Libra që s’duhen humbur nga letërsia shqipe

7 Nëntor, 2021 - 2:59 pm

“Çdo pyetësor mbi hierarki vlerash ka brenda grackën përkatëse, prandaj para se t’i përgjigjem kërkesës suaj më duhet të saktësoj se unë nuk jam dalluar ndonjëherë për kritik apo ndonjë lexues i rregullt dhe se këto nuk janë librat që sipas meje “duhen” lexuar, por librat që më pëlqejnë mua për aq sa kam lexuar dhe m’u kujtuan  gjatë këtij pyetësori. Nga ana tjetër, nga aq sa kam lexuar nga shkrimtarët e sotëm, ka mjaft prej tyre që më kanë pëlqyer, por që pyetësori nuk më le shumë hapësirë për t’i përfshirë”.

Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe profesor, është shprehur kështu ndërsa rendiste 10 libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe për lexuesin e Mapo Letrare.

Migjeni- “Vargjet e lira”

Pararendës i letërsisë moderne shqiptare. Kam përshtypjen se realiteti shqiptar ishte i papërgatitur për të pritur letërsinë e tij. Më kanë mbetur në mendje disa vargje nga «Burgu».

…hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme,

dy anmiq të betuem, luftojnë dit’ e natë;

por hekr’ i fortë e mund ndërgjegjen teme

dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt

gëzohem fort, se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt’,

por t’u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë

edhe hijën teme tu’ u zgjatë në murt….

Migjeni- “Luli i vocërr”

Tregimet e Migjenit dallohen për ndjeshmërinë e hollë ndaj realitetit të zymtë shqiptar të asaj kohe, një flamur i melankolisë, dhembjes dhe trishtimit.

Mitrush Kuteli- “Tregime të zgjedhura”

Mjeshtër i rrëfimit dhe i larmisë së gjuhës shqipe. Personalisht kam përfituar mjaft duke lexuar librat e tij, jo vetëm nga përmbajtja por kryesisht nga pasuria dhe larmia e gjuhës shqipe. Në përmbajtje tregimet e tija janë drama të papërsëritshme të tri kohëve të etnisë shqiptare.

Ismail Kadare- “Kronikë në gur”

Pranohet që mjeshtëria fshihet te thjeshtësia. Në thjeshtësinë dhe naivitetin në dukje “Kronikë në gur” mund të quhet një testament i ngulmit të shpirtit njerëzor. Rrethuar nga magjia e femrës së bukur dhe librave fëmijë, kjo është mënyra që një fëmijë mund ti rezistojë peripecive  të luftërave të të rriturve

Përmes syve të një fëmije zbulohet  tmerret e luftës së Dytë Botërore dhe shija e jetës në të tilla  rrethana..

Ismail Kadare- “Viti i mbrapshtë”

Një rrëfim tipik i shkrimtarit, i cili ndjek fatin e disa individëve përcaktuar nga faktorë historikë, që pretendojnë të luftojnë për Shqipërinë, por pa e gjetur dot armikun .

Ironi therëse, një rrëfim i fuqishëm mbi  natyrën dhe karakterin paradoksal të shqiptarit.

Ismail Kadare- “Koncert në fund të dimrit”

Për mua një ndër librat më të fuqishëm të letërsisë antitotalitariste të Europës së Lindjes. Një sarkazëm mbi shtypjen e  pavarësisë së individit, shpirtit të tij kritik e krijues.

Romani është një model se si letërsia mund t’i rekamandojë një shoqërie, në rastin tonë shoqërisë shqiptare), jo se si duhet të jetë, por se si nuk duhet të jetë.

Fatos Kongoli- “I humburi”

Roman që na rrëfen se si një shoqëri që ka prekur fundin, ku secili abuzon nga pak me pushtetin që ka mbi ata që ka nën vete. mund të rigjejë forcën për të rilindur. Libër i zymtë ku njeriu nuk mund t’i shmanget dot fatit të tij dhe asnjë  mundësi për të ardhmen,  veç  aftësisë për të shkatërruar tjetrin.

Njerëzit jetojnë vetëm me të sotmen.

Dilema e fortë pasi lexon këtë libër : cila na përcakton sjelljet dhe pikëpamjet tona : natyra e vetë njeriut apo natyra e regjimit që kornizon shpirtrat njerëzorë.

Bashkim Shehu- “Moxart me vonesë”

Kam mësuar me këtë libër më shumë mbi realitetin e persekutimit se sa librat e historisë shkruar mbi këtë temë.

Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nëpërmjet fokusimit në mjediset artistike dhe pushtetarë, paraqiten xhelatë dhe viktima, fajtorë dhe bashkëfajtorë, shpirtra të përçudnuar dhe shpirtra që, me dëshpërim, përpiqen të ruajnë brenda vetes një dritëz vërtetësie, në farsën e teatrit të madh të jetës nën totalitarizëm. Hija e një të kaluare që shtrihet deri në ditët tona.

Fatos Lubonja- “Ridënimi”

Dëshmi reale mbi diktaturën vdekjen, frikën dhe shpresën për jetë.

Visar Zhiti- “Ferri i çarë”

Libër befasues, si mund të shkruhet mbi realitetet e ferrit dantesk me humanizëm dhe frymë poetike.

Një rrëfim tronditës, plot me episode befasuese, me mesazhe të thella njerëzore, me emocionin e bukur që përçon arti i lartë. Dokument i gjallë që dëshmon dhunën e madhe e të gjithanshme të diktaturës dhe qëndresën ende më të madhe të atyre që i dolën përballë.

Me të drejtë na kujton se është madhështi të dish të qash, të shprehësh vetë intimitetin e shqyer në të jetuarit e drejtpërdrejtë pikërisht me ndjenja./KultPlus.com

Të ngjajshme