12 Gusht, 2020 - 6:30 pm
Nga: Martin Camaj
Në faqet e kësaj reviste (Shejzat – v.j.), vjeti X – 5-6 (1966) 180-189 – patëm pru dymbëdhetë letra të Ndre Mjedjes, dërgue nga Polonia albanologut Gustav Meyer në Graz. Aty Poeti ynë na del në nji dritë të re, sepse na paraqitet për të parën herë si letërshkrues me nji stil elegant në gjuhën italishte, ku flet për vete, për gjuhën shqipe e vendin e vet me nji dashuni të flakët të nji Rilindasi së vërtetë. Ky stil i natyrshëm na zbulon Mjedjen në nji prizëm real të karakterit të tij të pjekun dhe të matun.
Adhurimi që ka për Meyer-in si mjeshtër nuk e pengon që me nji ton nderues t’i shprehë anët e dobta dhe lajthimet, në të cilat kishte ra albanologu i përmendun. Qëllimi i Mjedjes asht që Meyer-i të mbështetej në gjurmimet e veta në landë të sigurtë të shqipes, prandej e dënon fjalorin e Rossi-t, që Meyer-i kishte shfrytzue. Mjerisht nuk i kemi letrat e Meyer-it: kushdi ku kanë mbarue gjatë udhëtimeve të shumta të Mjedjes jashtë dhe mbrenda Shqipnisë.
Shihet qartë se dhe Meyer-i diktoi në Poetin tanë nji mende të mprehtë dhe njeri me nji intuicion të sigurtë. I përgjegji menjiherë; i dërgon për këndim, librat e bibliotekës së vet private, gja që nuk ndodh lehtas ndër dijetarë.
Letra e fundit e Mjedjes nga Krakovia mban datën e 16 marcit 1893. Pata mendue (shif Shejzat 5-6, 1966, fq. 181, 189) se ky letërshkëmbim muer fund me këtë rasë. Tue pasë përduersh tashti të gjitha letrat, dërgue Gustav Meyer-it nga gjuhëtarët e kohës, sidomos shum me randësi ato të albanologut Holger Pedersen dhe të Rilindasve shqiptarë, si të K. Kristoforidhit, të Mitkos, etj., që do të dalin veçmas për shpejti si landë historie shkencore pranë “Südost Institut” të München-it, gjej tash edhe tri letra tjera të Mjedjes, nji nisë nga Görz dhe dy: nga Portorè afër Fiume-s.
Në letrën e parë Poeti i lyp të falun dijetarit për heshtjen e gjatë dyvjeçare. Poeti nuk tregon se për ç’arësye nuk ka shkrue tash dy vjet. Ngjan se gjatë kësaj kohe Mjedja nuk ka pasë kohë të mirret me çashtjen e shqipes. Natyrisht ai nuk përmend gja nëse ka pasë vështirsi në rrugën e jetës që kishte marrë. I kënaqun asht Poeti se i dërgon Meyer-it si dhunti kopjen e parë të fjalorit të Jungg-ut, dërgue nga Shkodra në fashikuj e që ende nuk gjindej në shitje. E siguron se asht i saktë në dhanjen e trajtës së vërtetë të fjalëve shqipe si dhe kuptimit e se nuk mund të krahasohej me fjalorin e Rossi-t, që Poeti e mban të pasigurtë. Ankohet se “ata zotnitë” atje në Shkodër mbështeteshin gjithnji në tradicion e se nuk doshin të pranoshin disa shenja të grafisë së Meyer-it. Mjedja, si dihet dhe nga aktet e Kongresit të Monastirit, asht kundra përdorimit të dy shkrojave për nji tingull: ai ndjek parimin, që sot kanë disa gjuhëtarë modernë, se çdo shenj grafik duhet të përfaqsojë nji tingull ase si thohet sot nji fonem. Asht kundra prandej që š të shkruhet me dy germa sh si dhe zh në vend të ž etj.
Poeti nuk din se çka ka dalë mbi gjuhën shqipe ndër rrethet e gjuhëtarëvet të huej qysh prej korrikut të 1893. Lajmron se posë librave dërgue dy vjet përpara as në Romë dhe në Shkodër nuk ka dalë ndonji gja e re. A mund ta ketë këputë letërshkëmbimin me Meyer-in sepse nuk ka pasë t’i komunikojë ndoj gja të re?
