi më i madh në të cilin mund të vihet njeriu më i mirë.
Mirë, ja ku është:
Më shkruaj vetëm njëherë në javë, kështu që letrat e tua të më vijnë ditën e diel, sepse nuk mund t’u rezistoj letrave të tua të përditshme. Për shembull, unë i përgjigjem një nga letrat e tua, dhe pastaj shtrihem në krevat në dukje i qetë, por zemra ime rreh përmes gjithë trupit vetëm prej teje. Unë të përkas ty. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta shprehur këtë, dhe kjo nuk është mënyra më e mirë. Po për këtë arsye nuk dua të di se çfarë vesh. Më ngatërron aq shumë, saqë s’mund të merrem me jetën. Nuk dua ta di që edhe ti ndjen për mua. Po ta dija, si mundja, si budalla që jam, të ulesha në zyrën time, apo këtu në shtëpi, në vend që të hipja në një tren me sytë që hapen dhe mbyllen vetëm kur jam me ty? Oh, ka një arsye të trishtueshme, që nuk s’e bëj dot këtë. Për t’i rënë shkurt: Shëndeti im është i mirë vetëm për të përballuar veten time. Ai s’është i mjaftueshëm për martesë, duke lënë mënjanë të bërit baba. Sidoqoftë, kur lexoj letrat e tua, ndjej se mund të lartësohem edhe mbi atë që nuk mund të lartësohet.
Ah sikur ta kisha përgjigjen tënde tani. Dhe sa keq të torturoj, dhe sa të detyroj ty në qetësinë e dhomës tënde të lexosh këtë letër, si letra më e ulët që është vënë ndonjëherë në tryezën tënde.
Ndershmërisht, ndjehem keq ndonjëherë kur lutem si një lugat mbi emrin tënd lumturues! Ah sikur ta kisha postuar letrën e së dielës, në të cilën të kisha kërkuar të mos më shkruaje më kurrë, dhe në të cilën të jepja një premtim të ngjashëm. Oh Zot, çfarë më ndaloi të ta dërgoja këtë letër? Çdo gjë do ishte në rregull. Por a është kjo zgjidhje e paqtë e mundur tani? Çfarë do të ndihmonte nëse ne do i shkruanim njëri-tjetrit vetëm një herë në javë? Jo, sikur vuajtja ime të kurohej nga mjetet të tilla, atëherë ajo s’do ishte serioze. Dhe tashmë parashikoj që s’mund të jem në gjendje t’iu rezistoj as letrave të së dielës. Kështu, për të kompensuar mundësinë e humbur të së dielës, të kërkoj me gjithë fuqinë që më ka mbetur në fund të kësaj letre: Nëse i vlerësojmë jetët tona, le të mos shkruajmë më.
Mos po mendoja të nënshkruaja me Dein? Jo, s’do të kishte gjë më false se sa kjo. Jo, unë jam gjithmonë i lidhur me zinxhirë me veten time. Ky jam unë, dhe kjo është ajo me të cilën duhet të jetoj.
11 nëntor, 1912
Kujtojmë që shkrimtari i njohur gjerman Franc Kafka e takoi për herë të parë Felice Bauer në vitin 1912. Për pesë vjet ata patën një histori dashurie. / KultPlus.com