Libra dhe dorëshkrime orientale, pasuri e çmuar e Bibliotekës Kombëtare

29 Prill, 2025 - 5:48 pm

Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt të rëndësishëm për përpunimin dhe përshkrimin bibliografik të dorëshkrimeve orientale që ruhen në fondet e bibliotekës.

Përmes një njoftimi në “Facebook” bëhet ditur se ky koleksion i veçantë përfshin dorëshkrime dhe libra në gjuhën arabe, osmane, persiane, si dhe disa materiale në gjuhën shqipe të shkruara me grafi arabe.

“Dorëshkrimet janë grumbulluar nga vende të ndryshme të rajonit – kryesisht nga xhami dhe teqe – dhe janë pjesë e një trashëgimie të çmuar kulturore dhe fetare. Këto materiale janë mbledhur në vitin 2002. Deri më tani, më shumë se gjysma e këtyre dorëshkrimeve kanë qenë të regjistruara vetëm në skeda letre, me të dhëna të pjesshme dhe në alfabetin oriental. Për shkak se nuk janë përfshirë në katalogun elektronik të bibliotekës (Aleph), qasja në to ka qenë e kufizuar”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se me ndihmën e një specialisti të gjuhëve orientale është filluar të punohet në përshkrimin dhe katalogimin e materialeve në mënyrë profesionale.

“Qëllimi ynë është të bëjmë të mundur qasjen më të lehtë për studiuesit dhe publikun, si dhe të ruajmë dhe promovojmë këtë trashëgimi të rrallë. Dorëshkrimet përmbajnë vlera të jashtëzakonshme në fusha si teologjia, historia, letërsia, mjekësia etj. Ato dëshmojnë aspekte të rëndësishme të jetës shpirtërore, arsimore dhe shoqërore të vendit ndër shekuj”, thuhet në njoftim, teksa bëhet ditur se ky është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit, ruajtjes dhe prezantimit të trashëgimisë sonë orientale.

Të ngjajshme