Në letrën e dytë Mjedja lajmon se ka ndrrue prap vend: prej Görz (Gorizia) asht transferue në Portorè, në kështjellin e Frangipane ku jezuitët kishin nji shkollë dhe nji kuvend. Në këtë kolegjë Mjedja asht profesor i filozofisë. Ngjan se asht i kënaqun dhe i impresionuem prej bukurisë së këtij vendi. Bora që Poeti e quen Buro, sigurisht si alusion i etimologjisë së Meyer-it (EW. fq. 55), shkruen se asht i tëmerrshëm, kur ai fryn. Ka shpresë se vjetin e ardhshëm do të botojë diçka në gjuhën shqipe “natyrisht, thotë, tash për tash gjithnji sende të divotshme”. Sigurisht Mjedja në këtë kohë rrekej të shkruente poezi mbi historinë e lashtë të Shqipnisë dhe popullin ilir, në trajtën e Lissus. Lajmron se në Shkodër ipeshkvijt shqiptarë doshin të themeloshin nji akademi studimesh shqiptare e se propozimi kishte ra mbi tê që ta drejtonte. Nuk e ep arësyen pse ky projekt ishte shkue “tutto a fumo”. Sigurisht fjala asht për nji shoqni si ajo e Bashkimit, në të cilën Mjedja ma vonë pat nji rol me randësi.
Letra e tretë e dërgueme gjithnji nga Portorè përmban nji falnderim të përzemërt për dërgesën e Meyer-it të vëllimit të IV të Albanesische Studien. Shkruen se e ka këndue veprën disa herë. Me mendësinë e nji dijetari të vërtetë nuk rrin tue lëvdue auktorin, por në nji mënyrë të njerzishme ven në dukje se në Shkodër nuk thonë dretš (dreç), por dreq. Mjedja mendon se ç e q ortografikisht ngatrrohen në Shkodër, por e vërteta asht se ç e q në shum të folme të kësaj krahine janë shkri ase kanë ra në nji fonem (q ase ç), prandej nga kjo rrjedh se dhe në shkrim ngatrrohen germat në fjalë.
Mjedja ven me të drejtë në dukje se prania e o-s në vend të u-s asht nji karakteristikë e të folmeve lindore gege: në Prizrend thohet odhë në vend të udhë si dhe dokem në vend të dukem. Trajta të tilla djalektore kanë shty dhe Jokl-in të bijë përcaktime të gabueshme mbi shtresat e fjalëve latine në shqipe (Balkan-Archiv, IV 196), që Çabej mandej me të drejtë e kundërshton tue pru faktin se kemi të bajmë me varianta djalektore (krh. Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwârter im Albanischen, në “Revue de Linguistique”, VII – 1 (1962) fq. 164). Mjedja i propozonte Meyer-it që në rasë se donte të bante nji botim të dytë të fjalorit etimologjik, ishte gadi t’i dërgonte dhe informata tjera mbi të folmet e Shkodrës, sepse trajtat e kësaj ane nuk kanë qenë të riflektueme drejt nëpërmjet të ortografisë së Propagandës në përdorim.
Poeti lyp lajme prej Meyer-it dhe rreth levizjes kulturore të arbreshëve të Kalabrisë me në krye De Radën. I ka ra në vesh se atje ishte themelue nji shoqni për zhvillimin e studimeve rreth gjuhës shqipe. Albanologu Meyer i ndoq kambë për kambë të gjitha levizjet shqiptare të Rilindasve tonë. Mun ai u ba vetë trumbetues i këtyne përpjekjeve tue shkrue dhe në gazeta mbi gjallninë e intelektualëve shqiptarë. Poeti ynë don që dijetari austriak të vejë dorë dhe të mbarojë nji gramatikë krahasuese të shqipes: ai këtë e lyp në shum letra me kryeneçsi, sepse nji vepër të tillë ky e sheh të nevojshme “për lumninë e Shqipnisë” sepse tue i tregue botës randësinë e shqipes në gjuhësinë krahasuese indoeuropiane, Mjedja e din se shkon në të mirë të çlirimit të popullit shqiptar dhe trajtimit të nji shteti në vete. Ky asht piksynimi i Rilindasve dhe për këtë qëllim punojnë e shkruejnë si Mjedja, Mitko, etj. /KultPlus.com