11 Qershor, 2019 - 1:53 pm
I dashur zotëri
Letra jote më ka ardhur vetëm dy-tri ditë më parë. Më lejo të t’falenderoj për besimin e madh dhe të plotë që ke treguar. Ka vetëm pak gjëra që mund të bëj. Nuk mund t’i qasem natyrës së vargjeve tuaja, ngaqë cdo qëllim kritikues është shumë i largët për mua. Asgjë nuk është më e papërshtatshme se sa t’i qasesh një vepre arti me fjalë kritike: e gjitha që përfitojmë në raste të tilla, janë pak a shumë disa keqkuptime të lumtura. Gjërat nuk janë dhe aq të kapshme dhe të shpjegueshme sic jemi bërë të besojmë: shumica e situatave janë të pashpjegueshme, ndodhin në një hapësirë ku kurrë asnjë fjalë nuk ka depërtuar, si dhe shumica e këtyre të pathënave janë vepra arti, eksperienca misterioze të jetërave që qëndrojnë përkrah tonës dhe të cilat kalojnë tutje.
Pasi fillova me këtë vërejtje paraprake, e gjitha që mund të them mbi vargjet tua është se ato nuk kanë asnjë identitet të vetin, edhe pse kanë nxitje dhe lënë të kuptohet se ka shenja të dickaje shumë personale. Më së qarti e ndjeva këtë në poezinë e fundit “Shpirti im”.
Ka dicka personale që po përpiqet të dalë përmes fjalëve, ta gjejë mënyrën e vet. Kurse poema e bukur “Për Leopardin”, ndoshta, zhvillon një prirje dhe afërsi (Afinitet) me këtë njeri të madh e të vetmuar. Megjithatë, poezitë nuk rrinë më vete, asnjë e vetë-mjaftueshme, as ajo e fundit apo ajo tjetra kushtuar Leopardit.
Kjo letër e këndëshme që ke shkruar, pa dështuar, i ka përfshirë brenda vetës shumë nga të metat të cilat i kam identifikuar edhe gjatë leximit të vargjeve tua shpjeguese, pa qenë në gjendje t’u jap një emër. Ti më pyet nëse vargjet tua janë të mira. Këtë pyetje më kë bërë. I ke pyetur edhe të tjerët para meje. U dërgon revistave. I krahason me poezitë tjera, dhe shqetësohesh kur editorë të caktuar t’i hedhin poshtë përpjekjet tua.
Pra, (pasi keni lejuar që të t‘ofroj këshilla) më lejo të t’kërkoj që të heqësh dorë nga kjo gjë. Je duke kërkuar nga jashtë, një gjë që mbi të gjitha nuk do të duhet ta bësh gjatë kësaj kohe. Askush nuk mund të t’këshillojë e të t’ndihmojë, askush. Ka vetëm një zgjidhje. Kërkoje brenda vetës. Analizo arsyet që të nxisin të shkruash: kontrolloje nëse i ka shtrirë rrënjët në thellësi të zemrës tende, pranoje para vetës se do të vdisje nëse do të mohohej ndjesia për të shkruar. Mbi të gjitha: pyete vetën, gjatë qetësisë më të errët të natës: a duhet të shkruaj? Gërmo më shumë brenda vetës për të gjetur një përgjigje më të thellë. Dhe nëse është pozitive, nëse gjen mënyrën që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje kaq serioze me një “Po” të thjeshtë dhe të fuqishme, atëherë ndërtoje të gjithë jetën tënde rreth kësaj nevoje, jeta jote e drejtë, edhe në orën e saj më të vogël e të parëndësishme, duhet të bëhet dëshmi e kësaj ndjesie. Pastaj afrohu me natyrën. Provo, tamam si qenia e parë njerëzore, ta shpjegosh atë që e sheh dhe e ndjen, atë që e dashuron dhe që e ke humbur.
Mos shkruaj poezi dashurie; fillimisht evito format që janë shumë familjare dhe të përditshme: këto janë më të vështirat, ngaqë të duhet mjeshtëri dhe fuqi e jshtëzakonshme për të prodhuar dicka të veçantë në një domen i cili na ka dhuruar me bollëk shembuj të mirë e ndonjëherë brilantë. Për këtë arsye, hiqju temave gjenerale dhe strehohu nën atë që ofron jeta juaj e përditshme; deshifro dëshirat dhe dëshpërimet tua, kalo përtej edhe besimit që ke në njëfarëlloj bukurie, përshkruaji të gjitha këto me një intensitet, qetësisht, me sinqeritet të përulur, vije në gatishmëri gjithçka që gjen për ta shprehur veten, imazhet në ëndërrat tuaja dhe mendime nga kujtesa.
