14 Shtator, 2024 - 6:57 pm
Kur shkrimtari Erich Maria Remarque i shkruante aktores së njohur Marlene Dietrich:
18 janar 1939
“Shpirti im, qielli im i dashur, ti më ke shkruar kaq e kaq letra të bukura e, unë përsëris atë që kam thënë gjithmonë: shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie. Sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata.
Ti më quan “Rezonancë që merr fryme” – e si do të mund të arrija unë vallë, të gjeja një figurë të tillë kaq prekëse? E, përveç kësaj edhe diçka tjetër! Ti, arrin, dhe ke atë aftësinë magjike qe t’i thuash dikujt se sa shumë e si e dashuron atë – kurse unë, unë, e di, nuk arrij ta them atë në mënyrë të plotë. Sa mirë ndjehem kur ti me thua se, edhe pse je vetëm, ndjehesh e qetë dhe e lumtur. Unë, këtë, kam uruar vazhdimisht për ty. Nuk kam uruar kurrë që ti të ndjehesh e mërzitur dhe fatkeqe. Kam dashur gjithmonë që ti të jesh e lumtur, në formë, vezulluese, plot dritë dhe e bukur si kurrë here tjetër e, dua që kjo gjendje e jotja të jetë e dukshme edhe së largu në kilometra e, që ti t’a dish me siguri absolute që dikush tjetër nuk jeton në këtë botë, veçse për ty.
Sot gjeta dhe lexova edhe një herë poemën tonë të Gëtes. E lexova dhe e rilexova vërtetë me një emocion të thellë: A s’është e vërtetë që fati po na bashkon? A nuk po na lidh ai për jetë? Ah, dhe në kohët që shkojnë, Nuk di, ti je motra a nusja ime? Ti njeh me imtësi çdo pjesë të qenies sime, Ti ndjen tek unë dhe nervin më të hollë, Ti lexon çdo gjë në shikimin tim, Me syrin tënd hyn në brendësinë time Hyn në gjakun tim të ngrohte qe rrjedh ne deje Dhe ecën si i çmendur në drejtimin tënd e që me krahët e tua prej engjëlli gjoksin tim shëron . Po, e dashura ime, a nuk është pikërisht kështu? Nganjëherë, më ndodh të eci i vetmuar nën shi e të mendoj e ndjej që lidhja jonë është gjithmonë e fortë, e askush nuk mund t’a prishë atë e, në ato çaste, me hapa të lehta ndjej të vijë dikush drejt meje e, ajo je ti e, atëherë, unë jetoj një ndjenjë të veçantë lumturie që asnjë qenie tjetër njerëzore nuk e ka jetuar kurrë. E, atëherë, ndjej qe së bashku me ty, të kthehen tek unë vitet e rinisë që lufta dhunshme mi mori e, ato vite je ti që mi sjell e mi shumëzon me dy, e bashkë me to ndjej të prek me delikatesë – freskinë, gjallërinë dhe aventurat e rinisë. E, kështu, ti bëhesh, në të njëjtën kohe: aventura e gruaja ime.
Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty; nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonancë që unë ndjej e thith si ajër, por i tillë jam dhe unë. E di?… Unë jam një pasqyrë konkave të kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e dërgoj krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera vetja me duket si një merimangë që end një pëlhure vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pëlhure mendimesh, ndjenjash, pune, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jotë, – e mbushur plot gjëra të cilat ty të mungojnë, një pëlhure plot trëndafila e dafina, e thurur me fije të ndritshme argjendi, e lehtë dhe e fortë për të mbajtur ty dhe hapat e tua të lehte si kaprolli, një pëlhurë të ngritur nën një qiell të kaltër e mbi ujin blu të detit, nga ku ti mund te hidhesh e të kridhesh gjithë qejf në ujërat e kristalta e të kthehesh pastaj përsëri tek ajo, si një lodër e këndshme fëmijësh e cila t’a mbush zemrën plot ngashërim .
O, drita ime e dashur!… E di?… Nganjëherë, unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur, e të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. E atëherë tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson, përkundrazi, e bën edhe më të rëndë gjëndjen. Por, megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty e, pastaj, ndjej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse është një gjest i vështirë ky, i padurueshëm, por edhe i mrekullueshëm e, pastaj unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin… Ja, tani ndalova përsëri, sepse ndjej që dora s’më bindet. Më duaj! Më thuaj që ti më do, kjo fjalë më bën mirë, më shëron. Kur ti më thua që më do, unë gjej forca e shkruaj edhe më bukur e më shpejt. Sepse unë nuk jetoj veçse për dashurinë tënde.
Më duaj, puma*!…
(Puma – quan ai me përkëdheli Marlene Dietrich) / KultPlus.com