14 Prill, 2024 - 4:15 pm
Nelsoni im,
Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?
Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua.
Nga libri “Dashuri Trasantantike”.
Përkthyese: Alda Bardhyli / KultPlus.com