29 Tetor, 2019 - 9:44 pm
Libri i sociologut Ibrahim Berisha, “Death of Colony” që u editua (tetor, 2019, f.342) nga Shtëpia Botuese Jalifat Publishing, Houston, USA në gjuhën anlegeze, vë në fokus kolonizimin e Kosovës nga shteti serb, pasojat e këtij kolonizimi dhe ndryshimet strukturore sociale, ekonomik dhe kulturore të popullit shumicë, shqiptar. Ky libër është zgjerim i literaturës për studimet koloniale duke futur përvojën Kosovë: Serbi-Jugosllavi, Shqiptaro-Serbe. Kosova ishte koloni e harruar, e braktisur, e izoluar, e fshehur në Evropë.
…
Libri ”Death of Colony” përmes argumenteve dhe analizës sociologjike, ekononmike dhe kulturore, do të krijojë një pamje më të qartë për Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët. Kosova ishte koloni e harruar, e braktisur, e izoluar, e fshehur në Evropë. Vdekja e kolonializmit qe e vështirë, por ndodhi në fund të shekullit XX, pas një tragjedie ku pësuan masivisht civilët shqiptarë, por, të cilën për ta ndaluar atë dhe spastrimin e plotë, u përfshi edhe bashkësia ndërkombëtare duke ndërhyrë ushtarkisht.
Libri ka në fokus mendësinë dhe praktikën koloniale të Serbisë në Kosovë gjatë shekullin XX. Politikat koloniale dhe krimet për territore dhe spastrime masive etnike në periudha krize a komode, shfrytëzimi, diskriminimi masiv sistemor dhe i strukturuar ndaj shqiptarëve të kolonizuar, prodhuan efekte të shumta sociale, politike, ekonomike, demografike, kulturore, arsimore etj., të cilat janë hulumtuar dhe analizuar në këtë studim multidisiplinar.
Kolonia Kosova në shek.XX, është matematikë e veçantë me shumë projekte dhe praktika, e një shteti në Evropë që do ta shtrijë sovranitetin në hapësirë të huaja pa zgjedhur mjete, duke ndërtuar një herësh sisteme propagande funksionale: paraqitje e krimit dhe dhunës shtetërore si mbrojtje dhe reagim të viktimës që ka Mision të Shenjtë në Portën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Politikat koloniale, bazuar në argumentime shumëburimore, janë potenciale të harmonizuara: Shtet, Kishë Ortodokse Serbe dhe institucione shkencore dhe kulturore. Autori thekson se shkrimi i librit është i motivuar edhe nga përvojat personale dhe kolektive e shqiptarëve, të cilët janë përballur me pasojat e këtij sistemi.
Është rezultat i një pune të gjatë 20 vjeçare, i konsultimit me burime përkatëse,veçmas me burime primare serbe dhe jugosllave që prodhuan dhe arsyetuan politikat koloniale. Janë shfrytëzuar burime arkivore, literaturë, dokumente, të dhëna statistikore, media, etj.
Praktika koloniale në Kosovë, përbën një përvojë specifike kolonializmi. Kolonializmi kryesisht shikohet si dominim i Botës së Tretë nga Bota e Parë, apo sundim i popujve “në stad më të lartë të civilizmit” dhe të zhvillimit ekonomik ndaj atyre më pak të civilizuar “barbarë” apo “të egër”.
Por për dallim nga praktikat koloniale në pjesët tjera të botës, në Kosovë përpos eksploatimit ekonomik dhe shkatërrimit të vendbanimeve, planet shtetërore janë shumë më të gjera. Veçantia kryesore është plani për zhvendosjen totale të popullsisë me qëllim të ndryshimit demografik. Përpos shfrytëzimit ekonomik e material, plani kolonial serb ka synuar të ndryshojë historinë bashkë me të ardhmen.
