1 Shtator, 2018 - 4:00 pm
Përkthyesi i njohur i spanjishtes Bajram Karapolli teksa tregon se këto ditë do të dalë në shitje romani i tretë dhe i fundit i Ernesto Sabatos, «Abadoni, engjëlli i skëterrës», tregon një episod mbi udhëtimin e tij kohë me parë në Buenos Aires ku në një librari është hasur me veprat e Enver Hoxhës. ” Ishte aty nga mesi i dhjetorit të vitit 2000.
Po ecja përgjatë Avenidës “Corrientes”, në Buenos Aires, në kërkim të ndonjë bukinisti, për të blerë romanet e Ernesto Sabatos. Dihet se në këto lloj librarish të vjetra mund të gjesh libra të çmueshëm me çmim tejet të arsyeshëm. Hyra në një të tillë dhe po këqyrja librat në rafte. Për çudi vështrimi im kapi shpinën e disa të ashtuquajturave vepra të Enver Hoxhës: “Me Stalinin” dhe “Rreziku angloamerikan për Shqipërinë”.
Natyrisht në spanjisht. Për të shuar kureshtjen pyes pronarin, një burrë i moshuar, se si kishin mbërritur ato libra në librarinë e tij. Ka 15 apo 20 vjet, më thotë, m’i sollën nja dy persona, mbase të ambasadës së Shqipërisë. Kur u thashë se nuk më duheshin, më thanë se nuk do të m’i shisnin, përkundrazi, do të më paguanin për to.
Natyrisht, pranova. Më thanë t’i vendosja në vitrinë se donin t’i fotografonin. I fotografuan, më paguan dhe ikën. Pastaj unë i vendosa në raft dhe ja ku janë. Paradoksi: të gjesh në Argjentinë librat e diktatorit të Shqipërisë të përkthyera në spanjisht, ndërkohë që shkrimtarë argjentinas si Borges, Sabato, Arlt, Cortazar, etj, gjigantë të letërsisë botërore të mos ua kesh dëgjuar as emrin e jo më t’i kesh lexuar në shqip.
Dhe kini parasysh ato çka thotë për Shqipërinë Sabato në romanin e tij të fundit. A nuk është për të vënë duart në kokë?! Vetëm barbaria komuniste mund të bënte gjëma të tilla që, gjatë gjysmë shekulli, të ndalonte autorë të tillë e aq më tepër libra të tillë, ku lexuesi shqiptar do të gjente fragmente me lëvdata dhe hyjnizime për atdheun e tij” shkruan Karapolli./ KultPlus.com