Librat me “receta suksesi”, më të kërkuarit në Kosovë

6 Korrik, 2019 - 10:57 am

Diversiteti i interesimeve të lexuesve në Kosovë ende nuk është bërë pjesë e ndonjë shqyrtimi. Por të dhënat e përafërta flasin se lexuesit kosovarë gjithnjë e më tepër po priren drejt librave joletrarë.

Të parapëlqyer mbesin librat psikologjikë dhe recetat e suksesit në jetë. Librashitësit në Prishtinë vërejnë se kërkesa për librin vazhdon të mbetet konstante, pavarësisht të dhënave shqetësuese të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku gjatë dhjetë vjetëve të fundit janë mbyllur 53 biblioteka, shkruan sot Koha Ditore. Megjithëse zyrtarisht thuhet se ka 120 mijë lexues më pak nga viti në vit, lexuesit që iu drejtohen librarive kanë kërkesa specifike për librin.

Leximi si argëtim

Edon Zeneli, drejtues i shtëpisë botuese “Pema”, ka thënë se lexuesi në Kosovë, për dallim nga ai në Shqipëri, pëlqen edhe librat jashtë letërsisë.

“Viteve të fundit vërehet një trend në rritje i interesimit dhe shitjes së librave joletrarë. Psikologjia, ekonomia, filozofia janë shpesh fusha që shiten më shumë se letërsia”, ka thënë ai. Kështu, në librarinë “Buzuku”, top-pesëshja e librave më të lexuar gjatë këtij viti ka qenë: “Ikigai” nga Francesc Miralles dhe Hector Garcia; “Inteligjenca emocionale” nga Daniel Goleman; “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” nga Veton Surroi; “Becoming” nga Michelle Obama dhe “Forca e faktit” nga Hans Rosling.

Sipas Zenelit, prirja për libra joletrarë ka të bëjë me faktin se lexuesi “kërkon të mësojë më shumë sesa të lexojë si proces argëtues”.

“Me gjasë toplistat s’mund të na e japin pasqyrën reale të fushave që lexohen më shumë, meqë numri i titujve nga letërsia është shumëfish më i madh se nga fushat e tjera, dhe rrjedhimisht edhe shitja shpërndahet në gjithë ata tituj, por megjithatë jep një tregues”, ka thënë ai.

Edhe në librarinë tjetër të kryeqytetit “Artini” kërkesat e lexuesve kanë qenë të njëjta me këtë trend. Në top-listën e librave më të shitur gjatë këtij viti në këtë librari kanë qenë titujt: “Të bëhesh” nga Michelle Obama; “Gënjeshtarë të vegjël” nga Fatos Kongoli; “Muhaxhirët” nga Bejtullah Destani; “Mesjeta ime” nga Ag Apolloni dhe “Hipi” nga Paulo Coelho./Koha.net 

Të ngjajshme