14 Prill, 2020 - 2:30 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka nisur një fushatë leximi në këto kohë karantine. Leximi është një ndër prioritetet kryesore të QKLL-së e cila në platformën e saj parashikon dhe hartimin e një ligji për leximin.
Por këtë herë janë të rinjtë që i janë bashkuar kësaj nisme duke i kthyer mbasditet e tyre në karantinë në orë leximi të librave që kanë shënjuar ngjarje në historinë e letërsisë.
“Murtaja” e Kamysë, librina çon në qytetin e pushtuar nga vdekja mund të dëgjohet tashmë në faqet online të QKLL-së nën leximin e një grupi të rinjsh pasionantë të librit.
Ndër librat e përzgjedhur nga të rinjtë janë “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit dhe “Kryeministri” i Ben Blushit. Një nga romanet më të mirë të prozës bashkëkohore shqipe. Blushi ka aftësinë të bëj parashikime dhe në këtë libër autori i zhvendos ngjarjet në vitin 2021. Në romanin “Kryeministri” të Ben Blushit, populli është thellësisht i pakënaqur me qeverinë, premtimet e saj të pa mbajtura dhe ekonominë në regres.
Për të mundësuar vazhdimësinë e qëndrimit në pushtet, kryeministri vendos të “luajë” me popullin e zhgënjyer prej tij, duke inskenuar një atentat dramatik ndaj vetvetes, me shpresën e ngjalljes së empatisë në radhët e elektoratit.
Realizimi i krimit i besohet një ushtari të ushtrisë shqiptare, i cili kish shërbyer më parë në Afganistan dhe ku ish trajnuar si qitës profesionist. Ai duhet ta plagosë kryeministrin gjatë një tubimi, por në asnjë mënyre ta vrasë atë.
Personazhi i “snajperit”, i cili shërben edhe si narrator i ngjarjes, përcjell idetë e autorit mbi gjendjen aktuale politike në vend dhe se si politika mund të ndryshojë jetën e individit, ta përdorë atë pamëshirë, në dobi të qëllimeve të një grushti njerëzish.
Gjatë periudhës së shërbimit në Afganistan, snajperi bie në kontakt me disa qarqe të dyshimta, me natyrë terroriste. Komunikimi i snajperit me këto qarqe, përdoret si mjet shantazhi nga persona të afërt me kryeministrin, të cilët i kërkojnë të kryejë atentatin, në të kundërt do e akuzojnë si bashkëpunëtor i terroristeve.
Në çastin e fundit, duke e pasur figurën mitomane të kryeministrit nën shënjestër, “snajperi” ose “alter ego” e njeriut të lodhur nga kasta sunduese dhe rregullat një sistemi shtypës e të padrejtë, vendos të tërheq këmbëzën, duke e lënë kryeministrin të vrarë në vend.
Romani është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë e mjaft të absorbueshme. Rrëfimi në vetë të parë e bën atë intrigues dhe i dhuron një vërtetësi autentike, duke e tërhequr lexuesin faqe pas faqe, në pritje të asaj që do të vijë më pas. Dialogët janë të paket dhe mbizotëron përshkrimi i gjendjes psikologjike dhe personazheve të tjerë, si një formë analize meditative e autorit. /KultPlus.com