Në anën tjetër pasojat e kësaj politike ishin të rënda. Se çfarë prodhoi kolonializmi në Kosovë, do referuar vetëm një fakti që gjendet në libër. Shkalla e zhvillimit ekonomik në Kosovë në vitin 1945 ishin të barabarta me atë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Për shkak të politikave ekstreme koloniale edhe në Jugosllavinë Komuniste, që shikohet si “periudhë e barazisë së Kosovës me njësitë tjera federale”, në vitin 1988, zhvillimi ekonomik në Mal të Zi dhe Maqedoni ishte 3.6 herë më i lartë se në Kosovë.
Libri ka shkoqitur në shumë fusha pabarazinë dhe diskriminimin e shqiptarëve prodhuar nga trajtimi i Kosovës si koloni klasike e Serbisë dhe Jugosllavisë.
Kosova në gjithë periudhat e të qenit shtet të Serbisë dhe Jugosllavisë ka qenë rajoni më i diskriminuar dhe si pasojë më e pazhvilluara jo vetëm ekonomikisht, por edhe në aspektin e superstrukturës. Ajo është izoluar në mënyrë që shqiptarët të mbesin jashtë ndryshimeve socio-ekonomike dmth pa identitetin e tyre të vërtetë historik, nacional, kulturor. Prehja në mite, në të kaluarën, më folklor, identitet të përbashkët, ka ofruar një siguri se identiteti kombëtar shqiptar po mbahet, se tiparet kulturore shqiptare nuk po shkrihen. Është krijuar diferenca me politikat koloniale shtetërore. Shqiptarët e përjashtuar nga shteti kanë pasur një hapësirë të ngushtë të mbijetesës dhe njëherësh mundësinë e vogël të rrisin mobilizmin dhe hegjemonizmin nacional.
Këto hapsira lokale kulturore, etnikisht homegjene, mund të shihen si zona të çlirimit nga hegjemonizmi edhe shtrengesat ideoleogjike të sistemit komunist, nga të cilat, shqiptarët janë ndjerë të përjashtuar dhe të rrezikuar. Kështu janë ndërtuar skuta aktive të refuzimit edhe rezistencës. Kjo ka pasur pasoja, gjë që vërehen edhe sot e kësaj dite, në zhvillimin e intelektual, kulturor, politik.
Ky libër është zgjerim i literaturës për studimet koloniale duke futur përvojën Kosovë: Serbi-Jugosllavi, Shqiptaro-Serbe, e cila paraqitet shpeshherë e shtrembëruar dhe, ka dhe do të ketë, shumë për të thënë në mënyrë që në shekullin XXI të tejkalohet mendësia dhe komoditeti kolonial i kolonistëve serbë dhe i shtetit të Serbisë.
Autori Berisha duke folur për librin “Death of colony” në revistën sociologjike ndërkombëtare “Globaldialogue”, ka thënë: Janë dy specifika në modelin kolonialist të Kosovës. Së pari, për të qartësuar situatën më duhet të them se dallon kolonialisti, ashtu si dallon i kolonizuari. Në ç’kuptim? Për shembull, kolonialisti dallon në narracionin mbi të cilin e ndërton procesin e kolonializmit si dhe qëllimet (the ends) mbi të cilat e projekton atë.
Kolonializmi i shtetit serb në Kosovë, i shfaqur hapur nëpër elaboratet të cilat i diskutoj në liber, më përpara se i ndërtuar në interesa ekonomike, politike ekspansioniste, edhe pse këta janë natyrisht presente, niste nga një mit. Një gjë e tillë dallon ta zëmë nga qëllimi kolonial që i bëri Franca Algjerisë, Anglia Indisë, apo Belgjika Kongos. Dërgimi i ushtrisë në territoret e pushtuara nga shtetet evropaine, nuk ka ndodhur bazuar në një mit, apo ndodhi të projektuar historike, sikur ai i serbëve mbi Kosovën, përmes Betejës së Kosovës në 1389. Ky është një dallim kyç si e sheh kolonizatori të kolonizuarin.
Kjo e vë modelin kolonialist të Kosovës në një stad më kompleks. Përderisa, në rastin e parë kolonizimi ishte një interes politik dhe ekonomik, në rastin e Sërbisë, ishte ‘korigjim i historisë’, marrje territori. Dhe ky dallim në mes modeleve shihet edhe sot. /KultPlus.com