Nëse përditësia të duket e boshatisur, mos ia lë fajin; fajësoje veten, thuaji vetes që nuk je poet i mjaftueshëm që t’i shpalosësh pasuritë e saj, sepse nuk ka boshësi për atë që krijon dhe nuk ka vend të varfër, vend trivial. Edhe nëse je në burg ku muret nuk lënë as një zë nga jashtë t’u afrohet shqisave tua, prapë e ke fëmijërinë tënde, një burim të mrekullueshëm e bujar nga thesari i kujtimeve? Ktheje vëmendjen te kjo gjë. Provo t’i ringjallësh ndjenjat e fundosura së së shkuarës së largët, vullneti yt do të bëhet më i fortë për shkak të kësaj, vetmia juaj do të hapet e do ndriçohet për t’u bërë vendbanim në të cilin zërat e njerëzve të tjerë do të dëgjohen vetëm prej së largu. Dhe nëse nga kjo do të kthehesh në brendësi, nga ky nënshtrim i botës tënde do të vijnë vargjet, vetëm atëherë nuk do të të shkojë në mendje t’i kërkosh dikujt nëse vargjet tua janë të mira. Gjithashtu nuk do të provosh t’i bësh revistat të interesohen në punën tënde: sepse në to ti do të shohësh zotësinë e dashurisë natyrale, një copë dhe një zë të jetës tënde. Një vepër e mirë arti lind nga nevoja. Vendimi mbi të varet nga natyra e origjinës së saj: s’ka zgjidhje tjetër.
Për ketë arsye , zotëri i dashur, e vetmja këshillë që kam është kjo: të shikosh te vetja jote dhe të egzaminosh thellësinë nga e cila ka lulëzuar jeta jote; te burimi ti do të gjesh përgjigje nëse të duhet të shkruash. Pranoje këtë përgjigje ashtu si është, pa provuar ta interpretosh. Mbase do të të thërrasë që të bëhesh artist.
Pastaj shtëngoje këtë fat, mbarte barrën dhe madhështinë e tij, pa kërkuar shpërblim që mund të vijë nga jashtë. Sepse ai që krijon duhet ta ketë një botë të veten dhe të gjejë gjithcka brenda vetes, në një botë natyrore që ai ka vendosur ta ndjekë.
Por, ndoshta pas kësaj prejardhjeje në vetvete dhe ngushëllimit ty do të të duhet të heqësh dorë nga ideja e të qenit poet (ideja se të jetuarit pa shkruar është e mjaftueshme, siç thashë, të bësh atë që dikush nuk duhet ta bëjë kurrë).
Edhe atëherë, kur të kesh gjetur paqe në mënyrën se si po të pyes, kjo nuk do të jetë kohë e çuar kot. Çfarëdo që ndodh, jeta jote do ta gjejë një rrugë nga ajo pikë e tutje, dhe kjo do të jetë një gjë e mirë, produktive dhe me ndikim të gjerë në dicka që shpresoj të jetë më shumë se ato që mund të them. Cfarë mund të të them tjetër?
Më duket se gjithçka është theksuar mjaftueshëm; dhe e gjitha që dua të bëj në fund është të të këshilloj t’i shkosh seriozisht dhe me qetësi zhvillimit tënd; nuk mund ta ndërpresësh atë më shumë se sa të shikosh nga jashtë dhe të presësh përgjigje për pyetjet të cilat vetëm instikti yt më i thellë në momentet tua më të qeta do të mundte ndoshta t’u përgjigjej.
Pata kënaqësinë ta shoh emrin e Profesor Horacek në letrën tënde, kam një admirim të madh për një dijetar zemërmirë si ai, një mirënjohje që ka zgjatur për vite të tëra. A do të mund t’ia transmetosh këto fjalë atij, është shumë e sjellshme nga ana e tij që ende më mban në mend, një gjë që e çmoj shumë. Vargjet të cilat me aq besim m’i ke dërguar, po t’i kthej mbrapsht bashkë me këtë letër. Shumë faleminderit për këtë shtrirje dhe ngrohtësinë e besimit të, me sa mundësi që kisha kam provuar që me këtë përgjigje të sinqertë ta bëj veten më të vlefshëm, se sa i huaji që në të vertetë jam. / KultPlus.com
Me gjithë përkushtimin dhe simpatinë
Rainer Maria Rilke
Përktheu Rrona Jaka