4 Gusht, 2019 - 11:30 am
Nuk lind lexues, por bëhesh. E mbase bëhesh më thjesht nëse trashëgimia e lënë nga prindërit, përveç të mirave materiale dhe të dhënave gjenetike, përfshin edhe një bibliotekë të pasur.
Një fëmijë që rritet mes librave me përralla dhe aventura, do ketë më shumë mundësi të bëhet një lexues i mirë edhe pse, përjashtimet ekzistojnë.
Të dhënat e fundit tregojnë se të rriturit janë ata që po lexojnë gjithnjë e më pak dhe shpesh herë janë prindër, ndërsa përqindja më e lartë e lexuesve është tek moshat nga 11 në 14 vjeç.
Deri para pak vitesh, shkëputja nga leximi ishte si pasojë e ‘shpërqendrimit në masë’ nga televizioni dhe videolojërat. Sot janë shtuar smartfonët dhe rrjetet sociale, të cilat nga njëra anë japin mundësinë për t’u shprehur dhe nga ana tjetër, në mënyrë paradoksale, kanë tkurrur aftësitë tona të konceptimit dhe mirëkuptimit.
Gjuhëtari italian Tullio De Mauro, në kursin e të gjithë aktivitetit të tij intelektual, kishte nënvizuar rëndësinë e kontekstit familjar të edukimit në brezat e rinj.
De Mauro nënvizonte se, nga vitet ’80-’90, është vënë re një fakt intuitive: pavarësisht sa mundohej shkolla dhe institucionet, niveli shkollor dhe stimuli intelektual i familjes janë drejtpërdrejtë proporcional në nivel suksesi dhe interesi për kulturën e fëmijëve.
Kësaj duhet t’i shtojmë edhe rolin e rëndësishëm që luan kultura në jetët tona.
Nëna ime dhe babai im nuk e kishin bërë universitetin, nuk ishin ‘lexues të rregullt’, por gjithnjë më tregonin se edukimi është i rëndësishëm dhe diçka e bukur.
Ndihem një përjashtim, madje një përjashtim i përjashtimit.
Kam lindur në vitin 1991. Në shtëpinë time nuk lexohej shumë, e megjithatë prindërit e mi, të lindur pas luftës, më kanë bërë gjithnjë ta perceptoj librin si një objekt të rrethuar nga një aureolë të shenjtë (në kuptimin më të mirë që mund të përmbajë shprehja).
Nëna shtëpiake me pasionin për filmat e dashurisë dhe babai artisan, mbi tavolinën e punës së të cilit mund të gjeje shumë materiale, por jo romane, u edukova me respektin për leximin.
U bëra lexuese-shkrimtare e pandreqshme dhe “doktoreshë në letërsi dhe gjuhë të huaja”, duke mbajtur në mendje kujtimin e librave që më dhuroheshin kur isha fëmijë.
“Lexoji të gjithë dhe mos i prish”, më thuhej teksa merrja pako me libra.
Kështu, mendoj se nuk mjafton të edukosh të rinjtë me leximin dhe kulturën. Duhen edukuar njerëzit me rëndësinë e leximit dhe kulturës”. Kjo duhet të jetë motoja e vërtetë për të cilën ka nevojë vendi.
Të drejtosh gishtin vetëm kundër brezave të rinj është e paarsyeshme. Do ishte si të çuditeshim teksa shohim që bie një shtëpi pa themele./Ora News.tv/