6 Qershor, 2019 - 6:29 pm
Këshilla, truke, shembuj, anekdota … Gjithçka argëtuese, dhe në mënyrën e vet, gjithçka e padobishme. Të shkruarit është diçka kaq absolutisht individuale, saqë nuk mund t’ua përplasësh në fytyrë të gjithëve. Por të lexosh se si shkruhet, është gjithmonë interesante. Sidomos në qoftë se ata që tregojnë, janë shkrimtarë me të vërtetë “të mëdhenj”.
Si Jack Londoni – rrëfimtari epik i tregimeve epike, ndër të tjera, autodidakt:: ai mësoi të lexojë e të shkruajë vetë kur ishte rreth pesë vjeç – nga i cili, një shekull pas vdekjes së tij, është botuar një koleksion i artikujve, letrave dhe komenteve (ka gjithashtu një replikë ndaj një akuze për plagjiaturë …), me titullin “Forca e letërsisë”.
Eshtë një libër shumë i bukur. Dhe jo për shkak se ai mëson si të shkruash. Por sepse mëson shumë për vullnetin e fortë që nevojitet për t’u bërë shkrimtar. Duhet që ta duash këtë gjë, kundër të gjithëve dhe kundër çdo gjëje, madje edhe kundër vetvetes ndonjëherë. Nuk është çudi, në mesin e shumë këshillave që Jack Londoni ndjen të japë (ai që njohu shumë refuzime e dështime), është puna. Vetë të shkruarit. “Gjithmonë mbani një fletore me vete. Merreni me vete kur udhëtoni, kur hani ose flini. Hidhni në të çdo mendim që fluturon në mendjen tuaj. Letra e mirë prishet më pak se sa materia gri dhe shenjat e lapsit tuaj zgjasin më shumë se sa kujtesa. Dhe në fund, punoni. Shkruajeni me gërma të mëdha: PUNE, PUNE, gjithë kohës”, thotë ai në artikullin “Si të të botojnë”, që doli në “The Editor” në vitin 1903, vit në të cilin do të botohej edhe libri “Thirrja e pyllit”.
Për pjesën tjetër, Londoni shpjegon se sa i rëndësishëm është për një shkrimtar origjinaliteti, i cili rrjedh nga një filozofi personale mbi jetën, “një kut me të cilin të matësh të gjitha gjërat e njohura”.
Dhe pastaj copëzat e urtësisë. Si: Mëso se si të përzgjedhësh ato që lexon (nuk duhet të lexosh, por duhet të LEXOSH MIRE); së pari mëso të lexosh, e pastaj të shkruash; “Humori është gjëja më e vështirë për të shkruar”, (por është më e lehta për të shitur); “Përqëndroni forcat tuaja në një tregim, në vend se t’i shpërndani ato në një duzinë.” Dhe pastaj – rregulli më i rëndësishëm – “kontrolloni që poret tuaja janë të hapura dhe që tretja juaj është e mirë”. Që si këshillë nuk vlen aspak. Por është një frazë e shkruajtur vërtetë mirë./KultPlus.com