4 Janar, 2024 - 6:25 pm
Ibrahim Berisha. (2023). E drejta e thënies. Prishtinë: Pen Qendra e Kosovës.
Libri i profesorit dhe shkrimtarit Ibrahim Berisha, është shkrim për lirinë, të drejtën për ta thënë, shkruar, publikuar, konsumuar dhe përdorë publikisht të vërtetën, e cila historikisht shqiptarëve në Kosovë, u ishte ndaluar, kufizuar dhe thënia e saj ndëshkohej gjerësisht. Janë tema këto tema që fokusojnë fenomenet kulturore prodhuar nga mungesa e lirisë dhe që ende, edhe sot e kësaj dite, refleksionet e mungesës së saj, janë të dukshme në sferën e komunikimeve publike.
Shquhen përmbajtjet tematike, ese sociologjikë e letrarë, për ambientin komunikues social e intelektual. Është ese për Prishtinën, për diskursin kolonial monografik që e zhvendosi të vërtetën e qytetit nga realiteti historik e kulturor në fiksion mesjetar e kolonial serb. Kontaminimi ideologjik dhe pafuqia ende për të dalë nga ky mbizotërim postkolonial publik, është treguar me hulumtime ndërdisiplinare.
Ese me qasje po kreative kritike është edhe ai për Universitetin e Prishtinës, institucionin që krijoi sisteme të reja masive arsimore, shkencore, kulturore dhe identitare, duke qenë identifikues i vetë transformimeve po edhe ngecjeve të shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshëvës. Berisha identifikon përmasën e gjerë të kontributit të Universitetit në krijimin modern të identiteti shqiptar e qytetar, të kohezionit dhe dinamikës integruese sociale dhe publike, kur në vitet 1978/1987, në këtë institucion mesatarisht gjatë një viti akademik studionin 6000 studentë që vinin nga jashtë Kosova.
Liria intelektuale dhe intelektuali, krijues dhe konsumues, është pjesë domethënëse e librit.
Një nga temat për të cilat jo rrallë diskutohet në shoqërinë tonë, a është liria ajo që duhet të jetë. A është ajo që është imagjinuar dhe kënduar pa u ndalur, për të cilën është sakrifikuar dhe investuar aq shumë. Së paku, të jetë e mirë e përgjithshme publike sikur ajri, apo shpresë, se një ditë e mirë publike do të jetë edhe uji që shpërthen me burime nga toka apo bie prej qielli.
Liria e mirë niset nga një kriter praktik: qytetarët janë të barabartë në detyrime dhe privilegje. Apo në privilegje dhe detyrime.
Kur mendohet ky kontekst domethënës i lirisë, pasi ka edhe të tjerë jo më pak të rëndësishëm, atëherë, kuptohet, bëhet fjalë për lirinë në kuptimin e plotë të saj. Ajo që duhet të jetë. E patransferueshme.
Në këtë kuptim, liria është e barabartë vetëm me lirinë dhe me asgjë tjetër, shkruan autori, Janë po kështu nxitëse edhe temë edhe qasjet për lirinë dhe shkrimtarin, luftën dhe shkrimtarin, librin, leximin e munguar, akademizmin fiktiv, të drejtën e autorit dhe plagjiatin e nxitur nga teknologjia dhe shpërputhja ndërmjet normës dhe zbatimit të saj. Në këtë frymë kritik autori i qasje edhe familjes që ka ndryshuar, duke mos qenë më bërthamë sociale fizike, reale, po bërthamë komunikuese-emocionale, fiktive, e shtrirë në shumë shtete dhe kontinente.
Ibrahim Berisha, sociolog i kulturës dhe komunikimeve, dëshmohet si hulumtues i fenomeneve moderne publike dhe këtë e ka dëshmuar edhe me studimet dhe publikimet e mëparshme shqip dhe në gjuhë të huaja. /KultPlus.com