Letra e Umberto Ecos për nipin e tij të vogël

24 Korrik, 2018 - 2:00 pm

Nga: Umberto Eco (letra për nipin e tij)
Përktheu Elona Caslli

I dashur nipi im i vogël,

Nuk do të doja që kjo letër në prag të Vitit të Ri, të kishte shumë ngjyrime nga Edmondo De Amicis dhe të të jepja këshilla për dashurinë për Tjetrin, për atdheun, për botën apo gjëra të tilla. Nuk kishe për t’ua vënë veshin dhe kur t’ua vësh veshin (do të jetë koha që do të jesh rritur dhe unë do të jem i tejshkuar dhe i tejharruar) dhe sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar aq shumë, sa ka shumë mundësi që këshillat e mia të jenë me vulë datare.

Do të doja të ndalesha për një çast tek një këshillë, që mund ta pranosh edhe tani, teksa lundron në internet me iPad-in tënd. Nuk kam ndërmend të të them të mos lundrosh në Internet për dy arsye; e para nuk dua të të dukem si gjysh matuf dhe e dyta lundroj edhe vetë në Internet.

Ajo që dua të të këshilloj është që nëse rastësisht hyn tek ndonjë faqe pornografike, që tregon marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, ose midis një njeriu dhe një kafshe, në njëmijë mënyra të ndryshme, përpiqu të kuptosh se ai nuk është seksi i mirëfilltë dhe mbi të gjitha aq monoton. Ajo çka sheh është diçka artificiale që të nxit ty të mos të dalësh nga shtëpia dhe të mos njohësh vajza të vërteta.

Gjithmonë duke u nisur nga parimi që je heteroseksual; në rast të kundërt përshtati vetë këshillat e mia për rastin tënd; shikoji vajzat, në shkollë ose kur shkon të luash, shikoji vajzat, sepse janë më mirë vajzat e vërteta, se ato në televizor dhe një ditë do të të falin kënaqësi më të mëdha, vajzat e vërteta se ato që sheh në kompjuter.

Besoji dikujt që ka më shumë përvojë se ti (po ta kisha parë seksin vetëm në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur kurrë dhe ti pale ku do ishe , ose më saktë nuk do të ishe fare).

Por, në të vërtetë nuk doja të të flisja për këtë gjë, por për një sëmundje që ka prekur brezin tënd, madje edhe djem më të mëdhenj se ty, madje edhe ata që janë në universitet- humbja e kujtesës.

Është e vërtetë, që nëse ke dëshirë të dish se cili ishte Carlo Magno apo ku ndodhet Kuala Lumpur , shtyp butonin e internetit dhe ta thotë menjëherë. Bëje këtë gjë, kur të duhet, por pasi ta kesh bërë përpiqu ta mbash mend se çfarë lexove, për të mos kërkuar për të dytën herë, të njëjtin informacion në internet, në rast se ke nevojë apo në rast se të duhet për një detyrë në shkollë.

Ka rrezik, meqënëse, ti e di se kompjuteri të përgjigjet gjithmonë, mësohesh mos ta fusësh në kokë informacionin. Është njëlloj, sikur të mendosh, se meqënëse ka autobusë dhe metro që të shpien nga një Rrugë tek një Tjetër, ti nuk ke më nevojë të ecësh. Autobusi dhe metroja janë shumë të rehatshme dhe hip në to sa herë je me nxitim, por kjo nuk do të thotë që të mos ecësh.

Por, nëse nuk ecën, bëhesh “I aftë ndryshe” termi që përdorim sot për të treguar dikë që lëviz me karrocë. Dakord, e di që merresh me sport dhe e di që mund ta lëvizësh trupin, por të kthehemi tek truri yt.

Kujtesa është një muskul, njësoj si muskuli i këmbëve dhe nëse nuk e ushtron ai dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) – “I aftë ndryshe” që do të thotë (të flasim troç) një idiot. Dhe, përveç kësaj, me kalimin e moshës rrezikojmë të gjithë të prekemi nga Alzhaimeri dhe një nga mënyrat për ta shmangur këtë incident të papëlqyeshëm është ushtrimi i kujtesës.

Pra, po të jap dietën time. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg ose ndonjë poezi të shkurtër ose siç na jepnin ne për t’i mësuar – “La cavallina storna” – “Pela e mënjanuar” ose “Il sabato del villagio” – “ E shtuna e fshatit”. Dhe bëni garë me shokët se kush e kujton më mirë vjershën. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me skuadrat e futbollit, por kujdes se nuk duhet vetëm të mbash mend se kush janë lojtarët e sotëm të Romës, por duhet të dish edhe lojtarët e skuadrave të tjera dhe ndoshta edhe lojtarët e skuadrave në të shkuarën (që ta dish ti, unë ende e mbaj mend skuadrën e Torinos kur avioni i tyre u përplas me të gjithë lojtarët, Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.).

Bëj gara kujtese për librat që ke lexuar ( kush ishte në anijen Hispaniola në kërkim të Ishullit të Thesarit?… Lord Trelawney, Kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…). Shih nëse miqtë e tu, e mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e Tre Musketerëve tdhe të D’Artanjanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet). Dhe nëse nuk do të lexosh “Tre Muskëterët” (dhe nuk ta merr mendja se çfarë humbet) bëje, ku di unë, me ndonjë histori tjetër që ke lexuar.

