15 Nëntor, 2019 - 1:30 pm
Korrespodenca e Ian Flemingut me gruan e tij, Ann, do të dalë në ankand në Londër midis 3 dhe 10 dhjetorit. Mbajtur të fshehta mbi njëzet vjet, këto letra rrëfejnë fillimet jozyrtare të idilit të dashurisë që lind midis dy dashnorëve, deri në zyrtarizimin e marrëdhënies së tyre. Një marrëdhënie që do të jetë e rëndësishme në gjenezën e krijimtarisë së romancierit.
Letërkëmbimi epistolar, që shtëpia e ankandeve britanike “Sotheby’s” është gati të ofrojë, përfshin mbi 160 letra midis autorit të serisë së famshme të spiunazhit Xhejms Bond, Ian Fleming dhe asaj që do të bëhet më pas gruaja e tij.
Takimi i tyre daton në vitin 1934. Në atë kohë, Ann ishte e martuar me baronin Shane O’Neil, kurse Ian Flemingu nuk e kishte nisur ende karrierën e tij të shkrimtarit, që do t’i jepte sukses ndërkombëtar. Asokohe, Fleming ishte një bankier i thjeshtë në kryeqytetin londinez.
Vetëm në vitin 1948, pas vdekjes së parakohshme të fëmijës së lindur nga marrëdhënia e tyre, dy të dashuruarit planifikuan të jetonin së bashku. Tashmë Ann ishte e martuar me burrin e saj të dytë, manjatin e shtypit Esmond Harmsworth, viskonti i Rothermere.
Bashkimi i tyre do të bëhej zyrtar në vitin 1952, njëherazi viti i martesës së tyre, që përkon gjithastu me lindjen e fëmijës së tyre të dytë, Caspar. Gjithashtu është botimi i pamfletit të parë të serialit Xhejms Bond, Royal Casino.
“Nuk është rastësi që Ian shkroi Bondin e tij të parë vitin e dasmës së tij, njëherazi si një shkarkim për energjinë emocionale dhe imagjinatën e tij, por edhe për t’u rrekur të fitonte të ardhura për një grua që natyrisht ishte mësuar të jetonte në pasuri”, – shprehet në një deklaratë Gabriel Heaton, specialist i librit dhe dorëshkrimite në Sotheby’s.
Në këtë mënyrë, megjithëse kjo korrespodencë përqendrohet në marrëdhëniet midis dy të dashuruarve, është me interes për gjenezën e veprës së Ian Flemingut. Siç vë në dukje Gabriel Heaton: “Më tepër se ritregimi i një marrëdhënieje me një ngarkesë të jashtëzakonshme erotike, kjo korrespondencë gjurmon ngjitjen meteorike të Bondit dhe shfaq një pamje të gjallë të shoqërisë së lartë të pasluftës”.
Dorëshkrimet do të dalin në shitje në internet midis datës 3 dhe 10 dhjetor. Vlera e tyre përcaktohet midis 200 000 dhe 300 000 sterlinga ose midis 233 000 dhe 349 000 euro./Konica.al / KultPlus.com