2 Shkurt, 2025 - 9:30 pm
Libri “Dorëshkrimi fanariot” nga autorja Doina Ruşti do të promovohet më 4 shkurt, të martën, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini” (te Sheshi “Nëna Terezë”).
Për të diskutuar rreth librit, panelistë do të jenë: Maniela Sota, përkthyese e librit; Osman Gashi, profesor i letërsisë dhe i gjuhës shqipe.
Promovimi do të moderohet nga Liridona Bytyçi.
Shënim: “Dorëshkrimi fanariot” nga autorja Doina Ruşti është pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative.
Shënim për librin:
Libri “Dorëshkrimi fanariot” është një roman me personazhe të shumta dhe një ngjarje jashtëzakonisht interesante – një rikonstruktim i një historie dashurie. Ky libër është konsideruar, me të drejtë, vepra më e mirë e autores, e cila ka shprehur një interesim të theksuar për historinë e Bukureshtit të shekullit XVIII. Ajo na e sjell Bukureshtin, të perceptuar nëpërmjet letërsisë së fiksionit.
Shënim për autoren:
Doina Ruşti është një shkrimtare dhe akademike e njohur rumune, e cila është e njohur për romanet e saj historike dhe bashkëkohore. Ajo studioi letërsinë rumune në Universitetin e Bukureshtit dhe ka marrë një doktoratë në histori letrare.
Veprat e saj shpesh përfshijnë historinë rumune, folklorin dhe mistikën duke i lidhur ato me tema moderne. Stili i shkrimit të Ruştit është i famshëm për thellësinë intelektuale dhe stilin e saj lirik./ KultPlus.com