18 Dhjetor, 2022 - 9:30 pm
Flonja Haxhaj
Në Kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt një tryezë diskutimi ku u fol për sfidat e botuesve të librave në Kosovë, shkruan KultPlus.
Ndonëse sfidat e botuesve rriten nga vitit në vit e që ajo që po i shoqëron tash e sa kohë është zëvendësimi i shtypit industrial me atë digjital, viteve të fundit, i është shtuar edhe rritja e çmimit për botim të një libri, pas rritjes së çmimit të letrës.
I pari në këtë tryezë diskutimi foli Hajdar Fejzullahi, i cili përshëndeti këtë panair i cili tashmë është bërë si traditë.
Ai më tutje foli edhe për sfidat për botimin e librit, nga prespektiva e tij si pronar i një prej shtypëshkronjave në Kosovë.
“Nëse flasim për sfidat e botuesve, natyra e botimeve në krahasim me atë të para 30 viteve ka ndryshuar shumë sepse është shndërruar shtypi industrial në shtyp digjital prandaj nuk e di sa jemi të qartë në plotësimin e kërkesave të krijuesve sa do që ne përpiqemi, po kemi disa pengesa për shembull pengesat e natyrës së shtypit të cilat nuk i kupton qytetari i thjeshtë, as krijuesi nuk i kupton.”, u shpreh Fejzullahi.
Ndërkaq, botuesi Berat Dakaj thotë se një prej sfidave për botuesit ëstë edhe shuma që vjen nga ministria e Kulturës, e që sipas tij është e vogël në krahasim me shumën që merr një libër për t’u botuar.
“Një ndër sfidat e tjera është edhe sigurimi i të drejtave të autorit, sepse Ministria e Kulturës nuk e përkrah shumën për sigurimin e të drejtës së autorit. Madje, kur të kërkohet e drejta e autorit, jo lehtë sigurohet”, shprehet Daka i cili mes tjerash thotë se për të kërkuar e drejta e autorit të një libri të autorit latino-amerikan, kanë marrë përgjigje dy muaj më vonë.
Ai më tutje deklaroi se me rritjen e çmimeve të tjera është rritur edhe çmimi i letrës, dhe njëtrajtshëm ëstë rritur edhe çmimi për botimin e një libri.
Më pas fjalën e mori Vjosa Mehmeti nga Shtëpia Botuese ‘Rozafa’e cila foli për bashkëpunimin rajonal e sidomos në atë në mes të botuesve shqiptarë.
“. Panairet janë një nga format që kontriobuojnë në bashkëpunim më të frytshëm nëpërmjet botuesve shqiptarë pa marrë parasysh se ku veprojnë mirëpo duhet të kenë më shumë kontakt në forma të tjera të bashkëpunimit, qoftë në fushën e botimit, qoftë në atë të projekteve të përbashkëta me interest të ndërsjellë”, tha Mehmeti.
Kurse, sipas Alfred Bekës, një sfidë më vete është edhe numri i vogël i lexuesve.
“Para disa javëve publikova në Facebook, pesë libra me poezi të autorëve kosovarë, e këtë postim e sponzorizova për një javë. Përgjatë një jave nuk është lajmëruar asnjë lexues. E ajo që më bëri përshtypje është që u paraqitën diku rreth 7-8 persona që kërkonin t’ju botohej libri”, u shpreh mes tjerash Beka, duke thënë se tani më shumë mund të ketë autorë se sa lexues.
Ju kujtojmë që Panairi i Librit të Vjetër, të rrallë dhe të Përdorur është është organizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Drejtorisë së Kulturës të Komunës së Prishtinës.
Ky panair ka filuar më 16 dhjetor dhe është përmbyllur me tryezën e diskutimit në ditën e sotme./ KultPlus.com