9 Shkurt, 2018 - 3:30 pm
– ”Ti gjaku im”, – i shkruante Kamy të dashurës Kazares,
dhe ajo i përgjigjej:
– “Pres mrekullinë të më rishfaqë praninë tënde”
– ”Ti je ajo që do të doja më shumë se jeta dhe qielli”,
– ”Atëherë po të dërgoj diejt e zemrës…”
Letra të zverdhura nga koha
që sot enden e shtegtojnë në mijra udhë të botës,
fjalë si prushi në sytë e tu, të mi,
i kthej letrat ti shoh për nga qielli
dhe fjalët më shkojnë tutje si mizëri harabelësh,
i kthej për nga dielli
dhe lexoj se Kazares po digjet nga një zjarr,
shkoj dhe i lexoj buzë detit
dhe dallga ma mbulon fytyrën plot shkumë,
pastaj siluetat e tyre shkojnë, vijnë,
është vonë, duan të flenë,
të mbyllin portat dhe të kërleshen
në shtratin ende të kuq,
dy dashnorë prej mishi e gjaku
dy dashnorë prej zjarri e pluhuri
që ngrihet lart në mugëtirën e agut.
Letra me aromë dielli që tunden në erë
si shami të kuqe, të bardha, të zeza,
sa shumë shami për këtë dashuri,
mesazhe për kohën që nderet e ndalon
në cep të buzëve,
në ijet e kolme që përvëlojnë nga dëshira,
ku prushet më së fundi rreshken, shuhen,
mesazhe për vetminë e madhe
që ditën e ktheu përfundimisht në natë
që dritën e ktheu në errësirë
nobelisti kërkonte zjarrin e Prometeut
ta çonte gjer në skajet e botës,
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…
Atëherë dritarja mbyllet,
shpendi shtegtar ndoshta s’do të kthehet më,
Kazares lëshohet mbi shtrat në letargjinë e gjatë
pa mundur të jetë lehonë,
pa mundur të dehet dhe njëherë e të klithë
për të dashurin që i shkroi ”Po vij…”
dhe që nuk i erdhi kurrë…
ah, ky «Njeri i revoltuar»
ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…
Luan Rama