Letra e Lasgushit për të bijën: Nuk më vjen frikë të vdes, nëse jam në duart e tua

13 Nëntor, 2019 - 11:20 pm

LETRA
Merr. Kostandina Lasgush Poradeci
Lagja e Mburimave, rruga Çeta e Mokrës nr 56

Pogradec.

Kostandinë bijë e dashur edhe trimëreshë e babajt, dola të Hënën më 15 Tetor prej spitalit, Pavjoni XIV ku më suall pas operacionit të kataraktit të syrit t’im të djathtë prej Doktor Ylli Shtyllës. Nata e parë pas operacionit ishte e tmerëshme për mua 24 orë pa gjumë sepse me dhembje të mëdha të syrit, ndjenja pështirosje për të vjellë nga 4 injekcionet rreth syrit dhe medikamentet në sy, e të tjerat, e të tjerat. Si nuk vdiqa natën e parë përveç netëve të tjera, 10 net me rradhë të tjera, që më s’thosha në vehten time do vdes, jo nga frika e vdekjes, meqë gjithë gjëja e gjallë ka frikë prej vdekjes, po nga torturat në trup. Nuk thesha më nga torturat do vdes, po edhe në natën e parë kur nga torturimi thesha me vete do vdes, nuk më vinte frikë të vdes, siç ka gjithë njerëzimi frikë, s’e ndjenja frikën si gjithë njerëzimi atë natë – sepse, bijë e babait, atë natë të kisha ty pranë, vdisja në duart e tua. Kur vdes njeriu edhe kafsha kur vdes, do që të ketë një qënie pranë, ose një njeri të dashur pranë, ose një njeri pranë, edhe kur s’ka as të dashur njeri pranë, as një njeri sidokodo pranë, prek me dorë, me dorën që vdes, atë qënien, atë sendin që ka pranë, atë gurin, atë bluashkën edhe atë fijen bar që ka pranë, kaq keq isha, Kostandinë e babajt, atë natë kur si e dërguar nga engjëlli ti më ardhe bijkë e babait papritur pa kujtuar prej aq larg, prej Poradeci, më ardhe pa të thënë njeri, me inisiativën tënde të guximshme, aq vendimtare aq guximtare. Dhe si më rrinje ti ashtu pranë e lodhur e kapitur ditë e natë, unë të falem nderit tashi babkë dhe t’i puth ëmbël, ëmbël fort syçkat e bukura edhe të mënçme. Kaq po të shkruaj, dua të vi në Poradec çdo ditë, po s’ka kush më gjen maqinë se unë vetë jam pa fuqira prej spitalit.
Të kisha lekë, mirja një takximetër angazhé, isha për tre orë aty, po ku të gjesh lekët. Të përqafon dhe të puth me shumë mall babaj tënd.
Lasgush /KultPlus.com

Të ngjajshme