29 Gusht, 2023 - 11:55 pm
Historitë e dashurive nuk janë asnjëherë të lehta, aq më tepër të atyre që janë të të njëjtit seks. Një ndër personazhet që e ka vuajtur më shumë persekutimin për shkak të prirjeve të tij dashurore është Oskar Wilde, i cili u burgos disa herë për homoseksualizmin e tij.
Por pavarësisht vuajtjeve, historitë e tij të dashurisë janë ndër më të bukurat. Në qershor të vitit 1891, ai u takua me Lord Alfred “Bosie” Douglas, poet i ri 21 vjeçar që studionte në Oksford, që do të kthehej më pas në muzën e Wilde për të shkruar “Portretin e DorianGrayt”. Gjatë kohës që jetuan së bashku, Oskar shkroi veprat themeltare të krijimtarisë së tij. Janë pafund letrat e dashurisë që ata i dërgonin njëri tjetrit, duke u konsideruar si ndër letrat më të ndjera në historinë e çifteve e njohura të artit.
Një letër e shkruar një ditë të ftohtë nëntori, Oksford 1892 nga Wilde:
I dashur Bosie … Do doja shumë të shkoja diku me ty larg, aty ku është ngrohtë e plot ngjyra…
Disa javë më vonë, në janar 1893 Wilde shkruan:
Djaloshi im,
Soneti që më dërgove ishte i bukur, gati një mrekulli sesi buzët e kuqe të gjetheve të trëndafilave, mund të çojnë në çmendinë e muzikës dhe të puthjes. Shpirti yt i hollë i mbështjellë nga pasioni ecën lehtë drejt poezisë. Pse jeni vetëm në Londër dhe kur do të shkosh në Salibury? Apo do të ftohësh duart në muzg…Këtu është një vend i bukur, por më mungon ti…
Me një dashuri të pavdekshme, i joti Oscar
Në fillim të marsit 1893, Wilde shkruan një letër ku ndjehet padurimi i dashurisë
I dashuri i të gjithë djemve! Letrat jote ishte e këndshme. Verë e kuqe dhe e bardhë për mua…Por jam i trishtuar. Nuk duhet të bësh skena me mua, ato më trishtojnë, më rrënojnë. Unë ju shoh si një krijesë që ke dalë nga antikiteti grek, dhe s’mund t’ju shoh të shtrembëruar nga pasioni. S’mund ti dëgjoj buzët e tua të buta të thonë gjëra të këqija për mua. Mos e thyej zemrën time. Ndjej se duhet të shoh sa më shpejt. Do të vij në Salisbury. Nuk e di si do t’ja bëj. Je diçka hyjnore për mua. Këtu ku jam ka shumë vështirësi. Fatura ime shkon £ 49 për një javë! Tashmë jam ulur në një stol pranë Thames – por ju, nuk jeni këtu i dashuri im, djali im i mrekullueshëm…
Gjithmonë yti
Oscar
Dashuria e tyre nuk ishte e lehtë dhe për shkak të kushteve ekonomike. Në një letër të dhjetorit të vitit 1893 Wilde i shkruan:
Djali im i dashur,
Faleminderit për letrën tuaj. Jam i mbingarkuar nga presionet e kreditorëve aq sa duket se jam buzë greminës por ndjehem i lumtur që jemi sërish miq, dhe se dashuria jonë ka mundur të sfidojë hijen për të mbetur mes dritës, ashtu si një trëndafil i vjetër. Le të jemi gjithmonë të dashur për njëri-tjetrin, siç kemi qenë gjithmonë.
Mendoj për ty çdo ditë e më shumë…
Oskar
Në qershor të atij viti Wilde shkruan:
I dashuri im i shtrenjtë!
Shpresoj që cigaret të kenë ardhur të gjitha. Drekova sot me Gladys de Grey, dhe dy të tjerë këtu. Ata më ftuan të shkoj në Paris me ta të mërkurën, por ti e di nuk kam shumë para të udhëtoj. Më ka marrë malli dhe dua të shoh. Është absurde por nuk mund të jetoj pa ty. Ti je shumë i dashur, i mrekullueshëm…Mendoj për ty gjithë ditën, më mungon lëkura jote, duket sikur lëviz duart në ajër dhe të ndjej…E di që nuk më beson, por në janar të premtoj do ikim bashkë larg, në një udhëtim të gjatë, ku duart e tua të jenë gjithë kohën pranë meje. Do jetë një kohë e bukur djalosh, aq sa do të duam të mos mbarojë. Të dy e meritojmë këtë arratisje.
Më shkruaj, ma ndrysho këtë vetmi
I joti përgjithmonë, Oskar. / KultPlus.com