Duket si lojë (dhe është lojë), por do ta shohësh që koka jote do të popullohet nga personazhe, histori dhe kujtime lloj-llojesh. Do të ketë qëlluar që ta kesh pyetur veten se pse kompjuterët dikur quheshin tru elektronikë; u quajtën kështu sepse u krijuan mbi modelin e trurit tënd (trurit tonë), por truri ynë ka më shumë lidhje se një kompjuter; është një lloj kompjuteri që e mban gjithmonë me vete dhe rritet dhe kalitet me ushtrime, ndërsa kompjuterin që ke mbi tavolinë sa më shumë ta përdorësh aq më shumë e humbet shpejtësinë dhe pas ca vitesh duhet të blesh një të ri. Ndërsa truri yt mund të jetojë për nëntëdhjetë vjet (dhe nëse e ke ushtruar) kur të jesh 90 vjeç mund të kujtosh shumë gjëra nga sa kujton tani dhe pa paguar asnjë lek.

Pastaj kemi kujtesën historike që nuk ka të bëjë me ndodhitë e jetës tënde apo me çka ke lexuar. Ka të bëje me atë që ka ndodhur para se të lindje ti.

Sot, nëse shkon në kinema duhet të shkosh në një orar fiks, në orarin kur fillon filmi dhe sapo filmi fillon dikush të merr për dore dhe të thotë se çfarë po ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema kurdo, dua të them edhe në mes të filmit. Hyje kur filmi kishte filluar dhe kishin ndodhur ca gjëra dhe ti përpiqeshe të kuptoje se çfarë kishte ndodhur më parë (pastaj, kur filmi fillonte nga fillimi, shihje nëse e kishe kuptuar mirë ose jo) përveç kësaj, nëse filmi të kishte pëlqyer shumë mund ta shihje për herë të dytë).

Dhe ja pra, jeta është si filmat e kohës sime. Ne hyjmë në jetë, kur kanë ndodhur shumë gjëra prej qindra mijëra vitesh dhe është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndodhur përpara lindjes sonë; kjo gjë na ndihmon të kuptojmë se pse sot ndodhin kaq shumë gjëra të reja.

Tani shkolla (përveç librave që ti i lexon vetë) duhet të të mësojë të mbash mend se çfarë ka ndodhur para lindjes tënde, por kuptohet që nuk ta mëson mirë, sepse anketime të ndryshme dëshmojnë se nxënësit e sotëm edhe ata që shkojnë në Universitet, nëse kanë lindur në vitin1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë ka ndodhur në vitin 1980 (dhe mos të flasim pastaj për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vite më parë).

Statistikat thonë se nëse pyet njerëzit se kush ishte Aldo Morro pjesa më e madhe e tyre përgjigjen që ishte Udhëheqësi i Brigadave të Kuqe, ndërkohë që ai u vra prej tyre. Mos të flasim për Brigadat e Kuqe, që kanë mbetur ende mister për shumë njerëz edhe pse kanë ekzistuar veçse 30 vite më parë.

Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vite pas ngritjes në pushtet të fashizmit, por e dija se kush ishte Kryeministri i kohës së Marshimit në Romë (e di çfarë është?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar që ta kuptoja më mirë se sa budalla dhe i keq ishte ai ministër që fashistët e kishin zëvendësuar. Të paktën e dija.

Përveç shkollës, një i ri sot nuk i di emrat e aktoreve para njëzet vitesh, ndërsa unë e dija se kusht ishte Francesca Bertini, që luante në filmat pa zë, njëzet vite para se të lindja unë. Ndoshta, e dija sepse shfletoja grumbullin e revistave në depon e shtëpisë tonë dhe për këtë arsye të këshilloj t’i shfletosh revistat e vjetra sepse është një mënyrë për të ditur se çka ndodhur para se të lindje ti.

Pse është e rëndësishme ta dish se çfarë ka ndodhur para lindjes tënde? Sepse, shpeshherë ajo që ka ndodhur më parë, të ndihmon të kuptosh pse disa gjëra ndodhin sot dhe gjithmonë ashtu si me skuadrat e futbollit është një mënyrë për ta pasuruar kujtesën.

Dhe duhet ta kuptosh se kjo gjë nuk bëhet vetëm me libra dhe me revista. Mund ta bësh edhe në Internet. Interneti nuk përdoret vetëm për të bërë muhabet me shokët, por përdoret (meqë ra fjala) edhe për të bërë muhabet me historinë e botës.

Kush ishin hititët? Po camisardët? Si quheshin tri karavelat e Colombos?A mund të kishte varka e Noes timon? Si quhej paraardhësi i kaut? A kishte më shumë tigra një shekull më parë? Çfarë ishte Perandoria Mali? Dhe kush fliste ndërkohë për Perandorinë e së Keqes? Kush ishte Papa i dytë në histori? Kur u shfaq për herë të parë Topolino?

Mund ta vazhdoj renditjen në pafundësi dhe do të ishin aventura të bukura kërkimore për ty. Dhe do t’i mbaje mend.

Do të vijë që do të plakesh dhe do të duket sikur ke jetuar njëmijë jetë pasi do të ndihesh sikur ke marrë pjesë në betejën e Waterloos, ke qenë i pranishën në vrasjen e Giulio Cesares dhe ke qenë afër vendit në të cilin Bertoldo Schwarz ose Bertoldo i Zi (siç e thërrisnin ) duke përzier substancat brenda një havani gabimisht zbuloi barutin dhe hodhi veten në erë (dhe mirë iu bë).

Miqtë e tu, që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën e tyre, do të jetojnë veç një jetë, jetën e tyre, që do të ketë qenë shumë melankolike dhe pa emocione të mëdha.

Kultivoje kujtesën dhe që nesër mëso përmendësh poezinë – La Vispa Teresa – Tereza e shkathët.

Gjyshi yt

Umberto

Të ngjajshme